Në doganën e Durrësit, që fillimit të këtij muaji, ka nisur të aplikohet sipas një udhëzimi të lëshuar nga Drejtoria e Përgjithshme e doganave “Deklarata e Thjeshtuar Doganore”, e cila përkthehet “lehtësi” për procedurat doganore ndaj bizneseve. Por kjo procedurë e re, i kushton biznesit, dy herë më shumë kohë, që shoqërohet me kosto ekonomike dhe me një imazh të keq për Autoritetin Portual të Durrësit.

Nga kjo praktikë e re shtohen vonesat për anijet që presin në kalata,  pasi kamionët peshohen një për një, pavarësisht se prej vendeve të origjinës dokumentet janë të rregullta. Zbatimi i kësaj procedure të re e cila më parë aplikohej në portin e Karburanteve në Porto Romano, port i cili ka një natyrë krejt të ndryshme nga porti i Durrësit, ka përplasur fort, drejtorinë e doganave, operatorët ekonomikë dhe Autoritetin Portual të Durrësit.

Modalitetet e këtij udhëzimi i kthejnë vite pas procedurat doganore dhe operatorët ekonomikë të portit, të cilët gjenden para një situate, kur një udhëzim nis e aplikohet, pa u pyetur ata si palë e interesuar, palë e cila paguan taksa e tatime ndaj shtetit shqiptar. Për këtë arsye menjëherë pas nisjes së zbatimit të kësaj procedure të re Shoqata e Agjensive Detare dhe Spedicionere, si dhe subjektet pritëse importuese të mallrave me anije i kanë dërguar një peticion, Kryeministrit të Republikës Sali Berisha, Ministrit të Financave Ridvan Bode dhe Drejtorit të Përgjithshëm të Doganave Flamur Gjymishka.

Ky peticion u hartua pas takimeve që një përfaqësi e këtyre operatorëve ekonomikë ka zhvilluar me drejtorin e portit Eduart Ndreu, kreun e PD-së, Igli Cara, kreun e Doganave Shqiptare Flamur Gjymishka dhe nëndrejtorin e doganës së Durrësit. Në takim ata parashtruan një sërë kërkesash dhe sugjerimesh ndaj institucioneve të mësipërme. Peticioni është firmosur nga më shumë se 15 Agjensi Detare dhe Spedicionere si dhe operatorë të tjerë që zhvillojnë aktivitet tregtar dhe ekonomik në portin e Durrësit.

Vonesat 

Në kërkesën e parë drejtuar institucioneve shtetërore thuhet se përpilimi i Deklaratës së Thjeshtuar nga Agjensitë Doganore, për çdo automjet, që do të bëjë transportin e mallrave normalisht, krijon një vonesë rreth 40 minuta. Kjo vonesë shkaktohet nga përpilimi i Deklaratës së Thjeshtuar, kalimi në doganë, firmosja, vulosja, dorëzimi i automjetit nga shoferi.

Të gjitha këto krijojnë vonesa të panevojshme. Nëse do të jenë disa anije në përpunim, ngarkim dhe shkarkim njëkohësisht, kuptohet që vonesa është më shumë se 40 minuta, për çdo automjet. Një vonesë e tillë zgjat kohën e përpunimit të anijes dhe për pasojë shoqërohet me kosto shtesë për biznesin. Duke iu referuar një shembulli të thjeshtë del kostoja që do t’i shkaktohet një anijeje. Një anije të tonazhit të vogël me ngarkesë 3 mijë ton është e barabartë me 120 mjete transporti, kamiona. 120 kamiona x 40 minuta vonesë = 80 orë, që përkthehen në 3 ditë +8 orë pritje. Duke ditur se për çdo ditë vonesë anija paguan 3500 dollarë totali që duhet të paguajë kjo anije e vogël është 11.650 dollarë.

Një kosto të tillë, që është e konsiderueshme, duket se nuk është llogaritur nga ata që kanë përpiluar udhëzimin. Vlera në fjalë duhet të paguhet nga subjekti pritës i mallit.  

Peshorja e doganës

Të gjitha automjetet që do të kalojnë në peshë, peshohen bosh dhe plot në peshoren e doganës. Në sheshin ku është e instaluar peshorja është krijuar një dyndje e mjeteve të transportit, trajlera me gjatësi 15 metra, ku pa frikë numri i tyre mund të arrijë deri në 100.

Ky grumbullim i automjeteve që peshohen bosh dhe plot krijon vonesa të tjera, të cilat përsëri kanë kosto si në vonesat që shkaktohen, po ashtu edhe në karburant, Pa llogaritur këtu edhe trajlerat dhe automjetet e tjera, që dalin nga sheshi i trageteve. Për shkak të numrit të madh të mjeteve të grumbulluara puna ndërpritet herë pas here dhe proçesi i peshimit  bllokohet.

Shqetësimi i shoqatës

Shoqata e operatorëve ekonomikë ka kërkuar në peticion zgjidhjen e menjëhershme të këtij problemi që po krijon vonesa të pajustifikueshme dhe me kosto financiare. Sipas tyre në portin detar të Durrësit përpunohen disa anije në kalata të ndryshme dhe çdo kamion i ngarkuar në secilën anije, menjëherë duhet të kalojë në peshoren e doganës, për peshim bosh dhe plot.

Si pasojë, të gjitha subjektet që operojnë në këtë fushë përplasen në doganë me dokumentacionin përkatës për kryerjen e veprimeve të Deklaratës së Thjeshtuar. Edhe këtu krijohen rradhë të gjata dhe vonesa të kota. Subjektet private ankohen se anijet vonohen në procesin e ngarkim shkarkimit, vonesë që nuk varion nga disa minuta në disa orë, por që zgjat me ditë.

Kostoja e vonesës së një anijeje që prek portin e Durrësit, për çdo ditë varion në varësi të tonazhit, nga 3000 deri në 5000$ në ditë. Kjo kosto e anijes rëndon mbi subjektin importues kundrejt pronarit të anijes së huaj.

Prishet imazhi i portit

Nëse do të vazhdojë zbatimi i kësaj procedure imazhi i portit të Durrësit do të prishet thonë operatorët ekonomikë. Ndërsa në vitet e fundit, të gjithë jemi dëshmitarë të punës së mirë që është bërë për lehtësimin e procedurave për biznesin, kjo procedurë e re duket se do t’i përkeqësojë imazhin portit më të madh në vend.

Ndërkaq problemi thellohet edhe më shumë sepse anijet që prekin portin e Durrësit, pas hyrjes në fuqi të kësaj procedure kanë nisur të aplikojnë tarifa më të larta transporti për të përballuar koston e shkaktuar si pasojë e vonesave në përpunimin e mjetit lundrues. Por rritja e kostos së transportit reflektohet menjëherë tek subjektet importuese që rrisin çmimet dhe për pasojë xhepat e konsumatorëve rrezikojnë të përballen me një tjetër rritje të mallrave dhe produkteve të konsumit që vijnë nga importi.

Ndërsa Deklarata e Thjeshtuar u hartua për të parandaluar abuzimet e ndryshme që mund të kryejnë subjektet private operatorët ekonomikë shprehen skeptikë se ajo do të ketë impakt në bllokimin e kontrabandës dhe fenomeneve të tjera të paligjshme.

Peticioni

Në shkresën e Drejtorisë së Përgjithshme të Doganave nr. 12425, dt 01. 08. 2012 është vendosur që mallrat që hyjnë në territorin e Republikës së Shqipërisë me mjete të transportit detar, në këtë rast anije, dhe sasia për hedhje në qarkullim të lire, kërkon shkarkim dhe transport të shumëfishtë, më shumë se një mjet të transportit rrugor, atëherë për çdo pjesë të mallit të shkarkuar përpilohet deklarata e thjeshtuar. Kjo deklaratë përpilohet me modulin e thjeshtuar në sistem, sipas udhëzimit lëshuar nga Drejtoria e Përgjithshme e Doganave.

Operatorët ekonomikë si fillim e shikojnë të pazbatueshëm këtë praktikë të quajtur “procedurë e thjeshtuar”, për vetë faktin se porti i Durrësit, nuk ka magazina ku malli të qëndrojë për ditë të tëra dhe të zhdoganohet, pjesë pjesë, ashtu siç ndodh në portet e tjerë të Adriatikut, konkurentë të portit të Durrësit.

“Një praktikë të tillë do të ishim plotësisht dakord, të aplikohej për subjektet importuese, që e kërkojnë depozitimin e mallrave në territorin e portit dhe evadimi nga territori i portit të bëhet me propozimin “deklaratë e thjeshtuar”. Për vetë specifikën e disa mallrave si psh: mallrat ushqimore, grurë, misër, miell, bërsi, sojë, nitrat, ure, të cilët nuk mund të qëndrojnë në territorin e portit pasi nuk ka asnjë mundësi magazinimi kërkojmë të veprohet me sistemin e mëparshëm, ose të gjendet një zgjidhje tjetër dhe e mirëmenduar, për arsyet që parashtrojmë”,- thuhet në peticionin e operatorëve ekonomikë.

Sipas bizneseve një procedurë e tillë nuk aplikohet në asnjë port tjetër të rajonit apo të Europës. “Nëse është e nevojshme dhe kërkohet të bëhet një kontroll i detajuar i ngarkesave masive të ardhura me anije nga degët e doganave të Republikës së Shqipërisë ka mënyra nga më të ndryshmet për të kontrolluar dhe jemi të gatshëm të aplikohet çdo kontroll, sondazh në anije apo edhe mjetet e transportit”,- thuhet gjithashtu në peticion.

Për sa më sipër Shoqata e Agjensive Doganore dhe Spedicionere si dhe subjektet Pritëse, Importuese të mallrave me anije parashtrojnë sygjerimet dhe vërejtjet në peticionin e dërguar tek autoritet më të larta të shtetit duke argumentuar  vonesat, kostot dhe problematikën e lënë pas, minimalisht 5 vite më parë. Në mbyllje të peticionit, aktorët e biznesit në portin e Durrësit kërkojnë mundësinë e takimeve me autoritetet e Ministrisë së Financave, Ministrisë së Transportit dhe Drejtorisë së Përgjithshme të Doganave për të gjetur një rrugë dhe mënyrë veprimi sa më efiçente, për të eleminuar vonesa me kosto mjaft të lartë që rëndojnë mbi konsumatorin.

Kostoja me procedurën e re

Llogaritjet janë bërë duke u bazuar tek një anije e tonazhit të vogël rreth 3 mijë tonëshe

120 kamiona x 40 minuta vonesë = 80 orë

80 orë = 3 ditë +8 orë pritje

1 ditë pritje = 3500 dollarë

3 ditë + 8 orë x 3500$ = 11.650 $