Kanë kaluar tre vite nga divorci i bujshëm i këngëtares Rovena Dilo me ish-bashkëshortin e saj prej 10-vitesh, ish-futbollistin e njohur Florian Riza.

Dhe duket se pas tre vitesh ata vazhdojnë të përballen në Gjykatë me njëri-tjetrin pas padisë së datës 27.10.2015, me anë të së cilës Floriani i kërkonte divorcin artistes. Ata, aktualisht, janë duke përpjestuar me gjyq pasurinë e tyre të përbashkët gjatë martesës, që, sipas burimeve tona, është një apartament në Tiranë, pronë që e blenë gjatë kohës që ishin të celebruar.

Edhe këtë herë, paditësi është Riza, i cili kërkon në rrugë ligjore të marrë pjesën e tij nga kjo pasuri. Kujtojmë se lajmi i ndarjes së çiftit në vjeshtën e 2015-s, ishte shumë i papritur për median, duke qenë se ata ishin paraqitur si çift i konsoliduar dhe që menaxhonin së bashku biznesin e këngëtares, ish-“Bar Rovena” në zonën e ish-Bllokut.

Por në mënyrë të befasishme këngëtarja e njohur i dha fund martesës prej një dekade me bashkëshortin e saj Florian Riza. Ishte pikërisht Riza ai që dorëzoi në Gjykatën e Tiranës kërkesëpadinë, ku kërkonte divorcin nga ajo pas disa konflikteve që kishin pasur.

E vetëm një ditë pasi ish-futbollisti i “Partizanit” depozitoi kërkesëpadinë pranë Gjykatës së Tiranës, mediat publikuan jo vetëm lajmin, por edhe përmbajtjen e saj. Në padi thuhej: “Unë paditësi kam lidhur martesë me të paditurën në datën 24.10.2005…
Fillimisht marrëdhënia jonë ka qenë e mirë, por me kalimin e kohës kanë lindur konflikte e grindje të vazhdueshme, të cilat kanë bërë të pamundur bashkëjetesën dhe si rezultat martesa jonë e ka humbur qëllimin e saj dhe ka mbetur thjesht dhe vetëm formale.
Në kushtet e mësipërme, duke vlerësuar se martesa ime me të paditurën nuk ka më asnjë kuptim, kërkoj zgjidhjen e martesës mes meje dhe të paditurës, pasi martesa jonë nuk mund të vazhdojë më”.

DIVORCI I PAPRITUR, FLORIAN RIZA AS EMRIN NUK DO T’I PËRMENDË ROVENA DILOS
Rovena nuk e komentoi në media divorcin, apo të tregonte arsyet e vërteta, që i çuan në prishjen e martesës. Ajo vendosi t’i dedikohej karrierës dhe formës fizike, duke humbur 6 kilogramë nga pesha e saj.

Vetëm dy muaj pas ndarjes, ajo u komentua për një lidhje të re me partnerin në “Dancing with the stars”, balerinin Eltion Merja. Nga krahu tjetër, ish-futbollisti Florian Riza, i cili sot është komentator i ndeshjeve në televizion u rikthye të fliste për divorcin, një vit pas padisë gjatë një interviste që dha për revistën “Elite” në vitin 2016.

Ndër të tjera, ai u ndal të komentonte ndarjen nga Dilo, me të cilën bashkëjetoi për rreth 10 vite. “Jam në një fazë interesante të jetës. Ndihem mirë në të gjitha drejtimet. Pastaj italianët thonë që jeta fillon pas të 40-ve. Unë quhem 7 vjeç sipas tyre”, -shprehej Riza, për të treguar se ndihej mirë edhe pas ndarjes, pasi e ndiente veten ende të ri.

Në vazhdim, ai vijonte me një koment për martesën, pa e përmendur emrin e Rovenës: “Ka pasur koncepte strikte për martesën, por besoj konceptet kanë ndryshuar me kalimin e kohës Unë vetë mbetem i mendimit që njeriu nuk ka pse konsumohet nëse nuk e dëshiron një gjë, në rastin konkret martesën. Ashtu siç e përkufizon dhe ligji, martesa është vullnet i palëve për të jetuar së bashku. Nëse vullneti ka humbur, martesa bie poshtë. 

Nuk jam ekspert martesash dhe realisht nuk kam pse vlerësoj as të dështuarat dhe as të suksesshmet. Martesa të dështuara ka pafund, por dhe të suksesshme jo se s’ka, ose ka dhe shumë që duken si të suksesshme, ka njerëz që jetojnë për t’u treguar të tjerëve suksese e lumturi false, unë nuk hyj te këta tipa” , shprehej Riza. Panorama Plus