William dhe Kate, një vit pas martesës

19/04/2012 - 00:00

 

Një vit më parë sytë e gjithë botës ishin kthyer nga ata. Ndërsa dasma e tyre u filmua nga qindra telekamera e mijëra aparate fotografike dhe u ndoq nga miliona shikues në mbarë botën, përvjetorin e tyre të parë të martesës William dhe Kate kanë preferuar ta kalojnë larg syve të kureshtarëve.

Sot mbushet plot një vit nga një vjetori i martesës së çiftit mbretëror më të njohur e fotografuar në mbarë botën, princit britanik William dhe bashkëshortes së tij Kate Middleton. Një dasmë e ndjekur live nga miliona njerëz në mbarë botën, e fotografuar në çdo moment të saj nga mijëra paparacë të angazhuar për këtë ngjarje sensacionale dhe tashmë një përvjetor i përjetuar jashtë vëmendjes së njerëzve, në intimitetin e një çifti të dashuruarish.

Çifti i ri do ta kalojë këtë ditë mjaft të rëndësishme në shtëpinë verore të mbretëreshës në Balmoral, Skoci. “Duke qenë se të dy janë shumë romantikë,- thotë Ingrid Seward, botuese e revistës “Majesty”,- atyre u pëlqen të rikthehen në vendet që për ta kanë shumë kuptim. Unë mendoj se William ka programuar një natë romantike në një prej shtëpive verore më të izoluara. Me sa duket kjo është mënyra që u pëlqen për të kaluar këto momente speciale për ta”. Një vit pas martesës super të vëzhguar William e Kate kërkojnë të festojnë larg syve kureshtarë përvjetorin e tyre të parë.

Në fokusin e medias

Ndërsa e ëma e William, princesha Diana ishte “gjahu” i preferuar i mediave botërore jashtë vëmendjes së shtypit dhe televizioneve nuk ka mbetur as çifti William dhe Kate, i fotografuar veçanërisht që pas shpalljes së fejesës, më 16 nëntor të 2010-ës. Për hir të së vërtetës, vlen të theksohet se vëmendja e mediave është përqendruar kryesisht tek princesha Kate, e cila njësoj sikurse Diana, fotografohet në çdo eveniment mondan, publik apo bamirës ku merr pjesë.

Për vetë jetën ushtarake së cilës i është nënshtruar, princi William duket paksa i tërhequr nga shfaqjet publike, ndërkohë këtë mungesë të tij duket se po e plotëson më së miri e shoqja e tij. Që në fillim të lidhjes me princin trashëgimtar, Kate ka qenë gjithnjë e preferuara e paparacëve që tentonin të fiksonin në celuloid momente intime nga jeta e dy të rinjve.

Historia e tyre zuri fill në bankat e universitetit St. Andrews, Skoci, ku të dy ndiqnin studimet. Para dhe pas shpalljes së fejesës mes tyre Kate është komentuar shumë në media edhe për stilin e saj të të veshurit, i cili nuk ka kaluar aspak pa u vënë re. Bukuria e britanikes dhe stili mjaft elegant i të veshurit është kthyer në model për miliona gra në mbarë botën.

Mjafton këtu të përmendet një shembull mjaft i thjeshtë. Ndërsa prej vitesh getat transparente kishin dalë thuajse nga moda, veshja e tyre nga ana e princeshës së re i rriti shitjet e tyre në mënyrë të papritur. Gjithashtu ajo është përfshirë për shumë vite me radhë në listat e publikuara nga revista të ndryshme për femrat e veshura më bukur.

Por nuk është vetëm stili i të veshurit që i tërheq britanikët nga princesha e re. Buzëqeshja gjithnjë e pandarë nga fytyra e Kate dhe ëmbëlsia që ajo reflekton i kanë bërë shpeshherë britanikët ta krahasojnë atë me princeshën e trishtuar, Dianën e tyre të paharruar. Pikërisht nga ky fakt dhe për më tepër se është martuar me djalin e madh të Dianës, Kate bëhet gjithnjë e më e dashur për ta. Gjithashtu këtu ndikon edhe fakti se Kate nuk ka prejardhje fisnike çka e afron edhe më shumë me popullin e thjeshtë.

Në listën e personave më më influencë në botë për vitin 2012 revista “Time” ka përfshirë në listën e saj edhe dukeshën Kate. Ndërsa imazhi i familjes mbretërore britanike ishte dobësuar mjaft në publik, sidomos pas vdekjes së Dianës, martesës së princit Çarls me Kamila Parker (e cila asnjëherë nuk është preferuar nga britanikët) dhe një sërë skandalesh të bëra publike ne media të anëtarëve të familjes mbretërore, do të mbërrinin William e Kate, dy të rinj që do të rikthenin besimin e popullit tek familja Windsor e njëkohësisht do të përmirësonin ndjeshëm imazhin publik të saj.

Megjithëse William është i dyti në radhë për marrjen e fronit mbretëror, shumë britanikë e shohin atë si mbretin e tyre të ardhshëm.

Spekulimet për shtatzëninë

Ndërsa muajt e parë pas dasmës po kalonin disa nga mediat britanike të dedikuara informacioneve gossip (thashethemeve) në jo pak raste publikuan shkrime për shtatzëninë e Kate.

Pavarësisht jehonës që përcillnin, ato asnjëherë nuk u konfirmuan nga pallati mbretëror. Megjithëse William e Kate nuk janë ngjitur ende në fron e nuk dihet sesa do të presin ende, shtatzënia e princeshës do të thoshte shumë për britanikët, pasi do të garantonte vazhdimësinë e familjes mbretërore. Sipas të njëjtave burime, vetë mbretëresha Elizabet u ka kërkuar dy të rinjve të sjellin në jetë sa më shpejt një trashëgimtar pasi gjyshërit kanë dëshirë të njihen me stërnipin/en e tyre para se të jetë shumë vonë.

Sipas revistave e gazetave amerikane princesha Kate është duke marrë vitamina që do ta ndihmojnë të shtojë në peshë për të ndjekur më pas trajtimin in vitro që do të përshpejtonte procesin e mbetjes shtatzënë.

Fenomeni Pippa

Martesa e William e Kate do të përqendronte vëmendjen e britanikëve jo vetëm tek çifti i ri, por edhe tek motra më e vogël e princeshës, Pippa. Deri atëherë thuajse e panjohur, Pippa do të pushtonte faqet e gazetave e revistave brenda një dite. Fustani dhe fundshpina e saj do të komentoheshin aq shumë nga mediat saqë Pippa do të ishte tashmë e tutje e përndjekur nga paparacët.

Madje vëmendja mjaft e madhe e kushtuar asaj prej tyre do të nxiste familjen mbretërore dhe atë Middleton të mendonin seriozisht për caktimin e një bodyguard-i për ruajtjen e saj. Njësoj si e motra, stili i Pippës do të imitohej nga gratë britanike.

Megjithëse nuk ka bukurinë e së motrës dhe as nuk është e lidhur me ndonjë anëtar të familjes mbretërore çdo veprim apo gjest i saj kthehet në event mediatik. Për disa kohë mediat aluduan për një lidhje të saj me vëllanë e vogël të William, princin Harry, por ky fakt është mohuar nga të dy palët. 

 

2011

Dasma e William dhe Kate

Ceremonia martesore mes princit William, dukës së Kembrixhit, dhe Catherine Middleton u zhvillua më 29 prill të vitit 2011, në katedralen Westminster Abbey të Londrës. Ceremonia nisi në orën 11.00 dhe në kishë krahas familjes mbretërore britanike dhe përfaqësuesve të familjeve të tjera mbretërore në Europë e botë merrnin pjesë shumë diplomatë dhe të ftuar të çiftit.

Meqë nuk bëhej fjalë për martesën e trashëgimtarit të parë të fronit ceremonia nuk u krye sipas protokollit shtetëror duke u lënë shumë hapësira William-it dhe Kate të vendosnin për detaje të caktuara dhe listën e të ftuarve. Kate Middleton veshi një fustan nusëror të dizenjuar nga stilistja britanike Sarah Burton, ndërsa velli iu dha nga mbretëresha Elizabetë.

Ndërkohë dhëndri mbante veshur uniformën e nderit të kolonelit të gardës irlandeze. Dëshmitarët e William dhe Kate ishin përkatësisht vëllai i tij, Harry dhe motra e saj, Pippa. Pas ceremonisë çifti udhëtoi drejt Buckingham Palace, për t’u shfaqur në ballkonin ku rreth 30 vjet më parë dy prindërit e tij kishin celebruar martesën e tyre.

William dhe Kate u njohën në vitin 2001 kur të dy studionin në universitetin St. Andrews. Pas disa viteve së bashku ata u ndanë në vitin 2007 për t’u bashku sërish pak muaj më vonë. Ata u fejuan në 10 tetor të 2010 gjatë një udhëtimi në Kenia, ndërkohë që e shpallën fejesën e tyre në 16 nëntor të po atij viti.

Në martesën e tyre merrnin pjesë 1900 të ftuar, ndërkohë që 29 prilli u shpall ditë feste në Britani. Më shumë se një milion njerëz ishin vendosur përgjatë rrugës që lidh katedralen me Buckingham Palace për të ndjekur live udhëtimin e çiftit të ri. Miliona njerëz e ndoqën këtë ceremoni nga ekranet e televizioneve, ndërkohë që rreth 72 milion e ndoqën në YouTube. Vetëm në Britaninë e madhe ceremonia u ndoq nga rreth 36.7 milion teleshikues.

Më shumë se 1000 ushtarë dhe muzikantë ishin vendosur përgjatë rrugës nga do të kalonte çifti i sapomartuar. Nëpër rrugët e Britanisë u zhvilluan mijëra festime popullore, ndërkohë që rreth 5000 oficerë policie ishin angazhuar për të ruajtur rendin dhe qetësinë publike. Gjatë asaj dite policia arrestoi 55 persona brenda dhe jashtë zonës së sigurisë. 

/portali DurresLajm/

Na bëni like në facebook!: 

Lajme nga e njëjta kategori

Pasi e ëma e Quaden Bayles, (një djalë 9-vjeçar nga Australia, i lindur me nanizëm) postoi një video ku tregonte pasojat që vuante i biri

Ylli i familjes Kardashian-Jenner, Kim Kardashian, e kujton të atin e ndjerë në çdo festë dhe ditën e sotme i ka dedikuar disa fjalë prek

Në familjen e ish-ministrit të Brendshëm, Saimir Tahiri, sot ka festë, pasi djali i madh, Drini, mbush 9 vjeç.

Seriali “Friends” që ka bërë namin në të gjithë botën do të rikthehet sërish në ekran.

Nuk janë të pakta rastet që shqiptarët mahnisin juritë e evenimenteve kushtuar këngëve dhe talenteve të reja në të gjithë botën.

Presidenti i Shteteve të Bashkuara të Amerikës Donald Trump është tallur me fitoren historike të Koresë së Jugut për filmin më të mirë në

Bullizmi është një fenomen që prek së tepërmi fëmijët me nevoja të veçanta ose aftësi ndryshe.

Princi Harry dhe Meghan Markle nuk do të përdorin më markën e tyre Sussex Royal, konfirmoi sot zëdhënësja e tyre.

Një operacion sekret nga policia spanjolle ka mundur të shpëtojë gjashtë punëtorë të bllokuar në kushte të mjerueshme, në një fabrikë për