Ariana Grande u ka shpjeguar fansave se përse filloi të qante gjatë performancës në SHBA mbrëmjen e së shtunës.

Ajo filloi të qante ndërsa këndonte këngën REM nga albumi i saj Sweetener në Enterprise Center në Missouri.

Në një postim në Twitter, që tani është fshirë, Ariana shkroi: “E ndjej gjithçka shumë intensivisht dhe e nisa këtë turne në një periudhë të jetës sime ku ende po përpiqem shumë. Kështu që ndonjëherë qaj shumë.”

Grande u shpreh se e shkroi mesazhin për shkak se ishte shumë mirënjohëse ndaj fansave: “Dua të dini se nëse jeni të lënduar dhe po vuani, ju do ta kaloni dhe nuk jeni vetëm.”

Këngëtarja ka folur për vështirësitë e saj që nga sulmit kamikaz pas koncertit të saj në Mançester në maj 2017, kur mbetën të vrarë 22 persona. Gjithashtu ish-i dashuri i saj Mac Miller vdiq shtatorin e kaluar dhe fejesa me komedianin Pete Davidson përfundoi në tetor.