Futboll. durrsakët, gati për fazën e dytë

25/01/2012 - 00:00

 

Prej disa ditësh ekipi “Teuta” ndodhet në Durrës, ku po vijojnë përgatitjet për pjesën e mbetur të kampionatit. Durrsakët po zhvillojnë një fazë përgatitore me intensitet të lartë e cila filloi në Antalia të Turqisë, pasi trajneri Lika kërkon një skuadër të përgatitur mirë fizikisht dhe taktikisht gjatë fazës së dytë të kampionatit. Kështu tekniku Lika së bashku me stafin drejtues të “Teutës”, kanë hartuar një plan strikt për futbollistët me nga dy seanca stërvitore në ditë në mënyrë që lojtarët të marrin ngarkesën e duhur. Mesfushori më i mirë i kampionatit në fazën e parë, Renato Yshmeri, tha se gjithçka është gati për të nisur fazën e dytë, ndërsa mendja e çdo futbollisti durrsak është tek ndeshja me “Tiranën” në stadiumin “Niko Dovana”. “Përballja me Tiranën do të jetë vendimtare për ne në vazhdimësi të kampionatit, pasi kjo ndeshje do të shërbejë jo vetëm për të marrë tri pikë por edhe për moral. Nëse fitojmë kundër kryeqytetasve, rruga për titull nuk do të jetë shumë e vështirë. Duke qenë se luajmë në fushën tonë, jemi disi më të favorizuar se kundërshtari, pavarësisht se ky i fundit ka bërë përforcime dhe ka zgjidhur problemet financiare. Fitorja me “Tiranën” do të jetë mjaftë e rëndësishme pasi jo vetëm që marrim tre pikë, por i shkëputemi ndjekëses direkte.”, tha për gazetën “Dyrrah” mesfushori Yshmeri. Ai tregon se ekipi është në gjendje të mirë fiziko-taktike, ndërsa thur elozhe për “banorin” më të ri në kampin blu, Delibashiç. “I kemi shfrytëzuar në maksimum ditët e ngrohta në Antalia, duke bërë një stërvitje intensive dy herë në ditë, si dhe kemi zhvilluar disa ndeshje miqësore me skuadra të ndryshme të Europës, ku kemi provuar pontecialin që ne kemi, ndërsa për sa i përket blerjes së re të ekipit, dua të them se ka qëlluar në shenjë. Delibashiç, përveçse është një lojtar punëtor, e njeh shumë mirë portën. Madje ai shënoi që në ndeshjen e parë që zhvilluam në Turqi kundër ekipit ukrainas “Volyn Luck”, ndeshje e cila përfundoi në barazim 1-1.”,-përfundoi Yshmeri. Në ekipin durrsak së fundmi është ofruar edhe Leotrim Pajaziti, lojtar ky që luan në krahun e majtë të sulmit. Afrimi i këtij lojtari është bërë për shkak të largimit të mesfushorit me tipare sulmuese, korçarit Elis Frashri, i cili pas rikthimit të Mancakut nuk gjeti shumë hapësira për të luajtur. Ndonëse gjithçka nga jashtë duket për bukuri, teknikut Lika i ka filluar “dhimbja e kokës”, pasi rrezikon që në merkaton e dimrit të humbasë një nga lojtarët më të mirë të tij, mbrojtësin Tefik Osmani. Për korçarin janë interesuar disa skuadra të superligës, madje me oferta shumë të majme. Ekipi verior i “Vllaznisë” ka ofruar plot 50 mijë dollarë për të blerë kartonin e mbrojtësit, por oferta e parë pavarësisht se ishte mjaftë joshëse dhe tronditëse për drejtuesit e klubit, u refuzua për momentin, duke e ndaluar edhe vetë lojtarin që të ketë kontakte me shkodranët. Ndërkohë që në ekip janë afruar dy lojtarë, Pajaziti dhe Delibashiç, janë larguar, Frashri, Markoviç dhe Metani. 

/portali DurresLajm/

Na bëni like në facebook!: