Martesa e këngëtares së njohur shqiptare Bleona Qereti me Gani Bardhën disa vite më parë ka qenë mjaft e komentuar në media. Po ashtu mjaft bujë bëri edhe ndarja, ndërsa ra në sy mirëkuptimi mes tyre pas këtij vendimi.

Ndërkohë, një detaj surprizues është zbuluar së fundmi. Bleona dhe Ganiu kanë harruar të ndahen me letra pasi në regjistrat shqiptarë kanë figuruar të martuar deri këtë muaj, përpos procedurave të divorcit në Amerikë të zhvilluara në vitin 2011.

Ky detaj është kuptuar nga një aktvendim i Gjykatës së Apelit në Tiranë të cilin e ka siguruar nga "Prive.al", ku Gani Bardha ka kërkuar njohjen dhe dhënien në fuqi ligjore për zbatim të vendimit të vitit 2011 nga Gjykata e huaj në Michigan për divorcin.

Pas shqyrtimit të kërkesës së parashtruar nga Bardha, trupa e gjyqtarëve kanë marrë aktvendimin në të cilin njohin në fuqi për territorin e Shqipërisë divorcin e çiftit, tetë vite pasi ai ishte kryer në SHBA.