Duke nisur nga 2019 tatimi i dividendit, ose siç njihet ndryshe i fitimit të bizneseve që shkon drejtpërdrejt në xhepat e aksionerëve është ulur nga 15% në 8%.

Qeveria shpreson të mbledhë rreth 36 milionë euro për 2019-ën dhe kjo për faktin se ligji mundëson uljen e kësaj takse edhe për fitimet e pashpërndara në vitet e mëparshme.

Zhavit Curri, nëndrejtor i Përgjithshëm i Tatimeve thotë se dividenti duhet të deklarohet dhe paguhet brenda 30 shtatorit.

“Uljen e normës të tatimit mbi dividentin nga 15% në 8%, përfshire këtu edhe dividentin e pa shpërndarë të viteve të mëparshme të cilat nëse do shpërndahen, do të deklarohen dhe paguhen brenda 30 shtatorit gjithashtu përfitojnë lehtësi tatimore, pra nuk do paguajnë 15% siç do paguanin pa këtë ndryshim, por do të paguajnë 8% tatim mbi të ardhurën mbi këtë divident të shpërndarë”, shprehet ai.

Që nga vitin 2015 deri në 2017 janë 3,1 miliardë euro fitime të pa shpërndara të kompanive shqiptare, të cilat ose janë riinvestuar ose kane qëndruar brenda bilanceve, thënë ndryshe nuk janë tatuar.

Ulja e taksës së dividentit dhe pasja e efekteve prapavepruese hapi jo pak debate, madje pati dhe përplasje mes institucioneve, kur presidenti Meta e riktheu ligjin për rishqyrtim në Kuvend.

Sipas tij pikërisht ulja e taksës edhe për fitimet e pa shpërndara në vitet e mëparshme shkel konkurrencën dhe i jep ligjit trajtën e një amnistie fiskale, por ky dekret i Presidentit u rrëzua shpejt nga mazhoraca në Parlament. /TCh/