Ish-kapiteni i Kombëtares shqiptare, Lorik Cana ishte i ftuar këtë të shtunë në “Xing me Ermalin” ku ndër të tjera ka treguar arsyet e largimit dhe gjithashtu synimet e tij për të ardhmen.

Gjatë intervistës, moderatori Ermal Mamaqi pyeti Canën si i duket trajneri i ri i Kombëtares dhe si arrijnë të komunikojnë lojtarët me të duke e pyetur nëse të gjithë ata dinë italisht.

“Një pjesë e madhe dinë italisht, kurse djemtë nga Kosova dhe Maqedonia kanë pak vështirësi. Duhet gjithmonë një përkthyes aty. Unë e kam kryer me vite këtë rol me Xhanin”, u shpreh Cana ndërsa Ermal Mamaqi shtoi: “Ti je mjeshtër me gjuhët, di nja 7 gjuhë”, duke zbuluar kështu këtë kuriozitet për Canën.

Dhe po, duket e pabesueshme, por ish-kapiteni i Kombëtares di 7 gjuhë: italisht, anglisht, frëngjisht, gjermanisht, serbisht, pak turqisht dhe sigurisht shqip.

I pyetur nëse do t’i zërë vendin Armand Dukës, Lorik Cana dha një përgjigje befasuese. Ai nuk e ka fshehur dëshirën që një ditë të drejtojë Kombëtaren shqiptare, por ka pranuar se synon edhe më shumë. “Nuk e kam pasur në plan diçka të tillë, por pse jo, ndoshta në të ardhmen.”

Për marrëdhënien me të atin, me të cilin është shumë i lidhur edhe për faktin që ai ka qenë menaxheri dhe trajneri i tij personal, Cana ka treguar edhe një sekret, një hatërmbetje.

“Mua më kishte mbetur hatri për një gjë me babain, por nuk guxoja t’ia thosha. Pse m’i mbante flokët aq shëmtuar. M’i mbante të shkurtra sipër e të gjata mbrapa”, tregoi ish-kapiteni i kombëtares, ndërsa i ati u përgjigj: “Ashtu ka qenë moda!”.