TIRANE- Administrata tatimore ka zbuluar dje një skemë evazioni fiskal, përmes së cilës janë qarkulluar rreth 8 milionë dollarë, me një dëm ekonomik prej 170 milionë lekesh. Sipas Tatimeve, në qendër të skemës gjendej një firmë, e cila përmes lëshimit të faturave për shërbime inekzistente, kishte krijuar një mekanizëm për shmangien e taksave. 

Kompania, e zotëruar nga shtetasi kosovar Ismet Syla, qe e regjistruar në Drejtorinë Rajonale Tatimore të qytetit të Kukësit dhe sipas të dhënave të Qendrës Kombëtare të Regjistrimit, e ushtronte aktivitetin në sektorin e ndërtimit. "Drejtoria e Hetimit Tatimor në Drejtorinë e Përgjithshme të Tatimeve, në bashkëpunim të ngushtë me Prokurorinë e Përgjithshme bënë të mundur ndalimin e shtetasit kosovar, Ismet Syla, administrator i subjektit 'Dielli – I.I.B', i regjistruar në DRT Kukës dhe me aktivitet të deklaruar në QKR në fushën e ndërtimit, si evazion fiskal. Ky shtetas nëpërmjet përdorimit të dokumentacionit tatimor ka mundur të realizojë furnizim mallrash e shërbimesh fiktive me vlerë totale rreth 845 milionë lekë, të cilën nuk i ka deklaruar asnjëherë pranë organeve tatimore dhe duke shkaktuar në këtë mënyrë një dëm prej 170 milionë lekësh, vetëm në TVSH", shkruhet në deklaratën e djeshme të Drejtorisë së Përgjithshme të Tatimeve. 

Administrata tatimore sqaronte se shoqëria lëshonte fatura ndaj kompanive të tjera për shërbime të kryera prej saj në një moment kur realisht nuk ushtronte asnjë lloj aktiviteti. "Këto furnizime ky tatimpagues i ka shpërndarë në një numër të konsiderueshëm tatimpaguesish të tjerë, të regjistruar në Drejtori Rajonale Tatimore të ndryshme, të cilët ushtronin aktivitet në fushën e ndërtimit, transportit, etj. Këta tatimpagues janë identifikuar nga strukturat e Drejtorisë së Hetimit Tatimor dhe po punohet për zbardhjen e plotë të skemës evazionistë", shkruan Drejtoria e Tatimeve.