Harta e qyteteve të rrezikuara nga tërmetet, Durrësi ndër të parët

Postuar: 26/08/2016 - 16:59

Qytetet përgjatë vijës bregdetare bëjnë pjesë në “zonën e kuqe” sa i takon rrezikut për t’u goditur nga tërmetet. Sizmologu Rrapo Ormeni thotë se Shkodra, Durrësi, Vlora dhe Saranda janë qytetet ku vala e lëkundjeve është më e lartë.

Por, përveç tyre, ka edhe një brez tjetër që po ashtu rrezikohet. Bëhet fjalë për Lushnjën, Elbasanin, Dibrën dhe Shkupin. Predispozita për lëkundje sizmike në këto zona lidhet me faktin se janë goditur edhe më parë.

“Për tërmetet në Shqipëri shkak është përplasja e mikropllakës së detit Adriatik dhe Jon me tokën shqiptare. Si pasojë e kësaj, që nga Shkodra, Durrësi, Vlora dhe deri në Sarandë ndodhin deformime të mëdha. Janë pikërisht këto zona, ato të cilat rrezikohen më tepër nga tërmetet. Por tërmetet nuk ndodhin vetëm përgjatë vijës bregdetare. Po ashtu kemi një brez tjetër, Vlorë-Lushnjë-Elbasan- Dibër-Shkup, në të cilën kanë ndodhur tërmete të mëdha. Kjo, për shkak se aty ku ka ndodhur një herë tërmet, ka predispozitë për të goditur sërish, sepse tektonika është më e dobët” thotë Osmeni për Panorama.

Në të njëjtën kohë Osmeni tregon edhe sesi duhet të mbrohemi kur vendi ku ndodhemi goditet nga tërmeti.

“Kur bie një tërmet, ajo që duhet të bëjmë është pikësëpari të jemi të qetë. Mirë është të futemi nën një objekt, p.sh. nën një kënd apo nën një tavolinë. Dhe është mirë që pas goditjes së parë, të dalim menjëherë jashtë, sepse lëkundjet përsëriten, sikundër ndodhi në Itali. Ndërsa nëse jemi jashtë, mirë është që të rrimë në një vend të zbuluar” thotë ai.

/portali DurresLajm/

Na bëni like në facebook!: