I burgosuri shqiptar, kreu i grupit të narkotrafikantëve

27/12/2012 - 00:07

GREQI - Një shtetas shqiptar, që po vuan dënimin me burg për trafikim të lëndëve narkotike, rezulton të jetë koka e një rrjeti trafikimi drogash të forta në ishullin turistik grek, Rodos, raporton Noa.al

Në këtë trafik janë përfshirë disa shtetas grekë dhe një vajzë nga Ukrahina. Gjatë një operacioni policie dy shtetasit grekë dhe 23 vjeçarja ukrahinase janë arrestuar, ndërkohë që dy të tjerë janë shpallur në kërkim.

Gjatë kontrollit të ushtruar në shtëpitë e të arrestuarve, policia sekuestroi rreth 1 kg heroinë. Policia bëri të ditur se heroina kishte ardhur me anije nga Pireu në Rodos.

Në të njëjtën kohë policët grekë zbuluan se fillin e rrjetit të trafikimit të narkotikëve e drejtonte një i ri shqiptar që vuante dënimin në një burg pranë Rodosit. 33 vjeçari shqiptar porosiste heroinën tek grekët dhe më pas kryente shpërndarjen e saj me miqtë e tij në liri.

Policia e zbuloi grupin në fjalë pas përgjimeve dhe infiltrimit të dy policëve në rrjetin kriminal. 

/portali DurresLajm/

Na bëni like në facebook!: