Shqiptarët i bëjnë lekët llaç e tulla, Europa teknologji e shpikje

Postuar: 20/11/2017 - 11:14

Që shqiptarët janë të dhënë pas ndërtimeve, kjo është e dukshme në çdo cep të vendit. Nga zonat urbane tek bregdeti, një sipërfaqe e madhe toke është betonizuar pas viteve ’90, nisur dhe nga nevojat e mëdha për strehim pas tranzicionit ekonomik. Pas një faze maturimi, ndërtimi ka rifilluar me ritme të vrullshme muajt e fundit, kryesisht në kryeqytet dhe bregdet.

Të dhënat zyrtare të INSTAT-it, tregojnë se ndërtimi, sidomos ai i banesave zënë pjesën e luanit të investimeve të brendshme, që është më e larta në rajon dhe Europë. Sipas INSTAT treguesi i formimit bruto të kapitalit fiks [1] (investimet e brendshme materiale dhe jo materiale) përbëhet në 75% nga ndërtimi, 17% nga pajisjet dhe 8% nga të tjera (transport, bujqësi e kërkime minerare). Brenda ndërtimit, gati 60% shkon për banesa. Të dhënat e fundit i përkasin vitit 2015, por nuk ka ndonjë ndryshim të madh në krahasim me 10 vjet më parë, kur ndërtimi zinte 80% të invesimeve të brendshme në ekonomi.

Formimi bruto i kapitalit fiks është pjesë e shpenzimeve të prodhimit të brendshëm bruto dhe tregon se sa nga vlera e shtuar në ekonomi investohet sesa konsumohet. Shqipëria i bën pjesën më të madhe të parave llaç e tulla, një investim që mund të ndikojë në afatin e shkurtër në rritjen e qarkullimit të parave dhe hapjen e vendeve të reja të punës, por që në afat të gjatë nuk i jep vlerë të shtuar ekonomisë, teksa nuk ndikon në rritjen e produktivitetit dhe konkurrueshmërisë (Shqipëria vijon të mbetet një ndër shtetet me të ardhurat më të ulëta për frymë në rajon dhe Europë).

Europa i përdor paratë krejt ndryshe në krahasim me Shqipërinë. Sipas të dhënave të Eurostat, që i përkasin vitit 2016, investimet e brendshme shkojnë 48% për ndërtim. Pjesa tjetër përdoret në investime në teknologji e shpikje, që rrisin produktivitetin, përkatësisht 31% në pajisje dhe 17% në pronësi intelektuale (shiko grafikun).

Sipas të dhënave të përpunuara nga Monitor, nga institutet statistikore të rajonit, edhe në Maqedoni, ndërtimi merr rreth 63% të investimeve, ndërsa pajisjet e makineritë rreth 30%, sa dyfishi i Shqipërisë. Maqedonia është një hap përpara Shqipërisë si për teknologjinë e informacionit ashtu dhe për industrinë, teksa është një prodhues i pjesëve të makinave, si psh katalizatorë nga Johnson Doel, një kompani që kishte të ardhura prej 1.2 miliardë eurosh në 2016-n, tre herë më shumë se sipërmarrja më e madhe në Shqipëri.

Në Mal të Zi dhe Serbi, ndërtimi zë rreth gjysmën e investimeve të brendshme, ndërsa pajisjet e makineritë zënë përkatësisht 37% në Mal të Zi dhe 48% në Serbi.

Kanalizimi i fondeve të lira kryesisht në banesa ka bërë që vendi ynë të ketë peshën më të lartë të ndërtimit në prodhimin e brendshëm bruto në Europë. Me gati 11% të PBB-së, ndërtimi qëndron gati 3 pikë përqindje më lart nga ndjekësi më i afërt, që është Maqedonia. Mali i Zi, Serbia dhe Bosnja kanë qenë më të frenuar në zhvillimin e këtij sektori, që zë mesatarisht 4-6% të PBB-së. Në vendet e Bashkimit Europian, ndërtimi, i maturuar prej vitesh, zë rreth 5.3% të PBB-së.

[1] Formimi i bruto kapitalit fiks (FBKF), përbëhet nga investimet e prodhuesve vendas dhe blerjet minus shitjet, të aseteve fikse gjatë një periudhe të caktuar. Ajo gjithashtu përfshin shtesa të caktuara për vlerën e aseteve jo-prodhuese të realizuara nga aktiviteti prodhues apo njësitë institucionale. Asetet fikse janë asete të prekshme apo të paprekshme të përdorura në prodhim për më shumë se një vit (INSTAT).

/MONITOR/

/portali DurresLajm/

Na bëni like në facebook!: 

Lajme nga e njëjta kategori

   Banka e Shqipërisë ka nisur studimin e nivelit të borxhit që kanë korporatat e mëdha.

Drejtoria e Përgjithshme e Tatimeve në këtë publikim njeh me të drejtat dhe detyrimet e kategorisë së tatimpaguesve: “Person Fizik me xhi

E kanë nisur pak nga pak, por në 2-3 dekadat e fundit shumë sipërmarrje kanë arritur të fuqizohen, të diversifikohen dhe të çajnë në një

Reforma në ndihmën ekonomike ka nxjerrë nga skema më shumë se 29 mijë familje në të gjithë vendin, sipas të dhënave të fundit të INSTAT.

   Qeveria shqiptare do të dalë për herë të tretë në tregjet ndërkombëtare për të marrë borxh nëpërmjet emetimit të një eurobondi.

Autoriteti i Komunikimeve Elektronike dhe Postare (AKEP) ka bllokuar aksesin e 56 faqeve elektronike që ofronin zhvillimin e lojërave onl

Drejtoria e Përgjithshme e Tatimeve, nëpërmjet rubrikës së këshillimit, ka informuar tatimpaguesit  me të drejtat dhe detyrimet e kategor

Një projektligj që është duke u hartuar nga Ministria e Financave synon të ofrojë trajtim të njëjtë si për investitorët vendas dhe ato të

   Të hënën u prezantuan kartëmonedhat e reja 100 dhe 200 euroshe, të cilat pritet të dalin në qarkullim Majin e ardhshëm.

Në 6-mujorin e parë të vitit, ekonomia shqiptare në tërësi gjeneroi 14.4 mijë vende të reja pune, por vetëm 23% e tyre, ose rreth 3,274 v