Dhjetë ditë më parë, Presidenti i Republikës nderoi me dekoratën Mjeshtër i Madh një sërë artistësh dhe profesionistësh vendas. Ndër ta ishin dhe Julian Deda dhe Rozana Radi. Dekorimet e tyre hasën shumë polemika nga publiku dhe vetë Presidenti u gjend nën kritika për përzgjedhjen.

Në po të njëjtën datë është dekoruar edhe muzikanti Frederik Ndoci. Në dallim me dy të lartpërmendurit, Frederiku nuk e falenderoi Presidentin për vlerësimin. Sot, këngëtari postoi një status në profilin e tij në Facebook, ku ironizonte shkaqet për të cilat dekorohen “mjeshtërit e mëdhenj” sot.

Në faqen e presidencës, për dekorimin e Frederik Ndocit shkruhet: Presidenti i Republikës, Bujar Nishani i akordoi dt. 12/06/2017, nr. dekreti 10420 zotit Frederik Ndoci Titullin “Mjeshtër i madh” me motivacionin: “Si mjeshtër i përkryer dhe interpretues i rrallë prej disa dekadash, në fushën muzikore, në artin skenik dhe atë kinematografik; si artist dhe këngëtar virtuoz e mjaft origjinal, që jo vetëm ka merituar duartrokitjet e panumërta të publikut brenda dhe jashtë vendit, por ende vazhdon ngjitjen dhe shkëlqimin e tij artistik e frymëzues, me po aq talent e përkushtim sa në fillesat e tij”.

Si përgjigje, Frederiku ka shkruar një listë arsyesh, të cilat ai i mendon të denja për t’u dekoruar. Shkrimi është qartazi ironi dhe ka hasur komente pozitive nga ndjekësit.