Ermonela Jaho, e para shqiptare që fiton “OSCAR”-in e Operas

16/05/2016 - 09:22

Sopranoja shqiptare me famë botërore Ermonela Jaho, ka fituar çmimin ndërkombëtar prestigjioz “Readers Award” në ceremoninë që njihet si Oskari i Operas.

Ajo triumfoi mes shumë zërave të tjerë operistikë nga mbarë bota, duke u vlerësuar maksimalisht nga votat e publikut ndërkombëtar.

Performanca e saj në skenën e teatrit të “Savoy” të Londrës të dielën në mbrëmje, para marrjes së çmimit, ka përlotur të gjithë publikun.

Në përfundim të performancës, i gjithë publiku është ngritur në këmbë, ndërsa duartrokitjet kanë zgjatur për shumë minuta.

Pas vlerësimit, Jaho ka falënderuar të gjithë fansat e saj në Facebook, duke u bërë një dedikim të veçantë sidomos shqiptarëve.

“Dua të falënderoj të gjithë admiruesit e artit tim nëpër botë dhe veçanërisht në Shqipëri për mbështetjen dhe dashurinë…..Kushdo që i dedikon jetën pasionit të tij është gjithmonë fitues… Ju dua të gjithëve!”

Sopranoja shqiptare u nominua për këtë çmim që për herë të parë fitohet nga një shqiptar, pas performancës së saj të “Sour Angelica” në veprën e Puçinit apo edhe për operan “Zaza”.

/portali DurresLajm/

Na bëni like në facebook!: