Teksa ekonomia shqiptare është në trend rritës pasuria financiare e familjeve shqiptare në raport me PBB-në ka pësuar rënie.

Bilanci i familjeve shqiptare publikuar për herë të parë nga Banka e Shqipërisë tregon se pasuria neto e familjeve shqiptare në raport me PBB-në ka pësuar rënie pas vitit 2014. Ndërsa gjatë vitit 2017 shihet që pasuria neto e familjeve shqiptare të ketë rënë edhe në vlera neto.

Sipas të dhënave të Bankës së Shqipërisë pasuria neto financiare e familjeve shqiptare në vitin 2014 ishte sa 113 për qind e PBB-së, në vitin 2017 ajo ishte vetëm 100 % e PBB-së.

Për vitin 2017, pasuria financiare neto e ekonomive familjare vlerësohet në 1557.9 miliardë lekë, nga 1,587.4 miliardë lekë në vitin 2016, me rënie vjetore 2% ose 220 milionë euro më pak.
Për ekonomitë familjare, mjetet financiare në thelb tejkalojnë detyrimet, kryesisht për shkak se të nivelit të lartë të investimeve në formën e depozitave si dhe investimeve në formën e pjesëmarrjeve në kapitalin e korporatave jofinanciare.

Gjithsesi familjet janë të vetmet në ekonominë e përgjithshme me bilanc pozitive në raport me biznesin dhe qeverinë, bilancet e të cilave anojnë nga borxhet. Familjet zotërojnë 33% të totalit të kursimeve financiare të brendshme.
Në fund të vitit 2017, totali i mjeteve financiare të ekonomive familjare, vlerësuar në llogaritë financiare, shënon 1,763 miliardë lekë, nga 1,781 miliardë lekë në fund të 2016.

Instrumenti kryesor përdorur nga ekonomitë familjare është “monedha dhe depozita” (AF. 2), i cili përfaqëson në masën 56.4% mjetet financiare të këtij sektori. Në harkun kohor të një viti, monedha dhe depozitat shënuan një zgjerim me rreth 12 miliardë lekë, duke shënuar nivelin 995 miliardë lekë në fund të 2017.
Ndërsa detyrimet financiare të sektorit të ekonomive familjare vlerësohen në 205.9 miliardë lekë, në rritje prej 11.9 miliardë lekësh (ose 6%) referuar një viti më parë. Huatë mbajnë peshën kryesore në totalin e detyrimeve financiare të këtij sektori (95% të totalit).

Në fund të 2017-s, stoku i huave shënon rreth 195 miliardë lekë, nga 183 miliardë lekë në vitin 2016. Në terma maturiteti, huatë afatshkurtra ranë me 0.3 miliardë lekë, ndërkohë huatë afatgjata, të cilat përbejnë 95% të totalit të huave të ekonomive familjare, u rritën me 12 miliardë lekë ose 7%. Llogari të tjera të pagueshme, në fund të vitit 2017, shënon vlerën e 10.9 miliardë lekëve, duke ruajtur kështu pothuajse të njëjtin nivel të një viti më parë.

/Monitor