Kur një rrethanë financiare pengon tatimpaguesin për të paguar në afat detyrimet tatimore, ai mund të lejohet të lidhë në çdo kohë marrëveshje pagesë me këste. Drejtoria e Përgjithshme e Tatimeve ka unifikuar procedurën e pagesës së borxhit tatimor me këste. Tatimpaguesi, duhet të vërtetojë që është në kushtet e pamundësisë financiare për të paguar të plotë detyrimin tatimor, si dhe të tregojë që pavarësisht nga rrethana financiare, ai është në gjendje të përmbushë marrëveshjen.

Dokumentet që duhen

1. Kërkesë me shkrim.
2. Dokument pagese për 20% të vlerës së detyrimit ose garanci bankare (Dokumenti i pagesës paraqitet nga subjekti në rastin kur Tatimpaguesi e kërkon këtë shërbim menjëherë ose pas një elite që ka kryer pagesën e 20%).
3. Kartë identiteti.

Hapat e procedurës:
-Dorëzohet kërkesa me shkrim pranë DRT përkatëse.
-Punonjësi përgjegjës verifikon situatën e tatimpaguesit.
-Hartohet marrëveshja sipas kushteve përkatëse.
-Tatimpaguesi detyrohet të paguajë menjëherë të paktën njezet për qind të vlerës së detyrimit, për të cilin lidhet marrëveshja ose të vendosi garanci bankare.
-Afati i ofrimit të shërbimit; 10 ditë kalendarike.

Nëse kërkesa pranohet, nënshkruhet marrëveshja për pagesë me këste të detyrimeve tatimore të papaguara. Kjo marrëveshje nënshkruhet nga tatimpaguesi dhe nga drejtori i drejtorisë rajonale të tatimeve ose drejtuesi i njësisë së ngjashme me të, vetëm nëse tatimpaguesi paguan menjëherë 20% të vlerës së detyrimit, për të cilin lidhet marrëveshja e pagesës me këste.

Administrata Tatimore ndërpret masat e mbledhjes me forcë, të mbledhjes së detyrimeve tatimore, por ajo nuk tërheq masën e vendosur për të siguruar pagesën e detyrimit tatimor.
Nënshkrimi i një marrëveshjeje për pagesën me këste të një detyrimi tatimor, nuk ndërpret llogaritjen e kamatëvonesave për mospagim në afat të detyrimit tatimor të mbetur papaguar.

Tatimpaguesi, ndaj pasurisë së të cilit ka dalë një vendim për vendosjen e masave të sigurisë qoftë në formën e barrës së sigurisë apo barrës hipotekore, në rastet kur pretendohet se zbatimi i masave të sigurisë nuk është ekzekutuar në mënyrë të rregullt, ka të drejtë të paraqesë ankesë pranë Drejtorisë Rajonale Tatimore. /Monitor/