Rritet numri i bizneseve të vogla, që po regjistrohen në skemën e TVSH-së. Nga 10,500 biznese që u identifikuan në fillim të zbatimit të ndryshimeve fiskale për uljen e fashës së xhiros së biznesit që përfshihet në skemë, aktualisht 13,500 biznese dorëzuan deklaratën në Tatimore.

Shifrat u bënë dje publike nga Administrata Tatimore, ku, sipas tyre, kjo shifër përbën 95 për qind të totalit të deklaratave të nxjerra nga sistemi. “Rreth 13,509 subjekte që i përkasin fashës 2 deri në 5 milionë lekë dorëzuan pranë Administratës Tatimore, brenda afatit ligjor dhe pa asnjë penalitet, deklaratën e thjeshtuar të Tatimit mbi Vlerën e Shtuar.

Kjo shifër përbën rreth 95 të totalit të deklaratave të gjeneruara nga sistemi për tatimpaguesit e vegjël, të cilët kishin detyrimin për të deklaruar dhe paguar TVSH-në për muajin dhjetor.

Administrata Tatimore, në mënyrë të vazhdueshme, ka ofruar asistencë për subjektet e biznesit të vogël për plotësimin e librave të shitjes dhe blerjes, si dhe plotësimin e deklaratës së thjeshtuar të TVSH-së. Drejtoria e Përgjithshme e Tatimeve inkurajon tatimpaguesit për përmbushjen me korrektësi të detyrimeve tatimore”, thuhet në njoftimin e Tatimeve.

Më herët, Administrata Tatimore deklaroi se të gjitha rastet kur bizneset kanë deklaruar një xhiro më të vogël, do të trajtohen nëpërmjet sektorit të Kontrollit në çdo Drejtori Rajonale Tatimore, nëpërmjet thirrjeve në zyrë, vizitave në terren, vizitave fiskale në raste të veçanta, si dhe nëpërmjet çdo rruge tjetër komunikimi që do t’i shërbente përmirësimit të raportimit të qarkullimit me pajisje fiskale.

Tatimet kanë bërë thirrje që bizneset do të duhet që të vetëkorrigjojnë raportimet, duke reflektuar aktivitetin real që ushtrojnë.