Olta Boka ka thënë gjithmonë që është në një lidhje dhe është e lumtur, por vetëm kaq dhe nuk ka treguar asgjë më shumë. Ditën e sotme këngëtarja shqiptare ishte e ftuar te “Rudina”.

Ndërsa ishte duke rrëfyer për pasionin e saj, udhëtimet, Rudina e pyeti se zakonisht cilët janë njerëzit që e shoqërojnë në këto udhëtime, si për ta nxitur Oltën të rrëfejë më shumë për “shoqëruesin” e saj:

“Unë udhëtoj me njerëz të dashur, me shoqëri. Sigurisht, pjesën më të madhe të këtyre udhëtimeve e kam bërë me njeriun e zemrës, por nuk kam dashur që kjo të mediatizohet. Janë udhëtime të shijuara maksimalisht…” – vijoi Olta si për ta anashkaluar pyetjen e Rudinës. Por moderatorja nuk hoqi dorë kaq lehtë. Ajo vuri re unazën me një gur të çmuar në gishtin e këngëtares, edhe pse kjo e fundit po përpiqej ta mbulonte nga kamera.

Si për ta justifikuar të gjithë këtë refuzim publik për raportin e saj, Olta pranoi se marrëdhënia e saj ka kaluar në një fazë tjetër. Olta pranoi se tashmë ajo dhe Ivi, djali i ish-deputetit Shezai Rrokaj, janë fejuar, por sërish vazhdonte të këmbëngulte për të mos zbuluar asgjë më shumë.

“Realisht, në fakt, nuk e kam dashur kurrë të përdor për asnjë lloj momenti dhe për asnjë lloj arsye jetën time private. Më ka ardhur keq që ai të njihet thjeshtë si “I dashuri i Oltës apo i fejuari i Oltës. Ai bën një punë të tij, përkushtohet dhe ka një karrierë në atë që bën, kështu që unë dua ta ruaj edhe atë, por edhe veten nga i gjithë ky presion. Uroj që fotoja të mund të shuajë kuriozitetin e shumë njerëzve, por nga ana tjetër, kam dashur t’i shijoj hapat e kësaj lidhjeje në mënyrë të shëndetshme, pa presionin e jashtëm”– tha Olta pas fotos të publikuar në ekran.