Bermuda, “trekëndëshi i djallit”

21/04/2012 - 00:00

Trekëndëshi i Bermudeve
<h4>Trekëndëshi i Bermudeve</h4>

Trekëndëshi “i mallkuar” për disa është një nga hapësirat detare me trafikun më të dendur. Ndërsa shumë hipoteza fantastike e lidhin zhdukjen e anijeve dhe avionëve me veprimtarinë paranormale apo jashtëtokësore, autoritetet deklarojnë se numri i incidenteve është i parëndësishëm. Një mit modern i krijuar në mënyrë artistike nga shkrimtarë të ndryshëm, por që ende vazhdon të nxisë fantazinë popullore që e identifikon atë me trekëndëshin e djallit.

Është fantazi e nxitur nga artikujt dhe librat e shkruar për të, apo është një zonë ku ushtrojnë ndikimin e tyre fenomenet paranormale apo jashtëtokësorët? Miti i trekëndëshit të Bermudës (trekëndëshit të djallit apo trekëndëshit të mallkuar) është kthyer gati-gati në një legjendë urbane.

Po çfarë është në të vërtetë kjo zonë trekëndore e oqeanit Atlantik, të cilës i ngarkohen disa nga aksidentet detare dhe ajrore më të pashpjegueshme? A është vërtet trekëndësh i mallkuar apo është një zonë detare me trafik shumë të dendur ku regjistrohen incidente si në çdo pjesë tjetër të sipërfaqes së tokës?

Kanë qenë shkrimtarët ata që e kanë ushqyer mitin fatkeq të kësaj zone, apo ka diçka reale në rrëfimet e tyre? Shkenca duket se e ka zgjidhur misterin e këtij vendi “të mallkuar”, por autorë dhe regjisorë të ndryshëm vazhdojnë ende të nxisin fantazinë popullore përmes librave apo filmave, që thuhet se bazohen në ngjarje të vërteta.

Vendndodhja

Trekëndëshi i Bermudës është një zonë detare në pjesën veriore të oqeanit Atlantik, e cila ka formën e një trekëndëshi. Pika veriore e tij është pjesa më jugore e brigjeve të arkipelagut të Bermudeve (nga ka marrë dhe emrin), pika jugore ndodhet në pjesën më perëndimore të ishullit të Porto Rikos, ndërsa pika perëndimore ndodhet në jug të gadishullit të Floridës.

Për këtë zonë detare, që në mënyrë imagjinare krijon një trekëndësh e mbulon një hapësirë prej rreth 1.1 milion km2,  kultura popullore (në vitet 50) nisi të përhapte legjendën se nga vitet 1800 e në vazhdim aty ishin regjistruar aksidente të shumta detare dhe ajrore dhe fakti më i çuditshëm ishte se nuk gjendeshin as trupat e ekuipazhit dhe as reliket e mjeteve të mbytura.

Trekëndëshi u bë më shumë i famshëm pas botimit në vitin 1974 të librit “Bermuda, trekëndëshi i mallkuar”, i autorit Charles Berlitz. Në libër, Berlitz mbronte idenë se fenomenet misterioze të regjistruara në këtë zonë lidhen me fenomene paranormale dhe aktivitetin e jashtëtokësorëve.

Krijimi i mitit të Bermudës

Gazetari Edward Van Winkle Jones që punonte për gazetën “Associated Press” shkroi për herë të parë në vitin 1950 një artikull që bënte fjalë për zhdukjen misterioze të disa anijeve dhe avionëve pikërisht në këtë zonë. Dy vjet më pas, në revistën “Fate” George X. Sand përmendi në një artikull të shkurtër zhdukjen e pashpjegueshme të Udhëtimit 19 (Flight 19 përbëhej nga 5 avionë amerikanë) si dhe të pesë anijeve të flotës detare të SHBA-së. Ishte ky artikull që shënoi krijimin e legjendës së Bermudës.

Këto dy artikuj u pasuan nga shumë të tjerë si dhe nga libra të autorëve të ndryshëm, pjesa dërrmuese e të cilëve i mëshonin anës misterioze të këtyre zhdukjeve të pashpjegueshme. Ndërkohë të apasionuarit pas UFO-ve kanë ngritur hipoteza sipas të cilave zhdukjet misterioze të anijeve e avionëve lidhen me veprimtarinë e jashtëtokësorëve. Sipas tyre alienët e konsiderojnë zonë të tyre këtë hapësirë e për këtë arsye nuk tolerojnë prezencën e të tjerëve.

Libri i Kusche rrëzon hipotezat paranormale

Në vitin 1975, hulumtuesi i bibliotekave Lawrence David Kusche, autori i librit “The Bermuda Triangle Mystery: Solved” (Misteri i trekëndëshit të Bermudës: Zgjidhet) hodhi dritë mbi shumë nga ato që ai i quan pasaktësi të rënda të veprës së Berlitz-it. Sipas Kusche-s, shpeshherë përfundimet e Berlitz nuk përputheshin me deklarimet e dëshmitarëve ose të të mbijetuarve.

Në të njëjtën kohë informacioneve të rëndësishme nuk u ishte kushtuar vëmendja e duhur. Kusche tregoi përmes dokumenteve sesi incidente të ndryshme të cilat mendoheshin se ishin shkaktuar në trekëndëshin e Bermudës, në të vërtetë kishin ndodhur shumë larg tij. 

Kërkimi i Kusche-s arriti në disa konkluzione:

1.      Numri i anijeve të mbytura është i ngjashëm me ato të çdo zone tjetër oqeanore

2.      Në një zonë me stuhi të forta tropikale shumë zhdukje janë lehtësisht të shpjegueshme

3.      Numri i incidenteve është ekzagjeruar shumë

4.      Rrethanat e zhdukjeve janë falsifikuar nga Berlitz. Ndërsa ai ka folur për zhdukje anijesh në kushte të mira meteorologjike, regjistrimet e motit të asaj kohe flisnin për stuhi

5.      Legjenda e trekëndëshit të Bermudës është një mister i krijuar në mënyrë artistike, i ushqyer nga shkrimtarë që vullnetarisht ose jo kanë përdorur të dhëna jo të sakta dhe argumente false për të bërë sensacion në shtyp 

Reagimet zyrtare

Pavarësisht famës së keqe të kësaj zone, statistikat zyrtare konfirmojnë me saktësi se “trekëndëshi” nuk është as më pak e as më shumë i rrezikshëm sesa çdo zonë tjetër e oqeanit. Kjo hapësirë detare e ajrore është një nga zonat me trafikun më të dendur në të gjithë globin, prandaj incidentet janë të parëndësishme nëse krahasohen me numrin e anijeve që e përshkojnë atë çdo ditë.

Sipas rojës bregdetare amerikane dhe Lloyd të Londrës, shumë nga incidentet e regjistruara kanë ardhur si pasojë e problemeve mekanike apo kushteve meteorologjike. Pjesa më e madhe e zhdukjeve janë verifikuar në shekullin e XIX-të apo gjysmën e parë të XX-ës, atëherë kur operacionet e kërkimit dhe shpëtimit gati-gati nuk ekzistonin ose ishin shumë të vonuara.

Në këtë mënyrë raportet zyrtare dëshmojnë se sa fuqi ka arti për të krijuar dhe mbajtur gjallë mite nga më të ndryshmet. Vitet e fundit është forcuar gjithnjë e më shumë ideja se legjenda e Bermudës është krijuar më shumë në mënyrë artistike sesa duke u bazuar në fakte shkencore të dokumentuara.

Incidentet më të famshme  

·         Zhdukja e pesë avionëve bombardues të marinës amerikane, Grumman TBM Avenger në 5 dhjetor 1945. Në bordin e tyre ndodheshin 14 persona. Avionët humbën nga radarët dy orë pas ngritjes nga baza e Floridës.

·         Star Tiger, avion britanik me 31 persona në bord i zhdukur në veri-lindje të Bermudës, në 29 janar 1948

·         Star Ariel (avioni binjak i Star Tiger) u zhduk në jug-perëndim të Bermudës, më 17 janar të 1949. Avioni ishte nisur nga Londra dhe kishte si destinacion kryeqytetin kilian, Santiago.

·         Mbytja e USS Grampus në vitin 1843

·         Mbytja e anijes furnizuese USS Cyclops gjatë rrugës së saj nga Barbados për në Norfolk, Virxhinia, më 4 mars 1918. Në bordin e saj ndodheshin 309 persona

·          SS Cotopaxi, e mbytur në vitin 1925

Shpjegimet shkencore për shkaqet e mbytjeve

1.      Çorientimi i busullës është ndër problemet më të përmendura në incidentet në këtë trekëndësh. Megjithëse disa kanë hedhur hipotezën se anomali të tilla mund të ekzistojnë në këtë zonë, ato nuk janë vërtetuar. Gjithsesi nuk duhet harruar fakti se vetëm në pak vende veriu manjetik dhe veriu gjeografik përputhen me njeri tjetrin.

2.      Rryma e gjirit të Meksikës është shumë e fuqishme dhe ka një shpejtësi të madhe (5.6 milje në orë), aq e fortë sa mund të spostojë një deltaplan apo një varkë jo shumë të madhe që ka probleme motorike dhe ta dërgojë larg vendit të raportuar në fillim. 

3.      Gabimet njerëzore janë shpesh shpjegimet zyrtare që jepen për incidentet detare apo ajrore të regjistruara në periudha të ndryshme kohore.

4.      Moti i keq është një tjetër faktor shkaktar i humbjes së qindra jetëve njerëzore dhe dëmeve prej miliarda dollarësh. Mbytja e anijes spanjolle “Francisco de Bobadilla” në vitin 1502 është rasti i parë i dokumentuar për mbytjen e një anijeje nga një uragan. 

5.      Valët mashtruese kanë shkaktuar mbytjen e anijeve apo platformave të naftës në oqeane e detra të ndryshëm. Këto valë deri në vitin 1995 konsideroheshin misterioze dhe shumë mite ishin ngritur për to.

6.      Çlirimi i një lloj gazi natyror që ndodhet në pllakat kontinentale është një tjetër shkaktar i mbytjes së anijeve. Eksperimentet laboratorike të realizuara në Australi kanë treguar se flluskat që ngrihen drejt sipërfaqes mund të mbysin anijet, pasi ulin dendësinë e ujit të detit. Në raste të tilla, anijet mbyten pasi uji më i lehtë nuk garanton më qëndrimin në sipërfaqe të mjetit lundrues.

Librat kushtuar trekëndëshit të Bermudës

John Wallace Spencer – “Limbo of the lost”, 1969

Charles Berlitz – “The Bermuda triangle ”, 1974

Richard Winer – “The devil’s triangle”, 1974

Larry Kusche - “Bermuda triangle mistery: Solved”, 1975

David Group– “The Evidence for the Bermuda Triangle”, 1984

Tony Blackman – “The Final Fligh”, 2006

 

 

 

 

/portali DurresLajm/

Na bëni like në facebook!: 

Lajme nga e njëjta kategori

Dukesha, Kate Middelton dhe Princi William kanë nisur turin e tyre në Pakistan.

Është cilësuar si fëmija më e bukur në botë dhe vjen nga Rusia.

Kancelarja gjermane Angela Merkel mbetet në krye të listës së politikanëve më të dashur për gjermanët.

Këngëtarja koreane e popit, Sulli ka vdekur në moshën 25-vjeçare.

Një funeral tepër i pazakontë në Irlandë ka kaluar nga lotët e zisë tek të qeshurat.

Ermal Mamaqi na ka treguar se filmi i tij i ri "I love Tropoja" është gati dhe shumë shpejt do të shfaqet në kinematë tonë me nisjen e vi

Një grup prej 80 shkencëtarësh kanë udhëtuar drejt Siberisë për të hetuar efektet e shkrirjes së akullit të përhershëm të Arktikut Lindor

Një mësuese e shkollës fillore në Queensland të Australisë i ka rënë të fikët në klasë pasi shkoi e dehur në mësim.