Aktorja e njohur shkodrane, Drande Xhaj e ftuar mëngjesin e sotëm në emisionit "Rreze Dielli" në Report TV u shpreh se propozimi që ajo të marrë titullin "Mjeshtre e madhe" ka dy vite që rri në tavolinën e Presidencës, por, sipas saj akoma nuk e kanë parë të arsyeshme që Xhaji ta ketë këtë titull.

Sipas Drandes, me titull janë dekoruar artistë që kanë karrierë 10-12 vjeçare, ose artistë që nuk e dihet se ku e kanë bërë karrierën.

"Ka gati 2 vjet që kam propozimin e Këshillit të qarkut Shkodër, drejtorisë së Tetrit Migjeni, në Presidencë për të më akorduar titullin 'Mjeshtre e Madhe'. Nuk e di se çfarë presin, por ndoshta presidenti paraardhës, i lëshoi pak si shumë titujt dhe aty janë dekoruar, pa dashur të gjykoj asnjë, se të gjithë kanë talentet e veta, por janë dekoruar artistë që kanë karrierë 10-12 vjeçare, ose artistë që nuk e di se ku e kanë bërë atë karrierë. Unë, vetë fakti që kam rezistuar në Teatrin Migjeni, një nga teatrot elitë të Shqipërisë për 42 vjet me rradhë, nuk e kanë parë hala të arsyeshme, nuk e di ça me thanë. Uroj të më dëgjojë Presidenti i Republikës", ka thënë aktorja.