Reperi Arkimed Lushaj, i njohur si Stresi, është liruar nga burgu tetë muaj pas arrestimit.

Ai u arrestua më 17 tetor të vitit të kaluar në një hotel në zonën e Linzës me armë dhe kokainë.

Gjatë kontrollit blic, Stresit iu gjet dhe iu sekuestrua një sasi e vogël kokaine, një armë zjarri pistoletë e tipit “Beretta” si dhe 12 fishekë të modelit 7.65 mm.

Drejtësia e ka dënuar Stresin vetëm për armëmbajtje, ndërsa akuza për kokainën dhe grup kriminal ka rënë duke u dënuar me 3 vite burg nga gjykata.

Si pasojë e gjykimit të shkurtuar, përfundimisht ai u dënua me 2 vite, ndërsa u lirua nga gjykata pas tetë muajsh burg me argumentin se nuk përbën rrezikshmëri.

Por kjo nuk ishte hera e parë që Arkimed Lushaj prangosej për mbajtje armësh pa leje, pasi ai njihet edhe për përfshirjen e tij në sherre dhe konflikte të tjera. Stresi përfundoi në prangat e policisë edhe më 13 prill 2017, pasi u kap duke konsumuar kokainë në një lokal në Tiranë.

Ndërkaq, ai është arrestuar edhe disa herë të tjera, pasi qarkullonte me armë pa leje. Madje në disa raste reperi shqiptar i ka publikuar vetë fotot me armë në rrjetet sociale.