Për herë të parë në Shqipëri do të aplikohet një sistem rezervimi online për targat e serive të veçanta.

Në një njoftim për shtyp, Drejtoria e Përgjithshme e Shërbimeve të Transportit Rrugor bën të ditur se targat e "veçanta" janë ndarë në dy kategori dhe tarifa për të pasur një targë të personalizuar shkon deri në 30 mijë lekë.

Në kategorinë e parë bëjnë pjesë të gjitha targat, trenumërorët e të cilave janë të njëjtë, pavarësisht nga çifti i shkronjave para dhe pas tyre dhe tarifa është 30,000 lekë. Në kategorinë e dytë përfshihen të gjitha targat, trenumërorët e të cilave fillojnë me dy (2) zero, pavarësisht nga çifti i shronjave para dhe pas tyre (përveç 001 dhe 007) dhe tarifa është 20,000 lekë. Këtu nuk përfshihen tarifat standarde të shërbimit të regjistrimit të automjetit.

E njëjta gjë shërben edhe motomjetet kundrejt një shume prej 10,000 mijë lekësh.

Njoftimi:

Rregullat e Aplikimit
Të gjithë qytetarët/subjektet duhet të kryejnë regjistrimin online nëpërmjet këtij sistemi, duke paraqitur të dhënat e kërkuara të mjetit dhe ato personale/të subjektit të sakta, sipas kartës së tyre të identitetit/niptit të aktivitetit. 

Aplikuesi, në momentin e marrjes së shërbimit pranë DRSHTRR-ve, duhet të jetë ose zotëruesi i mjetit ose person i autorizuar nga subjekti biznes, enti leasing, koncesionar, agjenci shërbimesh. DPSHTRR rezervon të drejtën të pezullojë rezervime që kryhen nga persona që dyshohet se luajnë rolin e sekserëve ose që shtojnë tarifa të paautorizuara mbi këtë shërbim publik, si edhe ndalon aksesin në sistem përgjithmonë për keqpërdorim të shërbimit. Në çdo rast kur një rezervim nuk rezulton në kryerjen e shërbimit për mosparaqitjen e qytetarit/subjektit brenda afatit, targa rikthehet automatikisht në sistem për t’u rishitur përmes rezervimeve të reja. 
Pas plotësimit me sukses të aplikimit online, qytetari/subjekti ka një dritare kohore me afat të kufizuar, që do i informohet me e-mail, me detajet e komunikimit për paraqitjen pranë sportelit të zgjedhur të drejtorisë rajonale për të kryer pagesën e shërbimit dhe targimin e mjetit.

Në këtë link do të gjeni edhe videon shpjeguese: https://we.tl/t-x096FY7EFR

Shënim:
Për të gjitha kategoritë, përveç vlerës së shërbimit, do të aplikohet edhe vlera prej 7,700 lekë që përfshin tarifat standarde për pajisjen me targë/regjistrim mjeti pranë DRSHTRR-ve për automjetet*; ndërsa kjo vlerë për motomjetet është 6,700 lekë. 
*Për automjetet nuk përfshihen tarifa RBS, Kalim Pronësie ose ndryshim formati targe nga drejtkëndëshe në katrore. 
Të gjithë aplikantët e këtij shërbimi do të kenë prioritet në kryerjen e procedurave, pa pritur në radhë.