Moslëshimi i faturës tatimore, dëftesës tatimore apo і faturës tatimore me TVSH, dënohet me gjobë të barabartë me 100% të tatimit të padeklaruar. Ky informacion, i publikuar në rubkrikën e “Tatimet këshillojnë” u drejtohet të gjithë taksapaguesve, të cilët duhet të bëjnë kujdes me moslëshimin e faturës dhe dëftesës tatimore.

Tatimi dhe kamatëvonesat përkatëse llogariten dhe paguhen në përputhje me dispozitat e ligjit nr. 9920, date 19.05.2008 “Për procedurat tatimore në Republikën e Shqipërisë”, i ndryshuar apo i ligjeve specifike tatimore.

Për tatimpaguesit që kryejnë shkelje të përsëritur të moslëshimit të faturës, përveç penalitetit si më sipër, gjithashtu ndërmerren edhe masa të tjera:

• Tatimpaguesi që nuk është i regjistruar për TVSH-në, në momentin kur konstatohet shkelja e përsëritur, regjistrohet për TVSH-në;
• Tatimpaguesi i regjistruar për TVSH-në dhe Tatimin e Thjeshtuar të Fitimit, në momentin kur konstatohet shkelja e përsëritur, regjistrohet për Tatimin mbi Fitimin;
• Tatimpaguesi i Tatimit mbi Fitimin përfshihet menjëherë në listën e subjekteve me risk për efekt të analizës së riskut.

Në rast konstatimi të mospërmbushjes së detyrimit për lëshimin e dokumenteve tatimore, tatimpaguesit i llogaritet TVSH-ja në masën që ky mall do të tregtohej me pakicë për konsumatorin final, si dhe dënohet me gjobë në masën 100% të vlerës së TVSH-së të llogaritur që i përket vlerës së shitjeve, që tejkalojnë kufirin e lejuar për shitjet me kupon tatimor.

Mosmarrja e kuponit tatimor

Blerësi ose përfituesi i shërbimit, i cili gjatë kontrollit rezulton se nuk disponon kupon tatimor për mallrat ose shërbimet e blera, në një distancë jo më shumë se 30 metra nga vendi i daljes së njësisë së shitjes së mallit ose shërbimit, dënohet me një gjobë prej 1 000 lekë.Konstatimi, shqyrtimi dhe dënimi i shkeljes bëhet nga organet e administratës tatimore të juridiksionit, ku kryhen shkeljet.

Pengimi i kontrollit ose i hetimit tatimor

Tatimpaguesi i cili, në mënyrë të drejtpërdrejtë apo të tërthortë, pengon ushtrimin e të drejtave të Administratës Tatimore për kontrollin apo hetimin tatimor, dënohet me një gjobë prej 100,000 lekë për biznesin e vogël dhe 1,000,000 lekë për bizneset e tjera.

Në rast se organet tatimore kanë të dhëna të besueshme se tatimpaguesi fsheh informacione për gjendjen e tij ekonomike-financiare, organet tatimore kanë të drejtë që në mjediset e ushtrimit të veprimtarisë së tij, t’i sekuestrojnë dokumentacionin tatimor, pajisjet kompjuterike dhe fiskale, si dhe mjete të tjera të mbajtjes së dokumentacionit të tatimpaguesit, që përmbajnë apo mund të përmbajnë informacion tatimor dhe që ka të bëjnë me të ardhurat, shpenzimet, aktivet dhe pasivet, si dhe marrëdhëniet financiare me palë të treta.