Iljaz Labi, të të “djegë” LSI-a për... korrupsion!

Postuar: 12/07/2016 - 08:52

Nga Thanas Mustaqi

Arrestimi i zëvendësdrejtorit të përgjithshëm të burgjeve, njërit prej figurave të LSI-së, Iljaz Labi, ka shkaktuar bujë, por edhe njëfarë habie për mënyrën se si lau duart ministri i Drejtësisë, Ylli Manjani. Në selinë e LSI-së në Durrës kjo shihet si një luftë klanesh në Tiranë për të shmangur kontribuuesit realë në shndërrimin spektakolar të Durrësit, nga një bastion të së djathtës në një rezervat votash si për PS-në ashtu dhe për LSI-në. Madje, mungesa e Labit në zgjedhjet e ardhshme parlamentare, në të cilat Lefter Koka ka parashikuar që LSI-a do të jetë forcë e parë, do të komprometojë seriozisht këtë objektiv.

Në gjysmën e parë të viteve 1990, kur PS-ja në Durrës nuk dinte ku kishte kokën, Fresshistët vëllezër gjirokastritë Iljaz dhe Melsi Labi (aktualisht drejtor i Muzeut Historik Kombëtar), bashkë me një grup të rinjsh të majtë, me gjithë represionin e pushtetit, arritën të ndihmojnë në ruajtjen dhe forcimin e partisë. Me nxitjen e mentorit të tij, Spartak Braho, Labi kaloi në LSI, ku punoi fort në ngritjen e strukturave të saj dhe u bë krahu i djathtë i Lefter Kokës. Labi u zgjodh sekretar politik i LSI-së i qarkut të Durrësit dhe ishte i dyti, pas Kokës, në listën për deputetë për zgjedhjet e përgjithshme të vitit 2013.

Por nisur nga opinioni i përgjithshëm për partinë e Ilir Metës si parti klienteliste, korrupsioni në tenderë ushqimesh mund t’i bëjë të besueshme akuzat ndaj Labit dhe duhet të presim verifikimin e tyre. Gjithsesi, para Labit ka të tjerë si në LSI, PS, PD, PDIU etj. që mund të kenë bërë kërdi me tenderë. Kështu “djegia” e zëvendësdrejtorit të përgjithshëm të burgjeve mund të jetë një “kokë turku” në lojërat që bëhen në kupolën e LSI-së për të shmangur peshqit e mëdhenj nga ndëshkimi i reformës në drejtësi.

/portali DurresLajm/

Na bëni like në facebook!: