Nadia Toffa, fytyra e njohur televizive dhe moderatore e programit italian shumë të njohur edhe në Shqipëri, "Le Iene", ndërroi jetë në moshën 40-vjeçare pas një beteje të gjatë me kancerin.

Lajmi bëhet i ditur nga redaksia e "Le Iene" me një postim prekës në Facebook:

"Ke luftuar me kokën lart, me buzëqeshje, me dinjitet dhe duke shpërfaqur të gjithë forcën tënde, deri në fund, deri më sot".

"Si pasojë e një sëmundjeje dhjetorin e shkuar (ishte viti 2017) u operova në urgjencë", rrëfente Nadia Toffa në studion e "Verissimo" tetorin e shkuar.

"Më pas bëra kimioterapi dhe radioterapi. Dukej gjithçka e përfunduar, porn ë mars, gjatë një kontrolli, erdhi lajmi i keq. Kanceri ishte rikthyer dhe më operuan sërish".

Që atëherë "Hijena" italiane, nisi pa u trembur luftën e saj kundër tumorit nën tingujt e radioterapisë dhe kimioterapisë. Humbja e flokëve, urryesit që kritikonin ekspozimin e saj në rrjetet sociale, e më pas rënia, lodhja…

Postimi i saj i fundit në "Instagram" daton më 1 korrik, para përkeqësimit të sëmundjes. Si gjithnjë, në foto e shoqëronte qenushi i saj  Totò. "Unë dhe Totò të bashkuar! Po nga anët tuaja ç’bëhet? Ju puth të gjithëve, të gjithëve ".

Më pas asgjë, deri te lajmi i tmerrshëm i ditës së sotme.