Harito: Fluks aplikimesh online. Hap drejt lirisë së konkurrencës

12/07/2013 - 14:47

TIRANE, 12 korrik 2013 - Partia Socialiste ka dhënë detaje rreth shifrave të reja të aplikimeve online, përmes CV në kuader të nismës së kreut të PS-së Rama.

Në një deklaratë për mediat, deputetja Milena Harito theksoi se numri më i madh i aplikuesve janë të moshës së re, por nuk kane munguar edhe CV e atyre që i kanë kaluar të 40-at.

Deklarata e plotë

Apelit të kryeministrit të zgjedhur për të shprehur online interesin për t’u provuar për skuadrën e re për Shqipërinë, i janë përgjigjur deri tani 5280 persona:

2383 femra dhe 2897 meshkuj

Kjo është një përgjigje ngazëllyese qytetare për projektin tonë afatgjatë të krijimit të bankës së të dhënave, mbi kapitalin njerëzor të Shqipërisë.

Ndërkohë që aplikimet vazhdojnë, deri tani shprehja e interesit ka ardhur nga të katër anët e botës dhe përkatësisht:

5007 brenda Shqipërisë dhe 273 jashtë Shqipërisë

Interesante është edhe e dhëna mbi grupmoshat e interesuara:

nën 25 vjeç  1320 persona

26‐30   vjeç   1782 persona

31‐40  vjeç   1394 persona

41‐50 vjeç    423 persona

Mbi 50  vjeç   361 persona.

Ne po punojmë për t’i sistemuar aplikimet sipas kategorive profesionale, sipas shkallëve të eksperiencës, si edhe për të përgatitur kalimin në fazën dy ku të gjithë aplikantët do të marrin informacion prej nesh.

Sqarojmë përsëri se ky nuk është një premtim për punë, po një hap  i rëndësishëm drejt lirisë së konkurrencës dhe vlerësimit sipas meritës në këtë vend.

Përmes kësaj baze të dhënash do të bëhet e mundur që në konkurset për vendet vakante ose të reja në sektorin publik të ketë shumë më tepër kandidatë, duke i bërë konkurset plotësisht të hapura për këdo që ka interes të provohet.

Kjo është një rrugë për t’i dhënë fund praktikave të errëta tradicionale larg syve dhe vëmendjes së publikut.

Jemi angazhuar që çdo njeriu të zot dhe të gatshëm për të kontribuar për ndërtimin e Shqipërisë Europiane në sektorin publik, t’i japim mundësinë të provohet e të angazhohet sipas meritës. Këtë sapo kemi filluar të bëjmë.

Por, kjo bazë të dhënash do të jetë një mundësi e re edhe për sektorin privat që të kërkojë njerëzit e duhur duke informuar në këtë rrjet të ri, për vende të reja pune.

Aplikimet vazhdojnë dhe ne inkurajojmë këdo që dëshiron të mos ngurrojë. Është një nismë e re dhe një praktikë e re shumë bashkëkohore, të cilën do ta përsosim rrugës vetëm së bashku.

 

/portali DurresLajm/

Na bëni like në facebook!: