Ish-ministri i Financave dhe kryetari i Komisionit te Ekonomise dhe Financave, Arben Ahmetaj thotë se sipas Raportit të Komisionit Evropian për tre mujorin e fundit, Shqipëria rezulton me rritjen më të lartë ekonomike dhe papunësinë më të ulët në rajon në dy vitet në vijim.

Në një postim në Facebook, Ahmetaj shkruna se raporti pozitiv i Komisionit Europian për ekonominë shqiptare, është një tjetër reflektim serioz për arritjet jo pak të vështira të viteve të fundit.

POSTIMI I PLOTË

Raporti i Komisionit Europian, Shqipëria me rritjen më të lartë ekonomike dhe papunësinë më të ulët në rajon në dy vitet në vijim. Konfirmon rënien e borxhit publik.

Komisioni Europian ka publikuar raportin tremujor për performancën ekonomike të vendeve kandidate dhe potencialisht kandidate në BE, në të cilin analizohen ekonomitë e Ballkanit Perëndimor, përfshirë Turqinë.

Lajmi i parë i mirë është se Shqipëria është një nga dy vendet e rajonit (së bashku me Malin e Zi) që kanë vazhduar rritjen pozitive të ekonomisë edhe përgjatë tremujorit të tretë 2018, në një kohë që vendet e tjera dhe mesatarja e rajonit shënojnë rënie.

2 – Shqipëria parashikohet të ketë rritjen më të lartë ekonomike në Ballkanin Perëndimor përfshirë Turqinë, në 2019-2020. Në të njëjtën kohë, papunësia në Shqipëri projektohet në nivelin më të ulët në rajon, pranë 10% ndërsa borxhi publik vazhdon të konsolidojë trajektoren rënëse.

3 – Komisioni Europian konfirmon një rritje ekonomike mbi 4% për vitin 2018, njësoj sikurse vlerësuan më herët edhe FMN apo Standard and Poor’s. Rritja e konsumit privat, importeve dhe investimeve, vijojnë të kenë kontributin kryesor në rritjen ekonomike.

4 – Performanca e fortë ekonomike vijon të reflektohet edhe në zhvillimet pozitive të tregut të punës. Pjesëmarrja në forcat e punës në tremujorin e tretë 2018 ëshë në nivelin 68.3% krahasuar me 67.1% që ishte një vit më parë. Punësimi në sektorin jo-bujqësor është rritur me 7.5%, ndërsa papunësia ka shënuar nivelin më të ulët nga viti 2012.

Punësimi për të rinjtë e moshës 15-29 vjec është përshpejtuar në 26% krahasuar me një vit më parë, ndërsa papunësia për këtë grupmoshë ka vijuar trendin rënës nga piku prej 34% i vitit 2015.

Pagat në sektorin privat vlerësohet të jenë rritur me një mesatare plus 15 pikë në të gjithë sektorët, krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më parë.

Raporti tejet pozitiv i Komisionit Europian për ekonominë shqiptare, është një tjetër reflektim serioz për arritjet jo pak të vështira të viteve të fundit. Sfida kryesore mbetet vazhdimi i reformave dhe konsolidimit fiskal, për të garantuar jo vetëm vazhdimin e rritjes ekonomike dhe punësimit, por edhe përgjigjen e duhur ndaj riskut të ngadalësimit të rajonit dhe ekonomive të BE.