Teksa shpallte nismën për mbledhjen e kontributeve për ta bërë me shtëpi Xheison Baftin, i cili me paraqitjet e tij këtë vit “Në Kurthin e Piter Pan” ka fituar zemrat e të gjithë telespektatorëve, moderatorja Alketa Vejsiu u përlot.

“Këto janë fjalë zemre. Gjatë këtyre ditëve jam përballur me të gjitha llojet e komenteve edhe pse u nisëm me mendimin që të bënim diçka të mirë për njërin nga fëmijët, shumë të dashur për ju, por edhe për ne. Dua të them një gjë të vërtetë të jetës sime personale, është e vërtetë unë kam jetuar në një shtëpi që fuste edhe ujë brenda dhe u rrita me besimin dhe dëshirën e madhe që të bëja diçka të mirë për jetën time. Punova dhe ia dola në një kuptim”, tha Alketa Vejsiu, e përlotur në transmetim live.

Ajo tha se nuk e kishte parashikuar që kjo iniciativë do të merrte këtë përmasë dhe do të ishte kaq mediatike e do të përfshinte kaq shumë njerëz me vullnetin e mirë për të kontribuuar.