Forumi i Durrësit/ Shqipëria dhe Serbia drejt një të ardhmeje të përbashkët në BE

05/05/2016 - 09:12

· Veprimtaria mbështetet nga Republika Federale e Gjermanisë, me pjesëmarrjen e kryeparlamentarit Meta, kryetarit të bashkisë Dako, ambasadores së BE-së Vlahutin; ambasadorit gjerman Hoffmann etj.

Instituti Shqiptar i Studimeve Ndërkombëtare së bashku me Forumin për Marrëdhënie Ndërkombëtare i Lëvizjes Evropiane për Serbinë, me sponsorizimin e Republikës Federale të Gjermanisë, po implementon një projekt në mbështetje të një pjese të aktiviteteve të Qendrës së Përbashkët për Marrëdhëniet Shqipëri-Serbi për vitin 2016. Në kuadër të këtij projekti organizohet Forumi i Durrësit, një aktivitet interaktiv dyditor (6-7 maj 2016) me folës dhe pjesëmarrës nga fusha të ndryshme të jetës.

Objektivat e forumit janë rritja e komunikimit, njohurive dhe ndërveprimit ndërmjet aktorëve të të dy vendeve, Shqipërisë dhe Serbisë, të cilët kanë influencë në politikë, politikëbërjen ekonomike, media, arte, kulturë, aktivizëm rinor, etj. me synimin final që të ndihmojë në ndërtimin e netuorkeve dhe partneriteteve. Këto të fundit do të kontribuojnë në normalizimin e marrëdhënieve, si dhe në integrimin evropian të të dyja vendeve dhe shoqërive. Gjithashtu Forumi do të krijojë një hapësirë për diskutimin e një sërë çështjesh, përfshi këtu disa delikate dhe që nxisin debat të nxehtë në raport me etikat e komunikimit. Në këtë aspekt, forumi do të shërbejë si mjet për të luftuar keqkuptimet dhe paragjykimet e ndërsjella, që janë aktualisht pengesa në rrugën drejt stabilizimit të një bashkëpunimi më të mirë ndërmjet këtyre dy shteteve.

Në ditën e parë, më 6 maj 2016, paradite, do të mbërrijnë pjesëmarrësit nga Serbia. Pastaj paradite do të ketë prezantime të shkurtra dyminutëshe nga folësit dhe diskutim i hapur mbi temën “Kultura, rinia, projektet e përbashkëta”.

Pasdite do të mbahen fjalët hapëse nga Vangjush Dako, kryetar i Bashkisë së Durrësit; Albert Rakipi, drejtor ekzekutiv, Instituti Shqiptar i Studimeve Ndërkombëtare; Jelica Miniç, presidente, Forumi për Marrëdhënie Ndërkombëtare i Lëvizjes Evropiane për Serbinë; Odeta Barbullushi, zëvendësministre e Punëve të Jashtme të Shqipërisë; Miroljub Zariç, ambasador i Republikës së Serbisë në Shqipëri; Romana Vlahutin, ambasadore e Delegacionit të Bashkimit Evropian në Tiranë; Hellmut Hoffmann, ambasador i Republikës Federale të Gjermanisë në Shqipëri; Gordana Comiç, ish-zëvendëskryetare e parlamentit të Serbisë. Fjalimi kryesor do të mbahet nga Ilir Meta, Kryetar i Kuvendit të Shqipërisë.

Pasdite do të ketë prezantime të shkurtra dyminutëshe nga folësit dhe diskutim i hapur mbi marrëdhëniet dypalëshe në kontekstin e integrimit në BE. Darkë për pjesëmarrësit e Forumit dhënë nga Ilir Meta, Kryetar i Kuvendit të Shqipërisë.

Në ditën e dytë, më 7 maj 2016, paradite, do të ketë prezantime të shkurtra dy-tre-minutëshe nga folësit dhe diskutim të hapur rreth temës “Serbi-Shqipëri – politika dhe politikat e ndërtimit të marrëdhënieve”; në mesditë për temën “Marrëdhëniet dypalëshe - potenciali ekonomik”; pasdite për temën “Roli i medias”. Në mbrëmje do të ketë pritje për të ftuarit e Forumit dhënë nga Vangjush Dako, Kryetar i Bashkisë së Durrësit.

Moderatori i të gjithë aktivitetit (përveç fjalës hapëse dhe seksionit të fjalimit kryesor) do të jetë Franz-Lothar Altmann. Dr. Franz-Lothar Altmann është aktualisht profesor i asociuar i marrëdhënieve ndërkulturore dhe ndërkombëtare në Universitetin Shtetëror të Bukureshtit. Ai është bashkeditor i Revistës për Studimet Juglindore Evropiane dhe Detit të Zi dhe anëtar i bordit botues të Revistës Ndërkombëtare për Studimet Politike Ballkanike. Ai ka qenë lektor në disa universitete si ai i Univeristetit Shtetëror të Portland, Universiteti i Tohukut, Universiteti i Bostonit dhe Kolegjit Gjerman të Oficerëve të Forcave Ajrore. Më parë ka punuar për Stiftung Ëissenschaft und Politik, SËP (Instituti Gjerman i Çështjeve Ndërkombëtare dhe Sigurisë) në Berlin, Institutin Juglindor të Mynihut dhe Institutin e Evropës Lindore në Mynih. Dr. Altmann ka botuar 10 libra dhe 266 artikuj mbi politikën dhe ekonominë e Evropës Lindore dhe Juglindore, transformimin dhe integrimin evropian.

Th.M.

/portali DurresLajm/

Na bëni like në facebook!: