Grupi “West Side Family”  ishte një nga grupet më të dashura në kohën kur ata ishin aktiv në tregun muzikor. Vetëm para pak kohësh dy anëtarët Landi dhe Miri sollën një këngë dedikuar anëtarit të tretë Dr Florit që humbi jetën në mënyrë tragjike para pak vitesh.

I ftuar në emisionin ‘’Boom’’në Ora News, Landi ka rrëfyer më tej për këngën, por edhe ka kujtuar momente kulmore në karrierë të grupit.

"West Side Family" ka pasur dy bashkëpunime me kryeministrin Edi Rama, në kohën kur ai ishte kryetar bashkie dhe kryetari i PS, përkatësisht me këngët “Tirona” dhe “Çohu”.

Për ‘’Boom’’ Landi tha se këngët e tyre përgjithësisht kanë pasur në brendësi tematikën e politikës. Duke iu referuar shprehjes që kryeministri Rama përdor për median, Landi tha se “kazani më i madhe është politika”.

"Ai ka qenë shumë bashkëpunues te kënga “Tirona” shumë bashkëpunues tek kënga “Çohu”. Di të them që Flori mbase mund të kishte marrë një frymëzim së brendshmi, nuk dua të aludoj por mbase mund të kishte bërë edhe ndonjë këngë për “kazanët”.  “West Side Family” ka nisur me këngën “Tik tak tingujt e jetës” që për kohën sulmon politikën si ishte në atë kohë. Përveç “Tironës” ajo që bëri zhurmë ishte kënga “Zemërthyer” edhe ajo një revoltë kundër politikës.  Edhe mesazhi që ne japim me këngën “Beso” ka përfshirë pjesën që korrupsioni është prezent edhe pas 27 vitesh. Pra kazani më i madh është politika. Kur unë kërkoj gjithmonë nga vetja ime gjithmonë më tepër  që të dukem më mirë, të jap më mirë politika nuk e ka bërë këtë", u shpreh ai.