Foto ekskluzive 1998, operacioni për nxjerrjen e anijes “Lezha”

Postuar: 22/07/2016 - 09:11

Në trazirat e marsit ’91, teksa po bëheshin orvatje për transportuar emigrantë drejt Italisë, në kalatën lindore të portit të Durrësit u mbyt anija-500 tonësh “Lezha” e ngarkuar me kripë, gjë që vështirësoi mjaft manovrimin e trageteve dhe anijeve në akuatorium.

OPERACIONI

Në vitin 1998, gjatë disa punimeve të rikonstruksionit të portit, firma italiane “Cosmar” kontraktoi kompaninë italiane të Triestes “Diving Lucatelli” për nxjerrjen e anijes së mbytur.

Me këtë rast, për publikun shqiptar, po botojmë për herë të parë tri foto të arkivit të “Diving Lucatelli”. Sipas këtij të fundit, operacioni u zhvillua me anë të kalimit të 2 kabllove të mëdha nën karenën e anijes, që iu bashkëlidhën cilindrave ngritës kamel me kapacitet 300 tonë secili. E gjithë e çara u mbyll nga zhytësit dhe anija u ngrit me sukses dhe u dorëzua në dokun e thatë të kantierit detar.

ANIJA PËR SKRAP

Më 22 korrik 2013, personi juridik publik Autoriteti Portual Durrës (APD) sha njoftonte se do të shiste me ankand, më 12 gusht 2013, ato që kanë mbetur nga anija e mallrave gjenerale “Lezha,”, rimorkiatori “Orikum”, po prodhim durrsak i vitit 1981, batipali. Më 23 shtator 2013, APD sha bëri njoftimin e fituesit të tenderit të mësipërm, operatorin ekonomik “Rafaelo 2002” sha me seli pranë kthesës së Kamzës në Tiranë. Në tender morën pjesë “Rafaelo 2002” sha me ofertën 16 809 600 lekë, “Kurum International” sha me ofertën 16 320 000 lekë dhe “Tirana Due” shpk me ofertë atë, që kishte caktuar si fillestare APD-ja: 16 307 000 lekë.

Info

Anija për transport mallrash gjenerale “Lezha” është regjistruar në Organizatën Ndërkombëtare të Detare (IMO) me nr. 8835396, me flamur shqiptar, prodhim shqiptar i kantierit detar të Durrësit në vitin 1981 me kapacitet 500 tonë, me gjatësi 46.13 m dhe gjerësi 8. 13 m. Ka punuar kryesisht në transport detar të brendshëm.

Th.M.

/portali DurresLajm/

Na bëni like në facebook!: