Rimbursimi i TVSH-së ndaj bizneseve u intensifikua gjatë dymujorit të parë të vitit, në raport me të njëjtën periudhë të viteve të mëparshme.

Sipas të dhënave zyrtare nga Ministria e Financave, gjatë periudhës janar-shkurt 2021, u rimbursuan mbi 3.8 miliardë lekë TVSH, ose 73% më shumë se e njëjta periudhë e vitit 2020. Rimbursimi në nivele të larta uli të ardhurat nga TVSH neto me 5.7% në dymujor.

Në janar – shkurt 2021 u arkëtuan gjithsej nga TVSH-ja 26,4 miliardë lekë dhe u rimbursuan 3.8 miliardë lekë. Të dhënat tregojnë se është rimbursuar 14,5% e TVSH së arkëtuar, ndërsa në dymujorin 2020 u rimbursua 8.7% e TVSH së arkëtuar.

Si rrjedhojë e rimbursimeve të larta të TVSH-së, arkëtimet buxhetore shënuan ulje me 2.3% në krahasim me faktin e një viti më parë. Në prag të zgjedhjeve të përgjithshme parlamentare të 25 prillit rimbursimet e TVSH u rritën në rekorde për periudhën.

Me gjithë këtë rritje të rimbursimit, qeveria ka ende një gjendje të lartë debiti ndaj biznesit. Nga të dhënat e fundit, stoku i TVSH-së së parimbursuar arriti në 11.3 miliardë lekë (92 mln euro) në tremujorin e tretë të vitit 2020. TVSH e parimbursuar përbën 17% të detyrimeve të prapambetura të qeverisë së përgjithshme jashtë treguesve fiskalë.

Detyrimet e larta në rimbursimin e TVSH-se u krijuan nga investimet në projektet e mëdha, kryesisht në gazsjellësin TAP dhe investimet në HEC-et mbi lumin Devoll. Drejtoria e Përgjithshme e Tatimeve ka nënshkruar një marrëveshje me kompanitë e mëdha të investimeve për të paguar me këste, borxhin e akumuluar ndaj tyre.

Praktikisht këto detyrime rëndojnë borxhin e përgjithshëm publik të vendit, pasi në të ardhmen, autoritetet e financave do të detyrohen të bëjnë më pak shpenzime në sektorë prioritarë, si arsimi, shëndetësia dhe infrastruktura.

Sipas ndryshimeve ligjore që u bënë në vitin 2016, të gjitha sipërmarrjet që kanë një qarkullim në eksport 50% përfitojnë rimbursim automatik të TVSH -së brenda 30 ditëve. Mirëpo, edhe pas ndryshimeve ligjore, rimbursimi i TVSH-së në kohë vijon të jetë problematik. /Monitor