Shifrat/ Sa miliardë sollën emigrantët në ekonominë shqiptare

20/10/2018 - 08:57

Që nga viti 1992, kur nisën flukset e para të prurjeve të emigrantëve, deri në fund të 2017-s, janë futur në ekonominë shqiptare 26 miliardë dollarë në formën remitancave. Gjysma e tyre kanë financuar konsumin e ushqimeve dhe pjesa e tjetër është përdorur për t’u arsimuar. Vala e re migratore ka rikthyer rritjen e dërgesave, teksa bankat kanë reduktuar shërbimet për emigrantët në këto dhjetë vite. Si kanë ndikuar në ekonomi remitancat dhe projektet për përmirësimin e përdorimit të tyre

Emigracioni ndoshta është plaga më e pashërueshme e shoqërisë shqiptare, por përpos kostove që krijohen nga rrudhja e kapitalit njerëzor, emigrantët janë shndërruar në kontribuuesit më të mëdhenj në ekonominë tonë, nëpërmjet dërgesave të rregullta pranë familjeve. Studime të ndryshme tregojnë se remitancat (prurjet monetare të emigrantëve) kanë qenë nxitësi kryesor për zbutjen e varfërisë, gjithashtu me përvojën e tyre kanë ndihmuar në zhvillimin e aftësive të familjarëve nëpërmjet investimeve në shkollimin dhe në kurimin e tyre.

Përgjatë 28 viteve të fundit, që nga rënia e diktaturës, Shqipëria po përjeton cikle të rregullta të emigracionit dhe të njëjtën rrugë kanë ndjekur edhe remitancat.

Që nga viti 1992, kur nisën prurjet e para, deri më 2017, sipas të dhënave zyrtare të Bankës Botërore, emigrantët shqiptarë kanë sjellë në ekonominë shqiptare 26 miliardë dollarë. Kontributi i tyre vjetor përllogaritet në rreth 8-9% të PBB-së në 10 vitet e fundit. Remitancat në vlerë kanë qenë financuesi kryesor i bilancit të pagesave, duke sjellë valutë në ekonomi më shumë se investimet e huaja. Gjatë viteve 1991-2007, remitancat ishin më të larta se eksportet, Investimet e Huaja Direkte dhe ndihmat zyrtare. Në gjashtë muajt e parë të 2018-s, emigrantët sollën në shtëpi 331 milionë euro, me një rritje prej 11% në krahasim me të njëjtën periudhë të një viti më parë. Ky është niveli më i lartë në 6 vjet, që prej vitit 2012.

Banka Botërore, në një anketë të fundit, gjeti se rreth 85% e familjeve shqiptare kishin përfituar financime që shkonin deri në 2350 dollarë në vit gjatë një periudhe 10-vjeçare. Gati gjysma e financimeve janë përdorur për financimin e jetesës së përditshme, veçanërisht për blerjen e ushqimeve, ndërsa pjesa tjetër shpërndahet në mënyrë proporcionale për arsim, kurim, rikonstruksione shtëpie etj.

Vala e re migratore pas heqjes së vizave, tashmë si azilkërkues në disa vende të BE-së, po rikthen rritjen e remitancave të cilat kishin nisur të uleshin pas vitit 2009. Elton Çollaku, Drejtori Ekzekutiv i Unionit Financiar në Tiranë, tha se, ecuria e remitancave lidhet drejtpërdrejt me trendet migratore të një vendi. Ndërkohë me kalimin e viteve dhe me inkuadrimin e kësaj kategorie (emigrantëve) në jetën dhe shoqërinë e vendit ku kanë emigruar vërehet një lloj stabiliteti i remitancave dhe madje rënie e tyre me kalimin e viteve (zakonisht ky është një cikël 10-15-vjeçar). Çollaku tha se vitet e fundit, tendencat e reja migratore të shqiptarëve, në drejtim të vendeve të Europës Perëndimore, kanë sjellë në këtë mënyrë edhe një “rifreskim” të diasporës shqiptare në Perëndim. Ai tha se edhe në vitet në vijim, si rrjedhojë e fenomenit të mësipërm, do të vijojë të ketë një trend pozitiv dhe/ose të qëndrueshëm të flukseve të remitancave në vend.

Banka e Shqipërisë, në një vrojtim për tregun e remitancave të publikuar së fundmi, evidenton se bankat në Shqipëri pas vitit 2007 kanë reduktuar dukshëm shërbimet e emigrantëve, teksa Banka Botërore e ka përfshirë Beratin në një projekt pilot, për një përdorim me efikas të dërgesave.
Profesor Ilir Gëdëshi, i cili ka bërë një sërë studimesh dhe vrojtimesh lidhur me emigracionin, thotë se, remitancat kanë luajtur rol të rëndësishëm në reduktimin e varfërisë të shumë familjeve në vend. Ndërkohë, nga këndvështrimi i ndikimit të remitancave në zhvillimin ekonomik, Gëdëshi thotë se vetëm një pjesë e vogël e atij burimi (9-12%) është investuar në ekonomi, në biznese kryesisht të vogla. Rrjedhimisht, sipas tij, kjo vlerë monetare e injektuar në ekonominë shqiptare nga migrimi deri tani ka qenë e pamjaftueshme për të rritur prodhimin vendas.

Remitancat dhe ndikimi i tyre në zhvillim

Dërgesat e emigrantëve kanë qenë një burim i rëndësishëm si për të ardhurat dhe për financimin e konsumit dhe janë element thelbësor në kursimet familjare. Banka e Shqipërisë vlerësoi së fundmi në një studim të posaçëm për remitancat se ato kanë pasur kanë efekte absolute mbi mirëqenien dhe ndikimin në ekuilibrat makroekonomikë. Literatura teorike, por edhe studimet empirike, kanë treguar se rëndësia e remitancave ndikohet nga mënyra se si ato përdoren.

Prandaj, efektet e mundshme makroekonomike të remitancave pasqyrojnë strukturën e konsumit të familjeve shqiptare. Banka e Shqipërisë ka gjetur se dërgesat e emigrantëve kanë mbuluar financimin e konsumit të familjeve për nevojat bazë, si ushqim, kujdes shëndetësor, arsim, etj. Mirëpo përfitueshmëria më e madhe e remitancave do të ishte sikur ato të investoheshin në prodhim. Një studimin për rastin e Meksikës ka treguar se 1 dollar i remitancës së shpenzuar në prodhim gjeneroi 2.69 dollarë në të ardhurat kombëtare të zonave urbane dhe 3.17 dollarë në zonat rurale. Një tjetër rast i rëndësishëm është ai i Greqisë. Vlerësohet se në vitet ’70, kontributi i remitancave ishte sa 50% e rritjes ekonomike të vendit.

Prurjet e emigrantëve janë një zë i rëndësishëm në statistikat e bilancit të pagesave të Shqipërisë. Gjatë periudhës 2008-2017, raporti i remitancave ndaj PBB-së ishte mesatarisht 9.1%. Rëndësia e dërgesave të emigrantëve tregohet edhe nga raportet e saj kundrejt treguesve të tjerë. Gjatë viteve 2008-2017, fluksi i remitancave ishte mesatarisht 36.7% e deficitit tregtar në mallra. Në të njëjtën kohë, raporti mesatar i remitancave ndaj eksportit të mallrave ishte 32.6%, ndërsa për Investimet e Huaja Direkte ishte pothuajse 100%. Para vitit 2008, remitancat ishin më të larta se eksportet dhe investimet e huaja.

Edhe pse dinamika aktuale e deficitit është e përcaktuar gjerësisht nga tregtia e mallrave dhe shërbimeve, shpeshherë remitancat kthehen në një kontribuues të rëndësishëm. Kështu, gjatë periudhës 2011-2017, deficiti i llogarisë korrente u ngushtua me 2.3% dhe kontributi e flukseve hyrëse të remitancave në këtë drejtim vlerësohet në rreth 1.2 pikë përqindjeje. Gjithashtu, gjatë periudhës 2005-2010, ndonëse zgjerimi i deficitit korent ishte rreth 26.1%, remitancat kontribuuan (mesatarisht në 2.4 pikë përqindjeje të ngushtimit të deficitit aktual). Ndërsa kontributi i remitancave mund të jetë më i ulëti, ato mbeten një rrjedhë e rëndësishme (megjithëse jo përcaktuese) në formësimin e dinamikës së deficitit aktual, dhe, herë pas here, ato mund të bëjnë një ndryshim të rëndësishëm në këto dinamika.

Remitancat, një e dhjeta e PBB-së

Banka e Shqipërisë vlerëson se gjatë periudhës analizuese (2010-2017), remitancat kanë kontribuar në rreth 5.6% në nivelin e PBB-së së Shqipërisë. Nga ana tjetër, vlerësimet tregojnë se madhësia e këtij kontributi ka qenë paksa në rënie nga 5.8% në vitin 2010, në rreth 5.3% në 2017. Megjithatë, kontributet e remitancave erdhën në rritje vitet e fundit, krahasuar me performancën gjatë 2010-2013.

Një situatë e ngjashme vërehet edhe në rastin e kontributit të remitancave në rritjen nominale ekonomike të Shqipërisë. Për shkak të uljes së prurjeve, kontributi ishte negativ në 2010-2013 mesatarisht -0.3 pikë përqindje, por ai u rrit në vitet e ardhshme. Për 2014-2017, ndikimi i remitancave në rritjen ekonomike ishte 0.2 pikë përqindjeje, analizon Banka e Shqipërisë. Një kontribut i rëndësishëm është vërejtur në vitin 2014 (0.7 pikë përqindje), dhe një kontribut të vogël në 2015 (0.2 pikë përqindjeje). Norma nominale e rritjes ekonomike në vitin 2014 u raportua në 3.4%, teksa kontributi i remitancave llogaritet në rreth 20 pikë përqindje të kësaj norme. Rastet kur remitancat kanë dhënë kontribute negative kanë të bëjnë me periudhat kur flukset kanë treguar një dinamikë rënëse.

Gjysma shpenzohen për ushqime

Pjesa më e madhe e remitancave shpenzohen në grupin “ushqime dhe pije joalkoolike” dhe në “strehim, ujë dhe energji”. Sipas vlerësimeve të Bankës së Shqipërisë, gati gjysma e prurjeve të emigrantëve, rreth 48% e tyre, përdoren për blerje ushqimesh dhe pije joalkoolike. 3% e prurjeve vlerësohet se shkojnë për mobilimin dhe restaurimin e shtëpive, 4.5% e tyre përdoren për të blerë veshje dhe 5% për shërbimet shëndetësore, 4.8% për udhëtime, 3.3% shpenzohen për t’u arsimuar ndërsa 3,2% harxhohen nga të afërmit në Shqipëri në bare dhe në restorante.

Dibra dhe Kukësi, varësi më të lartë ndaj dërgesave

Vlerësimet e Bankës së Shqipërisë gjatë vitit 2017 treguan se totali i remitancave ishte i barabartë në 1.158 milionë euro, nga të cilat 286 milionë euro kanë ardhur nga punonjësit sezonalë dhe 872 milionë euro si transfertat personale (kryesisht dërgesat e punëtorëve).
Ndikimi i prurjeve në Shqipëri është i rëndësishëm, sepse ato përbëjnë një burim shtesë të të ardhurave për familjet që janë përfituese të tyre. Një studim i Bankës Botërore vlerëson se remitancat përfaqësojnë rreth 13% të buxhetit vjetor të familjeve në Shqipëri. Por rëndësia e remitancave nuk është vetëm në rrafshin e familjeve, shumica e të cilave jetojnë në zonat rurale.

Anketa e Buxhetit të Ekonomive Familjare (INSTAT, 2016) tregoi se në Kukës dhe Dibër, remitancat përbëjnë rreth 15-19% të të ardhurave totale të familjes. Në të njëjtën kohë, këto dy qytete, krahasuar me qytetet e tjera, tregojnë përqendrimin më të lartë të familjeve që pranojnë remitanca në total, përkatësisht 37% dhe 17%. Duke iu referuar Anketës së Matjes së Standardeve të Jetesës (INSTAT, 2012), Kukësi ka shkallën më të lartë të varfërisë, e vlerësuar në 22.5%.

Për rrjedhojë, remitancat e emigrantëve japin kontributin e tyre pozitiv në reduktimin e varfërisë në këtë qytet. Pjesa e madhe e remitancave të përdorura për konsum tregon se qëllimi parësor i tyre është plotësimi i nevojave bazë. Studime të shumta për ekonominë e remitancave pranojnë se herët a vonë, këto flukse monetare do të bien. Por që efekti pozitiv i tyre të jetë më i gjatë, prioriteti qëndron në kanalizimin e tyre drejt investimeve. Në Shqipëri, shumica e remitancave transferohen në rrugë jozyrtare.

Sfida e formalizimit

Remitancat vlerësohen të kenë ndikim të drejtpërdrejtë në shkallën e përfshirjes financiare të popullsisë. Por edhe pse Shqipëria ka prurje të konsiderueshme të remitancave, treguesi i përfshirjes financiare vlerësohet në 40%, një nivel i ulët në krahasim me mesataren globale 69%.
Ndër të tjera, përdorimi i kanaleve zyrtare për prurjet e emigrantëve promovon aktivitetin ndërmjetësues të institucioneve financiare, duke kontribuar në zhvillimin financiar të vendit.

Banka e Shqipërisë referon se, promovimi i përdorimit të sistemit financiar për remitancat ka qenë në qendër të vëmendjes edhe në kuadrin e reduktimit të përdorimit të parave cash në ekonomi. Në vitin 2017, Banka e Shqipërisë në bashkëpunim me Bankën Botërore, ndërmori një studim të detajuar të tregut të remitancave me synimin e identifikimit të boshllëqeve infrastrukturore dhe rregullatore për përafrimin me praktikat më të mira./MONITOR

/portali DurresLajm/

Na bëni like në facebook!: 

Lajme nga e njëjta kategori

Në rubrikën “Tatimet Këshillojnë”, Drejtoria e Përgjithshme e Tatimeve ka publikuar një material sqarues mbi pagesat që kryhen në dorë.

Apeleve të shumta nga institucione të rëndësishme financiare ndërkombëtare, iu është bashkuara edhe Banka e Shqipërisë.

Shqiptarëve u duhen mesatarisht 10.3% të të ardhurave ditore për të blerë një litër benzinë, duke e renditur në këtë mënyrë në shtetin eu

Thatësira ka prekur sërish sektorin e energjisë në vend.

Monedha e përbashkët ka shënuar një tendencë të lehtë rënëse përgjatë ditëve të fundit, e cila ka qenë e qëndrueshme dhe graduale, duke e

Administrata Tatimore informon tatimpaguesit për rishikimin e kësteve të paradhënieve të tatim fitimit për periudhën nëntor-dhjetor 2018.

Një projektligj “Për mbrojtjen civile” ka në thelb përcaktimin e dokumenteve strategjikë, procedurave standarde, ndarjen e përgjegjësive

Këshilli Bashkiak i Tiranës pritet që të miratoje në mbledhjen e datës 15 nëntor një rregullore që sanksionon kushtet e zënies dhe përdor

Duke filluar nga 1 prilli i vitit të ardhshëm, do të kenë rritje të pagave 6.800 ushtarakë të Forcave të Armatosura.