Drejtoria e Përgjithshme e Tatimeve ka sjellë në vëmendjen e tatimpaguesve se Ligji nr. 33/2017 datë 30.03.2017, “Për pagesën dhe fshirjen/shuarjen e detyrimeve tatimore dhe detyrimeve të pagueshme në doganë, si dhe procedura e heqjes nga qarkullimi të mjeteve të transportit pas fshirjes/shuarjes së detyrimeve tatimore” ka hyrë në një fazë të rëndësishme të implementimit.

Ligji parashikon heqjen e gjobave për mosdeklarim në afat, për deklaratat e padorëzuara të çdo periudhe tatimore me kushtin që çdo deklaratë e padorëzuar të dorëzohet elektronikisht deri në datën 30.06.2017.

Tatimpaguesi duhet të dorëzojë elektronikisht deklaratat e çdo periudhe tatimore, pavarësisht vitit të cilit i përkasin deklaratat e padorëzuara apo llojit të tyre.

Ligji i faljes

Në datën 6 maj 2017, ka hyrë në fuqi ligji nr.33/2017, datë 30.03.2017 “Për pagesën dhe fshirjen/shuarjen e detyrimeve tatimore, detyrimeve të pagueshme në doganë, si dhe procedurën e heqjes nga qarkullimi të mjeteve të transportit pas fshirjes/shuarjes së detyrimeve tatimore”.

Ju sjellim në vëmendje që përfitues nga ky ligj janë tatimpaguesit e regjistruar në regjistrin aktiv dhe atë pasiv ,me përjashtim të atyre që janë dënuar me vendim gjyqësor të formës së prerë për vepra penale në fushën tatimore dhe/ose doganore, në kuptim të legjislacionit të fushës.

DPT ju bën me dije se:

  • Në zbatim të dispozitave të ligjit të lartpërmendur shumë shpejt do të miratohet dhe publikohet Udhëzimi i Ministrit të Financave, në të cilin më hollësisht do të përcaktohet edhe procedura që do të ndiqet.

Njëkohësisht, Drejtoria e Përgjithshme e Tatimeve, ka përgatitur një plan veprimi për zbatim nga të gjitha strukturat e saj të përfshira në këtë proces. Nga korrespondenca dhe komunikimi i deritanishëm, konstatojmë që interesi i tatimpaguesve për të përfituar nga lehtësitë e këtij ligji është i lartë, ndaj dhe gjejmë rastin të kujtojmë se:

  • Për të gjithë tatimpaguesit që përfshihen nga fusha e zbatimit të këtij ligji, me kushtin që gjobat dhe kamatëvonesat e të cilëve, fshihen pas pagesës së detyrimeve tatimore dhe detyrimeve të kontributeve të sigurimeve shoqërore e shëndetësore, e drejta e pagesës së këtyre detyrimeve (principalit) ju lind nga data 8 Maj 2017.
  • Duke filluar nga dita e hënë, 8 Maj 2017, administrata tatimore, fton dhe nxit tatimpaguesit, që të ushtrojnë të drejtën e përfitimit nga ky ligj, duke shlyer detyrimet financiare të cilat ligji i kërkon si kusht paraprak.

Me paraqitjen e pagesave të detyrimeve të prapambetura, në mënyrë të menjëhershme, sipas kërkesës së tyre, tatimpaguesve do t’u jepet konfirmimi sipas të cilit ata nuk kanë më detyrime kundrejt administratës tatimore.

Për çdo paqartësi të gjithë tatimpaguesit, mund të drejtohen pranë zyrave të drejtorive rajonale tatimore ku janë regjistruar.

Kujtojmë se:

Fshihen/shuhen pa kusht

-Detyrimet tatimore të papaguara, që i përkasin periudhave tatimore Dhjetor 2010 e më parë, përveç kontributit të sigurimeve shoqërore e shëndetësore, si dhe rasteve kur parashikohet ndryshe në ligj.

-Dënimet administrative (gjobat) dhe kamatëvonesat për sigurimet shoqërore e shëndetësore, që rezultojnë të regjistruara në llogarinë e subjektit.

Fshihen/shuhen me kusht:

Gjobat dhe kamatëvonesat, që rezultojnë të papaguara në datën e hyrjes në fuqi të këtij ligji, me kushtin që, brenda datës 31.12.2017, të paguhet i plotë tatimi/taksa/kontributi për:

detyrimet tatimore, që u përkasin periudhave tatimore janar 2011-Dhjetor 2014, duke u aplikuar sipas llojit të tatimit;

kontributet e sigurimeve shoqërore dhe shëndetësore, që u përkasin periudhave tatimore Janar 2011-Dhjetor 2014;

taksat të papaguara, që u përkasin periudhave tatimore Janar 2011-Dhjetor 2014.

detyrimet tatimore të papaguara (me përjashtim të kontributeve të sigurimeve shoqërore dhe shëndetësore, si dhe të detyrimeve të vetdeklaruara dhe të papaguara) të shoqërive me kapital 100 për qind shtetëror,që operojnë në sektorin elektroenergjetik , që i përkasin periudhave tatimore nga 1.1.2011 deri më 31.12.2013.Për detyrimet e këtyre shoqërive për periudhën Janar deri në Dhjetor 2014, fshihen/shuhen gjobat dhe kamatëvonesat që rezultojnë të papaguara në datën e hyrjes në fuqi të këtij ligji, me kushtin që brenda datës 31.12.2017 të paguhet i plotë tatimi/taksa/tarifa/kontributi;

detyrimet tatimore të papaguara, me përjashtim të kontributeve të sigurimeve shoqërore dhe shëndetësore, të shoqërive që operojnë në sektorin ujësjellës-kanalizime dhe janë 100 për qind me kapital shtetëror, që u përkasin periudhave tatimore nga 1.1.2011 deri më 31.12 2013.

Gjobat dhe kamatvonesat për kontributet e sigurimeve për këto periudha fshihen/shuhen, me kusht që brenda datës 31.12.2017 të paguhet i plotë kontributi. Për detyrimet e këtyre shoqërive për periudhën Janar deri në Dhjetor 2014, fshihen/shuhen gjobat dhe kamatëvonesat që rezultojnë të papaguara në datën e hyrjes në fuqi të këtij ligji, me kushtin që brenda datës 31.12.2017 të paguhet i plotë tatimi/taksa/tarifa/kontributi.

/MONITOR/