TIRANE – “Është një mungesë, e cila do doja të më përmbushej. Mendoj që është e nevojshme për të pasur një jetë të plotë. Një dashuri, është gjëja më e bukur që mund të të ndodhë. Aktualisht, ndihem mirë shpirtërisht, por ende nuk kam diçka të re në jetën time për të ndarë me publikun”. Kjo ka qenë përgjigjja e Rudina Magjistarit, një vit më parë në “Bluetooth”, ndërsa është pyetur nga ne mbi të rejat në jetën sentimentale.

Prezantuesja e dashur, ka shtuar sakaq: “Po të kisha ndonjë gjë të re për të ndarë me publikun, do ta kisha thënë, pasi tashmë njihemi aq shumë dhe ndihem aq e afërt me publikun, me njerëzit, sa më duket normale të flas edhe për ngjarjet e jetës sime private”. Mesa duket ai moment ka ardhur, veçse këtë herë nuk ka qenë Rudina ajo që e ka nxjerrë lajmin, por miqtë e saj të afërt dhe kolegët në “Televizionin Kombëtar Klan”. 

Xhavit Bajrami është emri i djalit që i ka vjedhur zemrën bukuroshes së ekranit. Për ata që e kanë ndjekur me vëmendje Rudinën këtë fillim viti, emri i zotit Bajrami nuk është krejt i panjohur. Në panelin e parë të të ftuarve për këtë vit, ishte edhe ai. Sepse edhe ai, mund të renditet në njerëzit me një profil të njohur publik. Xhavit Bajrami është kampion i kick box-it, duke fituar kështu disa çmime të rëndësishme internacionale.

Origjina e tij është nga Kosova, por prej vitesh vendbanimi i tij ka qenë Zvicra dhe Japonia. Së fundmi është parë shpesh në Tiranë dhe siç duket arsyeja ka qenë biondja plot sharme e ekranit. Madje kolegët në “Tv Klan” thonë se ai e çon dhe e merr Rudinën nga puna çdo ditë. Duke qëndruar në pritje të një rrëfimi nga prezantuesja, urojmë që kjo histori të zgjasë pafundësisht, që të kemi një dasmë, madje pse jo, edhe shumë fëmijë, për të përmbushur kështu edhe dëshirën e Rudinës, të cilën, kur e kanë pyetur se ku e sheh veten pas dhjetë vitesh ka thënë: “Në bregdet, me fëmijët e mi”.