Pas 11 vitesh histori dashurie me biznesmenin nga Kosova, Ethem Ramadani, sopranoja e njohur Inva Mula duket se i ka dhënë fund edhe historisë së dytë të rëndësishme të jetës së saj. Kështu, pas divorcit të bujshëm nga Pirro Çako me të cilin ka një djalë, Anthonyn, Inva i jep fund edhe me Ethemin, babain e vajzës së tyre, Nina.

Burime pranë çiftit kanë treguar për “Panorama Plus”, se thashethemeve të këtyre viteve të fundit për krizën e shumëpërfolur Inva-Ethem, u është vënë kapaku më një ndarje, por jo si gjithë të tjerat. Kjo për faktin, sepse është ndër të paktat raste kur çifti VIP ndahet dhe mbeten miq, duke qenë se ata janë parë ndonjëherë në shoqërinë e njëri-tjetrit, madje edhe për jetë nate.

Por çfarë ka ndodhur realisht, që Inva tashmë 55 vjeçe dhe kur ka lënë karrierën operistike, vendos të mbyllë një kapitull në jetën e saj për të rinisur ndoshta një kapitull të ri? Sipas burimeve tona, Ethemi është larguar nga banesa e përbashkët, në zonën rezidenciale ku jetojnë më të pasurit e Tiranës. Ata tashmë vazhdojnë jetën të ndarë në Tiranë, Inva si një ish-soprano me famë ndërkombëtare dhe Ethemi si një ish-biznesmen i pasur i burimeve të naftës.

Të dy kanë lidhje të forta me fëmijët nga martesat e para, Ethemi me tre vajzat që jetojnë në Londër dhe Inva me djalin që jeton në Paris. Sipas miqve të tyre, kontradiktat kanë nisur për çështje ekonomike, duke qenë se as njëri dhe as tjetri nuk kanë fitimet që kishin në fillimet e njohjes së tyre. Për Invën, njohja me Ethemin, 11 vite më parë, ishte një histori princeshash, me pushime dimërore në kështjella e destinacione luksoze dhe pushime tremujore verore në jahtet e tij, ku Inva kishte të instaluar madje edhe pianon e saj.

Ethem Ramadani, një nga shqiptarët më të pasur në botë, njihet si themeluesi i kompanisë tregtare të naftës “Salbatring Internation al”, pasi emigroi në vitet ’90-të në Slloveni.