Në Shqipëri, dy tërmetet e vjeshtës së kaluar dhe pandemia Covid-19 kanë dëmtuar ndjeshëm edhe sipërmarrjet e drejtuara nga gratë.

Sipas një studimi të shoqatës “Together for Life”, tërmetet dhe pandemia ndikuan negativisht në 80 për qind të bizneseve të administruara nga zonjat.

Ato u detyruan të reduktojnë punëtorët dhe prodhimin, apo edhe të mbyllen përkohësisht.

Studimi “Klima e biznesit dhe ndikimi te gratë sipërmarrëse pas dy tërmeteve dhe pandemisë” bazohet në intervistat me 200 gra biznesmene në Tiranë, Durrës dhe Lezhë, të cilat janë 3 zonat më shumë të goditura nga tërmeti, si dhe 3 qarqet ku janë përqëndruar sipërmarrjet e drejtuara nga zonjat, afro gjysma e të cilat gjenden në kryeqytet.

Sipas studimit, më shumë se 8 nga 10 ndërmarrje të drejtuara nga zonjat u ndikuan negativisht nga dy tërmetet dhe nga Covidi. Më shumë janë dëmtuar bizneset e zonjave në Durrës dhe Lezhë.

Një pjesë e madhe këtyre bizneseve pësuan ulje të fitimeve dhe xhiros, ndërsa 1 në 3 ndërmarrje pezulluan përkohësisht veprimtarinë, thotë Alma Lahe, një nga bashkautoret e studimit.

Studimi nxori se një në 4 biznese të drejtuara nga zonjat pësuan dëmtime materiale në fabrika, dyqane, zyra e magazine.

Një në 5 ndërmarrje kanë ulur numrin e punonjësve paralelisht me vëllimin e prodhimit.

Gjatë fazës së parë të pandemisë mars-qershor gjysma e ndërmarrjeve të drejtuara nga gratë bllokuan plotësisht veprimtarinë ose e pezulluan atë.

Gjysma e këtyre sipërmarrjeve pësuan ulje të fitimeve dhe të xhiros. Një në tre prej tyre hasën vështirësi për të shyer detyrimet ndaj shtetit dhe palëve të treta, ndërsa 3 nga 10 shtuan shpenzimet për të plotësuar kushtet higjeno-sanitare dhe dezinfektimeve.

Gratë sipërmarrëse kërkuan një vëmendje më të madhe nga shteti për ndërmarrjet e tyre të vogla e të reja, si dhe ndaj biznesve më të mëdha me shumë punëtorë.

Shumica e tyre kërkojnë lehtësimin e barrës fiskale, ose reduktimin e TVSH-së dhe taksave qendrore e vendore, të paktën për 6-12 muaj.

Nga intervistat doli se 4 në 10 gra sipërmarrëse kërkojnë reduktimin e kontributeve shoqërore e shëndetësore për punonjësit, lehtësime për qeranë dhe kredi të buta, si dhe grante e subvensione.

Pjesa më e madhe e barrës së krijuar nga pandemia u shkarkua mbi punonjësit. Një në 5 ndërmarrje shkurtuan punonjësit ose ulën pagat e tyre.

Edhe pse kanë kaluar 6 muaj nga miratimi i paketës së plotë fiskale e qeverisë për të ndihmuar popullatën dhe biznesin e dëmtuar nga tërmeti, vetëm një në 5 ndërmarrje pohuan se kanë marrë mbështetje nga qeveria qendrore apo vendore.

Pjesa më e madhe e tyre pohuan se nuk kanë marrë asnjë lloj mbështetje, edhe pse u ndikuan fort nga tërmeti.

Ndërsa gjatë pandemisë një në 3 gra sipërmarrëse pohoi se nuk ka marë asnjë mbështetje, megjithë pasojat e rënda nga pandemia Covid.

Një në 5 biznese pohuan se kanë marrë ndihmën prej 400 dollarësh për periudhën 3-mujore prill-qershor, ndërsa 1 në 7 biznese pohoi se ka marrë pagën e luftës prej 250 dollarësh.

Gjysma e këtyre bizneseve parashikojnë ulje të xhiros dhe fitimeve për periudhën e pandemisë maj-tetor, një në 4 prej tyre pritet të ulë vëllimin e prodhimit dhe parashikon të hasë vështirësi në furnizimin me lëndë të para.

Për këtë shkak, 1 në 4 gra sipërmarrëse pohojnë se do të vijojnë të paguajnë punonjësit me paga të reduktuara, dhe 1 në 5 se do të shkurtojnë punëtorët. 3 në 10 biznese pohuan se do t’I drejtohen huamarrjes, disa në banka dhe disa në borxhe tek individë të besueshëm./VOA