Xhavara: Kur ekonomia shndërrohej nga socialiste në kapitaliste

21/05/2012 - 00:00

 

Kur sistemi ndryshoi nga socialist në kapitalist, një nga vendimet e rëndësishme të qeverisë ishte heqja e 80%. Ishte një masë e thellë drastike pasi dolën me mijëra njerëz pa punë, por ajo ishte zgjidhja e vetme që i dha shtytje njerëzve të mendonin që duhet të gjenin vetë rrugën e zgjidhjes. Kështu lindi ekonomia private në Durrës, në fillim me frikë pasi njerëzit ishin mësuar me një punë të siguruar nga shteti, më pas u krijuan bizneset

Ne ndryshuam drejtorët me shkollë partie që nuk kishin arsimin përkatës dhe më pas vazhduam edhe me ndryshime të tjera në hierarkinë e administratës. U përpoqëm të vemë drejtues njerëz profesionistë dhe me figurë të pastër. Natyrisht në këto zëvendësime, ndoshta ka pasur dhe ndonjë rast që nuk ka marrë hakun, por siç thotë populli ndonjëherë bashkë me të thatin digjet edhe i njomi

Në periudhën 1992-1996 u realizua reforma ekonomike që në thelb kishte nismën e lirë private dhe Shqipëria ka bërë hapa të papara. Kjo vërtetohet me ndërtimet e shumta dhe investimet e realizuara. Sot në rrugët e Durrësit qarkullojnë rreth 60 mijë automobilë, janë me mijëra celularë që përdorim, janë një ose disa televizorë që çdo qytetar ka në familje

Nëse do të vazhdohet që nga njëra anë qytetarët do të ndërtojnë sipas dëshirës dhe interesave të çastit dhe nga ana tjetër aparati shtetëror dhe ai lokal bëjnë demokraci të butë, historia do të përsëritet. Nuk është vështirë të bësh një plan të mirë, e vështirë është që ta zbatosh atë. Plani rregullues në fund të fundit është një dokument i shkruar, por më pas duhen disa akte normative nënligjore që do t'i nxjerrë Bashkia dhe do të përcaktojë katet dhe mënyrën e ndërtimeve

Ish kryetari i Këshillit Pluralist të Rrethit, Andrea Xhavara, rikthen në kujtesë hapat e para të këtij institucioni dhe i tregon Gazetës Dyrrah për periudhën e tranzicionit kur nisën ndryshimet e drejtorëve, privatizimet, heqja e pagesës me 80 %, ndarja e tokës me ligjin 7501, ndërtimet pa leje dhe të gjithë problematikat e shkaktuara nga shndërrimi i ekonomisë socialiste në modelin liberist. Duke folur për ditët e sotme, si kryetar i Dhomës së Tregtisë dhe Industrisë së Durrësit, Xhavara komenton situatën urbanistike të zonës së Plazhit dhe të ardhmen turistike të qarkut të Durrësit.

Si lindi Këshilli i parë Pluralist në Durrës dhe cili ishte pozicioni juaj brenda tij?

Në zgjedhjet e muajit mars 1991, në rrethin e Durrësit PD-ja korri një fitore të thellë me 72% dhe sipas një marrëveshje mes partive u vendos që Këshillat Pluraliste të kompozoheshin në bazë të votave që kish marrë çdo parti. Ata që do të kishin shumicën do të drejtonin Këshillin Pluralist. Në muajin gusht të vitit 1991 u formua Këshilli i parë Pluralist i Rrethit me kryetar Bashkim Koplikun. Unë në atë kohë isha shef i personelit, seksion që merrej me të gjitha llojet e emërimeve si ato të mësuesve, marinarëve, shoferëve të eksportit, kuadrove, madje edhe me të drejtat e studimit.

Pra kishit një rol me përgjegjësi të madhe. Cilat kanë qenë veprat tuaja më të rëndësishme? 

Ishte një periudhë tepër e ngarkuar me probleme, pasi po ndryshohej sistemi. Natyrisht që ish drejtorët që kishin drejtuar në kohën e Muho Asllanit me shokë nuk mund të drejtonin në sistemin e ri. Ne ndryshuam drejtorët me shkollë partie që nuk kishin arsimin përkatës dhe më pas vazhduam edhe me ndryshime të tjera në hierarkinë e administratës. Ne u përpoqëm të vemë drejtues njerëz profesionistë dhe me figurë të pastër. Ne vumë si drejtues figurat më të mira që kishte qyteti i Durrësit. Më kujtohet diçka interesante me mësuesit. Ne gjetëm mësues që kishin punuar edhe 25 vjet në fshat për arsye biografie. Në atë periudhë kemi transferuar rreth 140 mësues të tillë. Po kështu hapëm rrugën për shkollimin e nxënësve të talentuar duke iu dhënë të drejtën e studimit, pavarësisht se kujt familje i përkisnin. Natyrisht në këto zëvendësime, ndoshta ka pasur dhe ndonjë rast që nuk ka marrë hakun, por siç thotë populli ndonjëherë bashkë me të thatin digjet edhe i njomi.

Cilat ishin detyrat tuaja të para pas emërimit si kryetar i Këshillit Pluralist të Rrethit?

Pas vitit 1991 Bashkim Kopliku kandidoi për deputet dhe unë u emërova kryetar i Këshillit Pluralist të Rrethit. Sapo u emërova në këtë detyrë bëra një program timin, pasi qeveria u zgjodh në mars të vitit 1992 dhe secili nga kryetarët e rretheve duhej që të hartonte programin e tij. Programi konsistonte në detyrat që duhej të realizonte Këshilli i Rrethit, mes të cilave ishte edhe përgatitja e ndërmarrjeve për privatizim, ndarja e tokës, zgjidhja e drejtë e politikave të drejtimit të ndërmarrjeve etj. Komunikimin e parë me kryeministrin e asaj kohe Aleksandër Meksi e kemi pasur nëpërmjet një letre në muajin prill. Në takimin e parë me Meksin në atë kohë i paraqita programin me tetë pika. Ai u shpreh i kënaqur dhe më tha se nuk kisha nevojë të shkoja më ta takoja, por të vazhdoja punën me atë program.

Cilat kanë qenë momentet më të vështira dhe zgjedhjet më të dhimbshme?

Detyra jonë kryesore në atë kohë ishte që të mbanim ekonominë sepse ishte shumë e vështirë. Kujtoj se kishte ndryshuar sistemi nga socialist në kapitalist. Ishim ne që bëmë këtë detyrë shumë të vështirë në atë kohë, pasi të përshtasje ekonominë me rregullat e ekonomisë së tregut nuk ishte e lehtë. Ne kemi pasur probleme të mbajtjes së ekonomisë dhe një nga vendimet e rëndësishme të qeverisë në atë kohë ishte heqja e 80%. Ekonomia jonë doli jashtë loje, në kuptimin që ndërmarrjet tona nuk konkuronin dot më në ekonominë e tregut. Ishte një masë e thellë drastike pasi dolën me mijëra njerëz pa punë, por ajo ishte zgjidhja e vetme që i dha shtytje njerëzve të mendonin që duhet të gjenin vetë rrugën e zgjidhjes. Kështu lindi ekonomia private në Durrës, në fillim me frikë pasi njerëzit ishin mësuar me një punë të siguruar nga shteti, më pas u krijuan bizneset e vogla, të mëdhatë etj.

Keni menaxhuar edhe procesin delikat të ndarjes së tokës. Çfarë ndodhi në atë periudhë kaotike?

Ndarja e tokës ishte një nga problemet më të mëdha. Ligji 7501 e urdhëroi ekzekutivin të ndajë tokën, pavarësisht se çfarë mendimi kishin njerëzit (përfshi dhe unë) për atë ligj. Ne jemi përpjekur që të zbatojmë ligjin. Mund të them se rrethi i Durrësit ka qenë ndër të parët për zbatimin e ligjit 7501. Një fenomen që nisi atëherë ishin edhe ndërtimet pa leje. Më kujtohet se në atë periudhë me ligjet e atëhershme kryetari i Këshillit të Rrethit ishte edhe kryetar i Shtabit të Mbrojtjes. Ai kishte të drejtën që një herë në javë të thërriste prokurorin e rrethit, kryetarin e gjykatës, komandantin e ushtrisë, komandantin e flotës detare, shefin e hetuesisë që raportonin për gjendjen. Në atë kohë ishim ne të parët në republikë që nisëm procesin e prishjes së ndërtimeve pa leje në zonën e ish kënetës. Bëhet fjalë për vitin 1992. Prishëm disa ndërtime gjigande, dhe atyre njerëzve iu gjetëm një zgjidhje në tokat shtetërore. Për fat të keq ky fenomen mori më pas një shtrirje të madhe. Në vitin 1993 nisi procesi i kthimit të pronave dhe privatizimeve të ndërmarrjeve shtetërore. Në fakt kemi qenë idealistë në përkushtimin që kishim në kryerjen e detyrës.

Sa mendoni se janë realizuar ato objektiva që ju kishit në atë periudhë ndryshimesh të mëdha demokratike?

Merita e qeverisë qendrore dhe lokale në periudhën 1992-1996 ishte se u realizua reforma ekonomike e shpallur nga qeveria. Kjo reformë në thelb kishte nismën e lirë private. Mund të them se në këtë drejtim Shqipëria ka bërë hapa të papara. Kjo vërtetohet me  ndërtimet e shumta, investimet e realizuara etj. Po ju jap një shembull të thjeshtë. Shikoni se sa automobilë qarkullojnë sot në rrugët e Durrësit. Janë rreth 60 mijë automobilë, janë me mijëra celularë që përdorim, janë një ose disa televizorë që çdo qytetar ka në familje. Me këto tregues edhe Perëndimi mat nivelin e jetesës. Mendoj se mirëqenia është rritur në mënyrë të dukshme. Këtë e tregojnë edhe shifrat për të ardhurat për frymë që në Shqipëri janë rritur në mënyrë të konsiderueshme. Sigurisht që ka edhe probleme, prej të cilave do të evidentoja zhvillimin programor.

Mund të ishte bërë më mirë në këtë drejtim për ndërtimet në qytet, ku akoma nuk ka një plan të përgjithshëm rregullues. Po marr shembullin e Plazhit të Durrësit, që është superpopulluar, ku nuk ditëm të ndërtojmë plane zonale, por ecëm me plane sipas pronës individuale. Kjo bëri që Plazhi të ketë probleme në ofrimin e një pakete turistike cilësore. Po kjo gjë do të na ndodhë nëse nuk veprohet ndryshe në zonën veri-perëndimore të rrethit të Durrësit si në Gjirin e Lalëzit dhe Ishmit. Duhet një ligj i posaçëm për ndërtime turistike zonale, i cili parashikon që pronarët të humbin dhe fitojnë të gjithë njësoj, pavarësisht se çfarë do të ndërtohet në atë zonë: një hotel, një fushë golfi, apo një rrugë. Në këtë sens Plazhi i Durrësit mund të konceptohet si një plazh masiv, dhe plazhet e tjera si elitare. Ne nuk na mungojnë ligjet e mira, por ne kemi problemin e madh se nuk i zbatojmë ato.

A jeni njohur me planin e ri rregullues të Durrësit dhe a mendoni se ky plan zgjidh problemin e ndërtimeve kaotike?

Në fakt Durrësit nuk i kanë munguar planet dhe masterplanet, por problemi i madh ka qenë mënyra se si janë zbatuar këto plane rregulluese. Në vitin 1994-1995 kishim një plan për Kënetën i propozuar nga një studio e Kozencës, kishim një masterplan të Durrësit të financuar nga KE dhe të realizuar nga Universiteti i Peskarës, më pas kemi një plan të ish kryebashkiakut Arqile Gorrea për ta zgjeruar vijën e verdhë të Durrësit dhe me disa fshatra etj. E keqja është se ne nuk i zbatojmë këto plane. Nëse do të vazhdohet që nga njëra anë qytetarët do të ndërtojnë sipas dëshirës dhe interesave të çastit dhe nga ana tjetër aparati shtetëror dhe ai lokal bëjnë demokraci të butë, historia do të përsëritet. Nuk është vështirë të bësh një plan të mirë, e vështirë është që ta zbatosh atë. Plani rregullues në fund të fundit është një dokument i shkruar, por më pas duhen disa akte normative nënligjore që do t'i nxjerrë Bashkia dhe do të përcaktojë katet dhe mënyrën e ndërtimeve. Sot për fat qyteti i Durrësit ka plot projektues dhe studio që mund të kontribuojnë në hartimin apo zbërthimin e një plani rregullues.

Si paraqitet dhe sa ka ndryshuar niveli i shërbimit në zonën turistike të Durrësit?

Ka një ndryshim dhe rritje të nivelit të shërbimit në përgjithësi, krahasuar me disa vite më parë në zonën e Durrësit. Ne kemi qenë edhe në zona të tjera të vendit, por Durrësi dhe Tirana kanë një shërbim cilësor më të lartë. Pavarësisht nga kjo ka shumë për të bërë në këtë drejtim, në krahasim me vende të tjera që kanë një fluks të madh turistik si Kroacia, Mali i Zi, Greqia, Italia etj. Përsa i përket çmimeve janë vetë menaxherët e hoteleve që përcaktojnë çmimet sipas nivelit të ofertës dhe kërkesës. Për mendimin tim duhej që të kishte dy lloje çmimesh: çmime sezoni dhe çmime jashtë sezoni të shpallura.

Kjo është një e metë pasi kur promovohet, turistët duan të dinë çmimin në sezon dhe jashtë tij. Nuk duhet të ndodhë si bëjnë disa hotele që kur kanë fluks gjatë verës i rrisin çmimet. Ata mund të fitojnë më shumë me çmime fikse, por të shpallura. Po kështu nuk duhet të vazhdohet me promovim individual hotelesh, por të kalohet me promovim në grup hotelesh. Për ta ilustruar po marr një shembull në zonën e Shkëmbit të Kavajës. Një hotel në këtë zonë mund të ketë një kapacitet të kufizuar dhomash, por nëse bashkohen disa hotele krijojnë një numër të konsiderueshëm dhe me oferta të përbashkëta mund të tërheqin grupe të konsiderueshme turistësh.

A ka mundësi për turizëm elitar zona turistike e Durrësit?

Mendoj se, nëse do të punohet në mënyrë të planifikuar, Ishmi dhe Gjiri i Lalëzit janë zona që mund të kenë potenciale për turizëm elitar.


 

           Karriera

Kush është Andrea Xhavara

Ka ushtruar për njëzet vite profesionin e mësuesit të matematikës, deri në muajin gusht të vitit 1991, kur emërohet shef i personelit i Këshillit Pluralist të Durrësit. Më 1 mars 1992 emërohet Kryetar i Këshillit të Rrethit të Durrësit deri në muajin shtator të vitit 1992. Më pas punon për një vit në Ministrinë e Tregtisë dhe të Bashkëpunimit me Jashtë dhe në korrik të vitit 1995 emërohet sekretar i përgjithshëm i Dhomës së Tregtisë dhe Industrisë në Durrës. Më pas themelon agjensinë “Qendra e Promovimit të Biznesit dhe Ekonomisë”. Në 2007 zgjidhet nënkryetar i Dhomës së Tregtisë dhe Industrisë dhe në 2012 zgjidhet kryetar i Dhomës së Tregtisë dhe Industrisë me një mandat, deri në vitin 2015. Është i martuar dhe ka dy djem.



 

Plazh dhe turizëm

Andrea Xhavara thekson se Dhoma e Tregtisë dhe Industrisë është marrë me promovimin e territorit, promovimin e burimeve natyrore, ekonomike, njerëzore etj., por natyrisht vëmendja kryesore është përqëndruar në promovimin e Durrësit si një oportunitet turistik. “Kemi realizuar një forum kombëtar të turizmit ku janë zbërthyer nevojat e Plazhit të Durrësit për investime”, tregon Xhavara, “dhe për mendimin tim Plazhi i Durrësit duhet bërë kuadrat. Nuk duhet konsideruar kjo zonë si qendër urbane, pasi ajo vazhdon që të ketë destinacion turistik”. Në pikun e sezonit turistik në Plazh ka 150 mijë deri në 200 mijë pushues dhe janë kryer rreth 5 miliard euro investime, por sipas kryetarit të Dhomës së Tregtisë ka nevojë për investime të tjera inxhinierike, si për shembull kanalizimet.

“Po ndërtohet depuratori, por nuk dihet nëse do të përfundojë në këtë sezon turistik”, tha Xhavara, duke nënvizuar se Plazhi i Durrësit duhet të rrisë në rradhë të parë cilësinë e shërbimeve të njësive turistike: “Kjo zonë duhet të jetë një qendër e vizitueshme edhe në pjesën tjetër të vitit, pasi vjeshta dhe pranvera janë periudha të mira për shumë nordikë të Europës dhe turistë të tjerë”, shton kryetari. Xhavara mendon se fakti që anijet kroçere po i drejtohen portit të Durrësit është një lajm i mirë, i cili i shërben edhe imazhit të vendit, por sipas tij “duhet bërë më shumë për njohjen e ofertës turistike që të plotësohet jo vetëm me plazhin, me turizmin e detit dhe diellit, por edhe me turizmin malor dhe atë të trashëgimisë kulturore, pasi Durrësi është kryqëzimi i historisë së Shqipërisë. Paketa turistike do të jetë më e plotë nëse shtrihet në të gjithë territorin e qarkut”.



 

Projekti “Adrion”

Dhoma e Tregtisë e Durrësit po përpiqet që të përfshijë Durrësin dhe gjithë Shqipërinë në iniciativën e “Forumit të Dhomave të Adriatikut dhe Jonit”, ku marrin pjesë disa shtete si Italia, Sllovenia, Kroacia, Bosnja, Mali i Zi, Shqipëria dhe Greqia. Qëllimi është promovimi i një marke të re turistike e quajtur “Adrion”, që do të thotë turizëm i promovuar nga vendet që lagen nga deti Adriatik dhe Jon. Të gëzosh të drejtën e kësaj marke, duhet që të plotësosh disa standarde. Ideja e projektit “Adrion” është komunikimi midis shteteve të mësipërme me njeri-tjetrin për të ngritur standardet në drejtim të fluksit turistik. Andrea Xhavara shpjegon se Shqipëria e ka nisur me paketat turistike shumëvendëshe: “Ideja është e thjeshtë. Nëse një vizitor vjen në Mal të Zi, pse të mos kalojë në Shqipëri dhe Greqi apo anasjelltas? Gjithsesi turizmi ynë në përgjithësi, dhe sidomos agjensitë turistike, vuajnë nga individualizmi. Pronarët e hoteleve, agjensive turistike, etj., e shikojnë veten si konkurentë, por duhet që ta shikojnë veten edhe si kolegë”.

 

 

/portali DurresLajm/

Na bëni like në facebook!: 

Lajme nga e njëjta kategori

Gjatë kësaj jave monedha e përbashkët europiane ka vijuar që të humbasë pikë përkundrejtë lekut vendas.

Kreu i komisionit të Ekonomisë, Arben Ahmetaj është treguar kritik ndaj buxhetit të vitit 2020, i cili u prezantua nga ministrja e Financ

Shqipëria bashkë me shtetet afrikane Sierra Leonen dhe Laon kryesuan listën globale të vendeve më të korruptuara sipas këndvështrimit të

Edhe gati 3 dekada pas kalimit në ekonominë e tregut, shqiptarët, që jetojnë në një vend të bekuar nga zoti, me bukuri të shumta e pasuri

Instituti i Sigurimeve Shoqërorë parashikon se në tre vitet e ardhshme 2020-2022 numri i pensionistëve që shtohen në skemën e sigurimeve

Ministria e Financave parashikon të grumbullojë 474 miliardë lekë gjatë këtij viti, nga 486 miliardë lekë që raportohen ne buxhetin e ndr

Shqiptarët kanë 9.15 miliardë euro borxh, rriten pagesat për shërbimin e borxhit.

INSTAT-i (Instituti shqiptar i Statistikave) ka botuar më 31 tetor 2019 anketën e turizmit “Pushime dhe udhëtime”, 2018.

Pavarësisht gropës së krijuar në buxhet me mospagesën e detyrimeve të sigurimeve shoqërore nga institucionet publike nuk ka pasur bllokim