Hodo: Mbijetesën e sigurojmë në duelin me Apoloninë

30/04/2015 - 12:12

30 prill 2015 - Teutën e pret një kalendar shumë i vështirë në këto katër përballje të fundit të kampionatit. Mirëpo, në kampin durrsak janë të bindur se do të grumbullojnë pikët e nevojshme për të mbijetuar në Kategorinë Superiore.

Mesfushori i Teutës, Bledar Hodo, i konsideron katër finale, ndërsa deklaron se mbijetesa do të vendoset në përballjen direkte me Apoloninë.

“Hodhëm një hap të gabuar në përballjen me Partizanin e për pasojë situata është shumë e vështirë për të arritur objektivin. Na pret një kalendar jo i lehtë dhe duhet të jemi gati për t’i përballuar si duhet ndeshjet e mbetura, sepse në të kundërt situata do përkeqësohet edhe më shumë. Duhet të japim maksimumin, për të marrë pikë në çdo përballje, qoftë edhe në atë të radhës ndaj Skënderbeut. Për ne do të jenë katër finale. Për sfidën me korçarët jemi tejet të motivuar dhe do t’i sfidojmë”.

Fierakët janë  kundërshtari direkt i Teutës në luftën për mbijetesë, dhe sipas Hodos përballja me ta do të jetë më e rëndësishmja. “Duke marrë parasysh faktin se kemi një kalendar shumë më të vështirë se kundërshtari, mendoj se ndeshja direkte do të vendosë fatin e secilës prej skuadrave. Ne do përpiqemi sikurse përmenda të marrim pikë edhe në Korçë, por ndeshja ku do të fokusohemi më tepër do të jetë ajo e javës pasardhëse me Apoloninë. Në këtë përballje, çdo rezultat ka vlerë të dyfishtë, por për ne fitorja do jetë kusht i panegociueshëm. Kjo është ndeshja e sezonit, ndaj duhet të japim 200% të mundësive si skuadër dhe si individë. Mendoj se do ta arrijmë synimin”, shprehet Hodo.

/agjencia e lajmeve “Dyrrah”/

/portali DurresLajm/

Na bëni like në facebook!: