Sigurimi vullnetar, si mund të shtohet pensioni i pleqërisë

28/02/2012 - 00:00

 

Derdhja e kontributeve vullnetare sipas kritereve të përcaktuara i lejon aplikuesit të bëhet pjesë e skemës së përfitimeve si pensionet bazë të pleqërie, invaliditetit dhe familjar, si dhe pensione më të larta se niveli bazë. Për të gjitha rastet janë të detajuara edhe masat e kontributeve që duhen derdhur për të shtuar nivelet e përfitimit kur arrihet mosha e daljes në pension. Sipas përcaktimeve të bëra, kjo skemë lejon edhe përfitimet e më shumë të ardhurave që kalojnë edhe në dyfishin e pensionit bazë të pleqërisë

Krahas pagesave bazë skema e pensioneve i lejon përfituesit të kontribuojnë për të siguruar më shumë të ardhura në kohën që lind e drejta e pensionit. Kjo e drejtë arrihet nëpërmjet skemës së sigurimeve vullnetare, e cila mundëson jo vetëm plotësimin e vjetërisë së munguar të punës që nevojitet për të dalë në pension, por edhe për të siguruar më shumë të ardhura sesa ato që lejon skema e sigurimeve të detyrueshme. Ekspertët e sigurimeve bëjnë me dije se derdhja e kontributeve vullnetare sipas kritereve të përcaktuara i lejon aplikuesit të bëhet pjesë e skemës së përfitimeve si pensionet bazë të pleqërie, invaliditetit dhe familjar, si dhe pensione më të larta se niveli bazë, sipas llogaritjeve mbi shumëfishin e pagave të paguara. Për të gjitha rastet janë të detajuara edhe masat e kontributeve që duhen derdhur për të shtuar nivelet e përfitimit kur arrihet mosha e daljes në pension. Sipas përcaktimeve të bëra, kjo skemë lejon edhe përfitimet e më shumë të ardhurave që kalojnë edhe në dyfishin e pensionit bazë të pleqërisë. Në tabelën bashkëngjitur shkrimit do të gjeni të detajuara të gjitha rastet se si mund të bëhen sigurimet për vitet e munguara të punës, duke dredhur kontributet për vitet e munguara.

Lidhur me kategoritë që mund të aplikojnë për të siguruar një pension me të ardhura më të larta sesa ato bazë, specifikohet se “të drejtën për të shtuar të ardhurat e pensionit në rastet kur arrihet mosha e kanë të gjithë personat ekonomikisht aktivë të vetëpunësuar, të punësuar dhe punëdhënësit, të cilët duhet të jenë të siguruar si të tillë në skemën e detyrueshme të sigurimeve shoqërore dhe shëndetësore”. Megjithatë, për të shtuar nivelin e të ardhurave të pensionit ligji përcakton se derdhja e sigurimeve vullnetare për këtë rast mund të bëhet vetëm për vitin korent dhe jo për periudhat e shkuara, siç mund të ndodhë në rastet e tjera.

Pagesat për sigurimin vullnetar për më shumë të ardhura janë të specifikuara sipas kategorive të ndryshme. Kështu, për personat e vetëpunësuar sigurohen me pagë minimale mujore ose shumëfishi i asaj mbi të cilin do të paguajnë kontributet, dhe kjo pagë shumëzohet me 21.6 për qind, pra është sigurim me kuotë fikse 3633 lekë, ose shumëfishi i kësaj kuote. Për të punësuarit që sigurohen me pagë minimale mujore ose shumëfishi i asaj mbi të cilin do të paguajnë kontributet, dhe kjo pagë shumëzohet me 21.6 për qind, pra sigurim me kuotë fikse 3633 lekë ose shumëfishi i kësaj kuote. Kjo lloj pagese do të ndiqet edhe për kategorinë tjetër atë të punëdhënësve, që sigurohen po me pagesën minimale. Njëkohësisht është detajuar edhe procedura që duhet të ndiqet për të derdhur sigurimet vullnetare për më shumë të ardhura. Për këtë bëhet me dije se personi i interesuar duhet të paraqitet në agjencinë lokale të sigurimeve shoqërore të vendit ku ai banon dhe merr kontakt me inspektorin e sigurimit vullnetar, i cili shpjegon listën e dokumenteve që kërkohen për të hapur librezën e kontributeve vullnetare.

SKEMA

Kush përfiton nga sigurimi vullnetar?

Përfitojnë nga kjo skemë të gjithë personat që:

1. Kanë mbushur moshën 18 vjeç dhe ende nuk u ka lindur e drejta për ndonjë përfitim nga skema e sigurimit të detyruar.

2. Për një kohë dhe shkaqe të caktuara nuk mund të sigurohen nga skema e sigurimit të detyrueshëm.

3. Janë të siguruar në skemën e sigurimit të detyrueshëm dhe kërkojnë që nëpërmjet sigurimit vullnetar të rritin të ardhurat e tyre.

4. Nuk janë pjesëmarrës në skemën e të vetëpunësuarve në bujqësi.

SIGURIMI VULLNETAR

Llojet e përfitimeve që sigurohen nëpërmjet skemës

1. duke iu referuar përcaktimeve ligjore, personi që ka paguar kontribut për sigurim vullnetar, pasi plotëson kushtet e përcaktuara në ligjin nr. 7703, datë 11.05.1993 “Për sigurimet shoqërore në Republikën e Shqipërisë”, i ndryshuar, është përfitues sipas rastit:

- i pensionit bazë të pleqërisë;

- i pensionit të pjesshëm të pleqërisë;

- i pensionit të reduktuar të pleqërisë;

- i pensionit të invaliditetit;

- i pensionit të pjesshëm të invaliditetit.

2. Personi i siguruar për vitin korent dhe që ka paguar kontribute deri në nivelin maksimal, pasi plotëson kushtet e ligjit nr. 7703, datë 11.05.1993 “Për sigurimet shoqërore në Republikën e Shqipërisë”, i ndryshuar, është përfitues sipas llogaritjeve:

- i pensionit të pleqërisë mbi kufirin e pensionit bazë;

- i dyfishit të pensionit bazë të pleqërisë.

3. Në sigurimin vullnetar, pasi janë plotësuar kushtet e ligjit nr. 7703, datë 11.05.1993 “Për sigurimet shoqërore në Republikën e Shqipërisë”, i ndryshuar, bën pjesë edhe pensioni familjar.

Me sigurim vullnetar mbulohen katër fusha të kësaj skeme:

1. Sigurim vullnetar për vitin korent.

2. Sigurim vullnetar për periudha të kaluara.

4. Sigurim vullnetar për më shumë të ardhura.

5. Sigurim vullnetar për degët e tjera të sigurimit.

Sigurimi vullnetar për vitin korent

Sigurim vullnetar për vitin korent mund të paguajnë të gjithë shtetasit shqiptarë që:

- Kanë mbushur moshën 18 vjeç deri në arritjen e moshës për pension.

- Nuk mund të sigurohen në sistemin e sigurimit të detyrueshëm.

- Nuk mund të sigurohen në sistemin e të vetëpunësuarve në bujqësi.

- Nuk u ka lindur e drejta për ndonjë përfitim nga skema e sistemit të detyruar.

MASA E KONTRIBUTIT

Sa duhet derdhur për vitin korent

1. Masa e kontributit që duhet të paguhet për sigurimin vullnetar nga personi i interesuar është e barabartë me masën që paguhet për degën e pensioneve, sipas pagës për efekt kontributesh të miratuar në periudhën kur bëhet pagesa.

2. Pagesa aktuale për një muaj sigurim vullnetar është 3633 lekë, që i korrespondon pagës minimale mujore: 16 820 lekë x 21.6 për qind. Për pagesat paradhënie aplikohen zbritje në varësi të kohës kur bëhet pagesa. Kështu, nëse do të parapaguani për vitin në vijim në fillim të periudhave, do të ketë zbritje:

- 6% mbi shumën për një pagesë vjetore (me kusht që pagesat të bëhen brenda muajit janar);

- 3% mbi shumën për një pagesë 6-mujore (me kusht që pagesat të realizohen përpara fillimit të periudhës 6-mujore, që do të mbulohet me sigurim vullnetar);

- 1.5% mbi shumën për një pagesë 3 mujore (me kusht që pagesat të bëhen përpara fillimit të periudhës 3-mujore, që do të mbulohet me sigurim vullnetar).

3. Por pagesat e vitit korent mund të bëhen edhe me shumëfishin e kuotës minimale mujore (3633 lekë) deri në pesëfishin e saj.

Sigurim vullnetar për periudha të kaluara, kategoritë që përfitojnë

1. Shtetasit shqiptarë që kanë mbushur moshën 18 vjeç dhe që nuk u ka lindur e drejta për ndonjë përfitim nga skema e sistemit të detyruar.

2. Shtetasit shqiptarë meshkuj për periudhën e studimeve pasuniversitare.

3. Shtetasit shqiptarë që kanë periudha të pambuluara nga sistemi i sigurimit të detyrueshëm dhe dëshirojnë t’i plotësojnë ato nëpërmjet sigurimit vullnetar.

4. Personat që kanë lënë shtetësinë shqiptare mund të bëjnë sigurim vullnetar për mbulimin e periudhave të kaluara nga data 1.01.1994 deri më datën që kanë lënë shtetësinë.

PERIUDHAT E SHKUARA

Masa e kontributit për sigurim vullnetar

1. Masa e kontributit që duhet të paguhet për sigurim vullnetar nga personi i interesuar për mbulimin e periudhave të kaluara përcaktohet nga koha kur bëhet pagesa (aplikohet masa që është në fuqi në kohën e pagesës, masë e cila miratohet me VKM për degën e pensioneve).

2. Pagesa aktuale për të mbuluar periudha të kaluara bëhet vetëm në kuotën minimale dhe është 3633 lekë për një muaj sigurim vullnetar. Kjo kuotë i korrespondon pagës minimale mujore: 16 820 x 21.6 për qind. Në këto pagesa nuk aplikohen zbritje.

Shembull. Shtetasi A.D. ka gjithsej 15 vjet periudhë kohore, të ndarë në 12 vjet periudhë sigurimi dhe tre vjet të pambuluar me sigurim. Ai dëshiron t’i mbulojë këta tre vjet me sigurim vullnetar. Masa e kontributit që do të paguhet nga shtetasi A.D do të jetë e barabartë me pagesën aktuale mujore për sigurim vullnetar, e cila aplikohet e tillë për gjithë periudhën trevjeçare. Më konkretisht, pagesa aktuale për një muaj sigurim vullnetar është 3 633 lekë x 12 muaj x 3 vjet = 130 788 lekë(për tre vjet).

Përfitimet nga sigurimi vullnetar për periudhat e kaluara

Nga kjo skemë aplikuesit mund të përfitojnë:

- Vjetërsi pune, e cila influencon në plotësimin e kushteve për të përfituar një pension.

- Pension pleqërie, invaliditeti dhe familjar në nivel minimal.

/portali DurresLajm/

Na bëni like në facebook!: 

Lajme nga e njëjta kategori

Stoku i kredisë që banorët e Durrësit kanë marrë për blerje banesash në fund të tremujorit të tretë të këtij viti ishte 8.8 miliardë lekë

Bizneset në zonat e prekura nga tërmeti kanë kaluar një javë të vështirë, teksa shumë prej tyre ose kanë parë dëmtim të rëndë të ambiente

Qyteti i Durrësit u godit rëndë nga tërmeti mëngjesin e 26 nëntorit, ku për fat të keq u shënuan edhe jetë të humbura, përveç dëmeve ende

Ministria e Financave do të rishikojë buxhetin e shtetit përmes një akti normativ që në thelb lehtëson nga taksimi bizneset që dhurojnë p

Pagën më të lartë mesatare për një të punësuar në raport me qarqet e tjera gjatë vitit 2018 sipas të dhënave të INSTAT e ofrojnë qarqet e

Hapja e pikës doganore të Kosovës në Portin e Durrësit të Shqipërisë, sipas autoriteteve në Prishtinë, ka ndikuar në rritjen e importit t

Banka Europiane për Rindërtim dhe Zhvillim (BERZH) në raportin e fundit të Tranzicionit 2019-2020 është treguar e ashpër ndaj projekteve

Me krizën ekonomike dhe situatën e paqartë politike, shpresat që një ditë shqiptarët të kenë të ardhura sa vendet më të zhvilluara të gru

Të dhënat për kontratën koncesionare me Partneritet -Publik -Privat për ndërtimin e rrugës, Milot -Balldren nga kompania ANK janë falsifi