Grida Duma: Ministrja Nikolla po tallet me maturantët, të ikë!

08/09/2016 - 08:43

Sekretarja për Marrëdhëniet me Publikun në PD, Grida Duma në një intervistë për “News24” deklaron se ‘Partia Demokratike e kishte parashikuar atë që do të sillte pseudoreforma e qeverisë në arsim’.

Duma akuzon Ministrinë e Arsimit se po tallet me të rinjtë, teksa kërkoi që ligji të stopohet me qëllim rifillimin e një procesi me kritere objektive. Ajo thotë se maturantët janë të frikësuar se mos ngelen jashtë dyerve të universiteteve ndaj kanë frikë të dalin në protestë.

Po kështu Duma thekson se mënyra si e përllogarit mesataren Ministria e Arsimit është
abuzive dhe korruptive.

“Opozita nuk do të lejojë të luhet me të ardhmen e të rinjve. Largimi i ministres Nikolla është e para gjë që duhet të ndodhë. Eksperimentet me arsimin e lartë, duhet të marrin fund, këtë e parashikon edhe alternativa e Partisë Demokratike. Kjo provë që bëhet me arsimin, që në çdo mandat prodhohen prova të reja, çdo mandat hidhet poshtë një gjë e mirë, kjo është një gjë që duhet të ndalohet”, shprehet Duma.

Për sa i përket protestës së djeshme, ajo thotë se kanë marrë pjesë vetëm 1 e 1000-ta e maturantëve.

“Janë shfaqur në protestë 1/1000 e maturantëve. Ata kanë frikë se mos penalizohen në raundin e dytë për shkak të protestave. Pseudoreforma ka çuar në atë që ka parashikuar PD, marrjen peng të sistemit. Mënyra si e përllogarit mesataren ministria është një mënyrë abuzive dhe korruptive, e cila bën që në fund të ditës të dalë jashtë sistemi një mesatare me 9.98 pikë. Ministria ka nxjerr një listë me 2 mijë emra, pse nuk nxirret lista me gjithë aplikantët? Tallen me maturantët duke iu thënë se nuk keni fituar shkallën e parë por keni të drejtën e ankimit. Maturantet janë penalizuar sepse janë mbajtur në terr informativ me qëllim, nuk i kanë informuar për grup lëndët që janë përcaktuese për degët që kanë kërkuar”, thotë Duma më tej.

Sipas saj, protesta më të mëdha duhet të ndodhin dhe do të ndodhin. “PD do ndërmarrë çdo hap ligjor, politik për t’iu gjendur pranë maturantëve. PD do ndërmarrë çdo hap ligjor, politik dhe çdo presion social për të siguruar që procesi të ndaloje dhe të rifillojë një proces me kritere objektive”, shprehet ajo.

/BalkanWeb

/portali DurresLajm/

Na bëni like në facebook!: