“Jo vetëm modë” këtë të shtunë i ka kushtuar vëmendje Oriola Marashit, një emër që po kthehet në fiksimin e ri të showbiz-it shqiptar. Fotot e saj bombastike me trupin zbuluar “çmendën” mijëra ndjekës në Instagram. Në fakt 21-vjeçarja ka disa kohë që është në kërkim të famës në fushën e modelimit por vetëm tani arriti të godasë, u shndërrua nga e zakonshme në atë që thuhet se do të jetë ylli i ardhshëm i biznesit muzikor. Pa diskutuar talentin, pasi ende s’kemi dëgjuar një këngë të saj ajo duket e favorizuar për të qenë vajza më e klikuar e internetit.

Në fund të dhjetorit me pjesëmarrjen në “Xing me Ermalin” ajo u prezantua si anëtarja me e re e grupit OTR dhe është mëse e qartë që Noizy po përpiqet t’i shtrojë rrugën që debutimi i saj të mos jetë zhgënjyes, për më tepër kur fansat do ta kishin kollaj krahasimin me ish-seksbombën e grupit, Enca. Strategjia për të bërë bujë tingëllon e njohur, Oriola Marashi duket tamam në gjurmët e paraardhëses së saj Enca Haxhia. Për Oriolën mund të thuhet se ka disa të përbashkëta me këngëtaren Haxhia, e cila komentohet për pozat provokuese. Fotoja topless me pantallona zbërthyer ishte një nga kushtet që sipas modelit të vendosur nga Enca edhe Oriola të quhej një seksi OTR.

Ashtu si Enca edhe ajo i’u përgjigj fansave se zhveshja e saj nuk ka të bëjë me famën duke theksuar se shpenzimet dhe faturat i paguan vetë. Enca Haxhia pavarësisht dështimit në “The Voice” u përpoq në dy edicione të “Top Fest”, por sërish pa sukses. Ajo nisi të bjerë në sy për shkak të pamjes ekstravagante në kripet e saj, ndërkohë Marashi ka anashkaluar fazën e audicioneve, edhe pse me diplomë kantoje në xhep ajo s’ka provuar të këndojë para publikut. 21-vjeçarja duket se ka dalë direkt në temë “duke i vënë gjoksin punës” dhe nëse gjërat funksionuan për Encën, përse të mos funksionojnë edhe për Marashin./tvklan.al