28 prill 2015 – Kandidatja demokrate për Bashkinë e Durrësit po e merr qytetin nga periferia e tij. Që pas marrjes së statusit për kryebashkiake e mundshme, Grida Duma ka dalë në terren, duke vizituar lagje të tëra e takuar banorë të Bashkisë së madhe të Durrësit. Një herë në ish-Kënetë, në Shënavlash e në Rrashbull. Siç shprehet dhe vetë Duma në faqen e saj publike, në këto ditë është përpjekur të prekë sa më shumë lagje dhe komuna që presin të bëhen pjesë e metropolit të dytë të Shqipërisë.

“Kam ardhur tek shumë prej jush, por jam e vetëdijshme që më mbetet ende shumë për të ecur. Kandidimi bën realitet një dimension tjetër – kalimin nga politika e fjalës në atë të bërjes. Jam e dedikuar plotësisht për Bashkinë e Durrësit, dhe e di që ju do ta gjeni mënyrën për të më mbështetur, tashmë jo vetëm me fjalë.”, shkruan ajo.

 

Siç thotë dhe vetë kandidatja, mbetet shumë për të bërë, kryesisht për qendrën e Durrësit, që dy mandatet e fundit ia besoi PS-së drejtimin.

 

Agjencia e lajmeve “Dyrrah”