Grusht shteti në Turqi, tanket në rrugë (FOTO & VIDEO)

15/07/2016 - 22:49

Një pjesë e ushtrisë po tenton një grusht shteti në Turqi. Ky është alarmi i dhënë nga kryeministri turk, Binali Yildirim, pas raportimeve se avionë luftarakë dhe helikopterë kanë fluturuar shumë ulët mbi Ankara dhe Stamboll.

Të shtëna janë raportuar edhe në kryeqytetin turk, Ankara, ku janë parë gjithashtu avionë dhe helikopterë ushtarakë nëpër qiell. Sipas raportimeve në “Twitter”, autoritetet kanë mbyllur dy urat e Bosforit në Stamboll, mbi të cilat janë parë të fluturojnë avionët luftarakë.

Një helikopter ushtrie raportohet të ketë hapur zjarr në një lagje të Ankarasë, aty ku ndodhet edhe selia e Shërbimeve Sekrete turke. Sipas Yildirim, forcat e sigurisë së Turqisë janë duke bërë gjithçka nevojitet për të zgjidhur situatën.

Incidentet e fundit kanë tërhequr vëmendjen e të gjitha medieve botërore, për shkak se kryeministri Yildirim ka dalë në një konferencë për shtyp ku ka folur shkurtimisht.

“Disa persona kanë ndërmarrë në mënyrë të paligjshme veprime jashtë zinxhirit të tyre të komandës”, tha Yildirim në konferencën e transmetuar nga kanali privat televiziv “NTV”. “Qeveria e zgjedhur nga populli mbetet ende në pushtet. Kjo qeveri do të veprojë për sa kohë që populli ta vendosë këtë gjë”.

Megjithatë, pamjet e publikuara nga “NTV” tregojnë tanket teksa futen në hyrjen e Aeroportit “Ataturk” të Stambollit, që vetëm pak kohë më parë ra pre e një sulmi terrorist.

Pamjet e “Dogan News Agency” tregojnë devijimin e makinave dhe autobusëve nga dy urat mbi Bosfor, ndërkohë që “CNN Turkey” shfaq dy mjete të rënda të ushtrisë të pozicionohen së bashku me një grup ushtarësh në hyrje të njërës prej dy urave.
Një zyrtar turk tha se ushtarë janë dislokuar edhe në qytete të tjera të Turqisë, por pa specifikuar se në cilat.

Arsyeja se përse Forcat Ajrore të Turqisë janë ngritur në veprim mbrëmjen e kësaj të premteje mbeten ende të paqarta.

Por mësohet se rrjetet sociale “Facebook” dhe “Twitter” janë bllokuar në Ankara gjatë së premtes, siç raporton “Ria Novosti”. Sipas medieve lokale, i gjithë personeli i sigurisë është thirrur urgjentisht në detyrë.

/portali DurresLajm/

Na bëni like në facebook!: