E ftuar në emisionin "Rudina", këngëtarja Barbana Dini ka treguar pengun e saj më të madh në lidhje me vëllain e saj të ndjerë, Ergi Dini; faktin që nuk realizoi një këngë me të.

Këngëtarja tha se shumë shpejt do të sjellë për publikun një këngë të Ergit në datën e lindjes së tij, më 18 tetor, këngë që vëllai i saj dëshironin ta realizonin së bashku.

"Realisht e kam shumë peng që nuk kam një këngë me Ergin. Kënga që do vijë shumë shpejt që unë e kam bërë një premtim publik, do vijë datën 18 tetor, në datën e lindjes së tij. Ka qenë një këngë që Ergi kishte shumë dëshirë ta bënim bashkë por mbeti në demo. Nuk arritëm dot ta realizonim të plotë. Por do vijë në ditëlindjen e tij, më 18 tetor. Ky do të jetë projekti im i radhës, më i rëndësishmi që  po i përkushtohem për ta nxjerrë në kohë dhe për të qenë perfekt në çdo detaj, ashtu siç do dëshironte Ergi. Kam përgjegjësi dhe emocione të mëdha, prandaj dhe gjithnjë e kam shtyrë në kohë, por do ta bëj. Kënga është me tekst dhe muzikë nga Ergi dhe titullohet “Ku je?”. Kam vendosur të mos ndërhyj në asgjë, qoftë në tekst dhe qoftë në muzikë, do të jetë ashtu siç ai e ka ndërtuar."