Tarifat e ulëta, mineralet bllokojnë portin

19/03/2012 - 00:00

 

Eksportuesit e hekurit dhe kromit kanë marrë një sipërfaqe të konsiderueshme me qira në kalatën lindore të portit të Durrësit, duke paguar vetëm 2 lekë për metër katror. Kjo bën që të mos e prekin “malin” me minerale për muaj të tërë, derisa bursa të arrijë në kuota që u leverdisin pronarëve të mallit. Kështu porti është shndërruar në qiradhënës dhe jo në përdorues, teksa mineralet janë edhe nga burimet më të mëdha të ndotjes në qytetin bregdetar

Mbi 300 mijë tonë minerale, si hekur, krom dhe derivatet e tij, qëndrojnë për periudha disa mujore në kalatën lindore në portit të Durrësit. Kompanitë favorizohen edhe nga tarifat e ulëta të Autoritetit Portual të Durrësit, duke bërë që në këtë zonë problematika e ndotjes mjedisore të jetë evidente. Bëhet fjalë për një sipërfaqe rreth 100 hektarë tokë në të cilën tarifa portuale për depozitimin e mineraleve është vetëm 2 lekë për metër katror. Pikërisht duke përfituar nga një tarifë e tillë e ulët, eksportuesit pushtojnë sipërfaqe të konsiderueshme dhe eksportojnë mineralet vetëm kur bursa i favorizon në çmim. Janë afro 45 kompani të cilat eksportojnë minerale të ndryshme drejt vendeve europiane dhe aziatike. Kryesisht vendi ynë eksporton mineralet si kromi, bakri, koksi etj.

Përafërsisht në muajt e parë të vitit 2012 është shënuar një rritje e konsiderueshme e eksportit të mineraleve me rreth 200 mijë tonë. Këtë fakt e konfirmojnë burime pranë Autoritetit Portual të Durrësit. Bazuar në statistikat e para të këtij fillim viti, rezulton se eksportet vijojnë të kenë rritje, ndërsa importet një rënie relativisht të lehtë në krahasim me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar.

Mineralet që eksportohen janë: krom dhe derivatet e tij si ferrokrom, mineral hekuri (tremujorin e fundit të vitit 2011 ka filluar eksporti dhe janë bërë rreth 150.000 mijë tonë). Importohet hekur nikel, ku në vitin 2012 deri mesin e muajit mars, janë përpunuar rreth 77 mijë tonë. Në një prononcim  për gazetën “Dyrrah” nëndrejtori i Autoritetit Portual të Durrësit, Bujar Dhima, tha se në port operojnë  afërsisht 40-45 kompani që marrin në shfrytëzim sheshe me qira në pjesën lindore, duke përpunuar dhe eksportuar minerale me kontenierë.

Në të njëjtën kohë, janë 3 kompani stevadore të licencuara për operacionet e ngarkim-shkarkimit të mallrave të përgjithshme dhe rifuxho. Këto kompani importojnë dhe eksportojnë gjithashtu minerale rifuxho. Sheshi pranë kalatave nuk jepet me qira kompanive që zotërojnë mineralet, por kompanive stevadore që bëjnë përpunimin e anijeve. Kompanitë që zotërojnë mineralet marrin sheshe jo pranë kalatave, por në pjesën lindore të portit duke filluar me pagesë që ditën e parë të lidhjes së kontratës.

Kromi bllokon investimet

Shqipëria eksporton rreth 3 milionë ton minerale në vit dhe është një prej tre vendeve më të pasura në botë me mineralin e kromit. Këtë vit, Autoriteti Portual i Durrësit ka një kontratë për eksportin e 1 milionë tonë mineraleve drejt Kinës, ndërsa rreth 250 mijë tonë janë eksportuar gjatë gjithë vitit 2011. Realizimi i kësaj kontrate do të rrisë volumin e eksportit të mineraleve brenda vitit në masën 30 për qind, mirëpo janë shfaqur probleme.

Sasia e parë prej 52 mijë tonësh u ngarkua në një anije gjigante në dy kohë. Afro 27 mijë tonë u ngarkuan në kalatën lindore dhe 25 mijë tonë të tjera në radë, nga dy anije të tjera, përgjatë dy ditëve. Prej asaj kohe kompania kineze, nuk ka importuar më sasi tjetër nga porti i Durrësit. Kompanitë shqiptare të mineraleve, duke parë kërkesën e lartë të kompanisë aziatike, kanë depozituar aktualisht rreth 300.000 mijë tonë mineral hekuri, por që ka mbetur stok. Kjo situatë po mban peng kalatën lindore nga mijëra ton minerale të depozituara aty prej muajsh, ndërsa 45 kompani eksportuese të mineraleve kanë ndaluar aktivitetin e tyre.

Kompanitë kineze të interesuara për mineralet shqiptare, kërkojnë deri në tre milionë tonë, por problemi qëndron se në port mund të futen vetëm anije të tonazhit të vogël, ndërsa transporti me anije të vogla deri në Azinë e largët është kosto shumë e madhe. Ky është një penalizim për biznesin, industrinë minerare, transportuesit dhe eksportuesit, sepse anijet e tonazhit të rëndë nuk mund të hyjnë në portin e Durrësit, ndërsa mineralet nuk mund të transportohen me anije të vogla për shkak të kostos së madhe.

Në këto kushte një paralajmërim i fuqishëm vjen nga Autoriteti Portual i Durrësit, që ka paralajmëruar se sheshet e depozitimit të mineraleve, do t’i kalojë në përdorim të operatorëve. Burime pranë APD-së bëjnë me dije se sheshet në port do të shkojnë drejt përdorimit dhe jo depozitimit, çka do të thotë se kompanitë eksportuese duhet të nisin të bëjnë llogari të tjera për mineralet e tyre që qëndrojnë stok prej muajsh.

 

100 hektarë tokë janë të bllokuara nga mbi 300 mijë ton mineral krom (dhe derivate të tij), nikel, hekur, etj,. Në këtë sipërfaqe, tarifa portuale për depozitimin e mineraleve është vetëm 2 lekë për metër katror. Firmat shfrytëzojnë rastin e tarifave të ulëta që ka Shqipëria për të kryer këtë biznes

Drejtori i Autoritetit Portual Durrës, Eduard Ndreu tha se porti është një vend i cili i shërben të gjithë operatorëve privatë, edhe atyre të mineraleve të ndryshme që synojnë që nëpërmjet këtij porti të kryejnë procesin e tyre të transportit. Tendenca është që në vitin 2012 sheshet do të jenë në përdorim dhe jo në funksion të depozitimit. Diferenca është se sheshet e depozitimit jepen me qira afatgjatë, ndërsa planifikimi është që do të jepen në përdorim me afat të shkurtër, siç ndodh me operatorët e tjerë që kryejnë aktivitet tregtar me portin e Durrësit.

Sipas drejtuesve të portit, problemi i madh qëndron në faktin se transporti po kryhet me sasi të vogla, ndërsa tregu kërkon që transporti të bëhet nga operatorë të mëdhenj dhe të fuqishëm.

Debitorët

Nga 45 kompani që kanë licencën e eksportit të mineraleve, debitorë janë shumë pak firma me vlera relativisht të vogla. “Janë dy ose tre kompani debitore, me vlera shumë të vogla, por në çdo rast ka penalizime, dhe porti në rast se nuk kanë shlyer të gjitha detyrimet e tyre, nuk u jep të drejtën e depozitimit të mineraleve, shpjegon nëndrejtori Dhima.

Aktualisht në kalatën lindore presin rreth 300.000 mijë tonë të eksportohen si me konteinerë apo direkt me anije. Gjendja aktuale paraqitet e tillë, duke mos patur kohë mesatare pritje, pasi varet nga kontratat  dhe çmimi i bursës”. Ai nënvizon faktin se kompanitë eksportuese nuk kanë afat për të larguar mineralet e depozituara për aq kohë sa paguajnë tarifat portuale.

Profilizim shërbimesh

Specialisti i detarisë, aktualisht deputet në parlament dhe anëtar i komisionit të ekonomisë, Osman Metalla, kohë më parë pati deklaruar se ka ardhur koha që në Shqipëri të riformatohet zhvillimi i porteve. “Në 400 km vijë bregdetare duhet të ngrihen porte të specializuara për kontenierët, për pasagjerët, për karburantet, për qymyrin, për peshkimin si dhe për turizmin e jahteve. Profilizimi i porteve, do t’i jepte ekonomisë kombëtare impulse të reja zhvilluese”.  

Ndër të tjera Metalla argumentoi se nuk mund të mendohet që qymyri, çimentoja që pritet të eksportojë Shqipëria pas pak vitesh si dhe mineralet rifuxho të hyjnë apo të dalin nga porti i Durrësit që ndodhet në zemër të qytetit, pasi aty prodhohen pluhura, trafik dhe zhurma. Duhen shfrytëzuar për këtë orientim portet periferike. “Porti i Durrësit pritet të profilizohet në të ardhmen në dy drejtime: transport pasagjerësh dhe kontenierësh, ndërsa sektori i turizmit pritet të zhvendoset në Rodon, mineralet rifuxho, çimentoja, qymyri dhe karburantet do të importohen apo eksportohen nga porti i Porto-Romanos” tha Metalla.

APD

“Boom” anijesh në kalata

Përpunimi ka vijuar me ritme pozitive  për mallrat dhe konteinerët, dy shërbime për të cilat është i specializuar shërbimi dhe infrastruktura. Në kalatat e portit të Durrësit po përpunohen gjashtë anije tregtare me afro 51.000 mijë ton mallra në total. Bëhet e ditur nga burime pranë APD-ës se në ditët ne vazhdim pritet të ankorohen tre anije të tjera. Anija tregtare “Royal Fenix” do të shkarkojë brenda dy ditësh një sasi prej 29.650 mijë ton qymyr në kalatën numër 11, ndërsa në kalatat 4, 7 dhe 10 anijet anijet “Kazime Ana”, “Kneo” dhe “Noah” po shkarkojnë 7.000 mijë ton hekur dhe 5.350 mijë ton hekur nikel. Anija “St. Costantine”, e ankoruar në kalatën 5/B përfundon shkarkimin e afro 4.200 mijë ton llamarina. Sipas të dhënave të dispeçerisë së portit, e vetmja anije që po ngarkohet është “Adam S”, e cila do të transportojë jashtë vendit 4.600 ton çimento me paleta. Në portin detar do të ankorohen  anijet tregtare “Haj armin” që do të ngarkojë 5.300 ton çimento, si dhe “Medazov Viktoria”, e cila sjell 75 konteinerë me mallra. Sipas dokumentacioneve paraprake tre anijet e tjera pritet të sjellin 6.600 mijë ton qymyr dhe 1.650 mijë ton superfosfat, ndërsa njëra prej tyre do të ngarkohet me 2.500 mijë ton çimento të prodhuar në vendin tonë. Gjatë periudhës janar-shkurt të 2012 në kalatat e portit u përpunuan 482 mijë ton mallra gjithsej. Gjatë së njëjtës periudhë, tragetet transportuan drejt porteve të Italisë dhe anasjelltas afro 90.000 mijë udhëtarë dhe 31.500 automjete në total.

THELLIMI

Aprovohen 11.5 milionë euro kredi

Zbatimi i projektit për thellimin e portit të Durrësit është shtyrë për në fund të këtij viti. Autoriteti Portual i Durrësit kishte planifikuar nisjen e punimeve këtë pranverë, por janë shfaqur probleme. Banka e nivelit të dytë “Intesa San Paolo” i ka kthyer së fundi përgjigje pozitive kërkesës së Autoritetit Portual të Durrësit, për një kredi që mban shifrën e 11.5 milionë eurove. Zyrtarë të lartë të APD-së kanë konfirmuar për gazetën “Dyrrah” se deri në fund të muajit prill do të firmoset kontrata me bankën e nivelit të dytë për marrjen e kredisë, ndërkohë që nuk janë bërë të ditur ende kushtet e kësaj kredie, e cila paraprakisht është kërkuar pa patur garanci nga pala APD. Të ardhurat maksimale të APD-së kapin shifrën e 20 milion eurove në një vit, dhe nuk do të ketë garanci nga qeveria dhe as nga Autoriteti Portual në lidhje me kredinë e kërkuar. Pjesa tjetër prej 4.5 milionë euro mbetet të financohet nga Autoriteti Portual nga të ardhurat e tij. Autoriteti Portual Durrës iu drejtua 6 bankave të nivelit të dytë, por vetëm njëra prej tyre mori përsipër dhënien e kredisë, duke aplikuar norma të larta interesi. Prej muajit shtator të vitit të shkuar, projekti nuk gjente financues, duke mos marrë asnjë konfirmim nga ana e Bankës Botërore dhe BERZH-it, të cilët kanë në proces financimi disa projekte të tjera në portin e Durrësit.  

/portali DurresLajm/

Na bëni like në facebook!: 

Lajme nga e njëjta kategori

Banka Europiane për Rindërtim dhe Zhvillim (BERZH) në raportin e fundit të Tranzicionit 2019-2020 është treguar e ashpër ndaj projekteve

Me krizën ekonomike dhe situatën e paqartë politike, shpresat që një ditë shqiptarët të kenë të ardhura sa vendet më të zhvilluara të gru

Të dhënat për kontratën koncesionare me Partneritet -Publik -Privat për ndërtimin e rrugës, Milot -Balldren nga kompania ANK janë falsifi

Pagat në ekonomi pritet të rriten me ritme më të përshpejtuara vitet në vijim për shkak të ndryshimeve strukturore në tregun e punës.

Individët, që punojnë në më shumë se një punë, duhet të përgatiten që të paguajnë më shumë tatim mbi të ardhurat.

Gjatë kësaj jave monedha e përbashkët europiane ka vijuar që të humbasë pikë përkundrejtë lekut vendas.

Kreu i komisionit të Ekonomisë, Arben Ahmetaj është treguar kritik ndaj buxhetit të vitit 2020, i cili u prezantua nga ministrja e Financ

Shqipëria bashkë me shtetet afrikane Sierra Leonen dhe Laon kryesuan listën globale të vendeve më të korruptuara sipas këndvështrimit të

Edhe gati 3 dekada pas kalimit në ekonominë e tregut, shqiptarët, që jetojnë në një vend të bekuar nga zoti, me bukuri të shumta e pasuri

Instituti i Sigurimeve Shoqërorë parashikon se në tre vitet e ardhshme 2020-2022 numri i pensionistëve që shtohen në skemën e sigurimeve