Active Albanians: Platforma që bashkon shqiptarët

13/05/2021 - 18:29

Përgatiti E.B. dhe Marsela Bregu

Organizata "Active Albanians" (Shqiptarët Aktiv) u themelua në shtator 2018 në Los Anxhelos, Kaliforni, nga Marsel Alickolli dhe Mario Ismaili. Fillimisht, faqa e facebookut "Active Albanians Los Angeles" shërbeu si platformë për të organizuar aktivitet për komunitetin shqiptar. Të motivuar për të bërë dicka ndryshe, Mario dhe Marseli organizuan një seri  aktivitetesh në zonën e Los Anxhelosit, si “ekskursione” në Palos Verdes, ditë volejbolli dhe plazhi që rezultuan në një pjesëmarrje të suksesshme.

Duke pasur parasysh interesin e shtuar dhe numrin e anëtarëve të rinj, “Active Albanians” filluan të organizojnë veprimtari shumë të suksesshme. Ndër më të njohurat janë: “Paint Balling” (Shtator 2019), “Rock Climbing” (Shkurt 2019), Mud Run (Shkurt 2020), Bowling (Nëntor 2019), Hiking (Dhjetor 2018), Surfing (Mars 2019). Aktiviteti me ndikimin më të madh nga të gjitha ishte mbledhja e fondeve gjatë tërmetit në Shqipëri në vitin 2019.

Anëtarët e ‘Active Albanians’ tregojnë se jeta e tyre është ndikuar pozitivisht si rezultat i drejtpërdrejtë i aktiviteteve të grupit. Rena Kujxhiu, një anëtare e ‘Active Albanains’ shprehet: "Unë tani kam më shumë miq shqiptarë që do i kem gjatë gjithë jetës sime vetëm për shkak të aktiviteteve tona." Besiana Husted tregon se, "Kjo organizatë më ka lejuar të lidhem me pjesë të vetes që mendoja se i kisha humbur qëkur u transferova në Shtetet e Bashkuara. Ne jemi rritur në mënyrë aq të ngjashme, sa edhe pse nuk jemi rritur së bashku, duket sikur e kemi njohur njëri-tjetrin që kur ishim të vegjël. Eksplorimi i natyrës dhe aventurat tona na kanë lidhur më shumë ndërsa  mësojmë dhe inspirohemi nga njëri-tjetri. Vjen një moment që e kupton sa jemi shumë fatlumë që kemi të njejtën markë: ‘Prodhuar në Shqipëri’.”

“Jam i lumtur të shikoj rritjen dhe impaktin pozitiv që ka sot Active Albanians në Amerikë dhe jo vetëm. Jemi të përkushtuar t’i shërbejmë komunitetit tonë shqiptar dhe shpresojmë të forcojmë akoma më tepër rolin aktiv në Sh.B.A.,” tha Mario Ismaili, bashkë-themelues i shoqatës “Active Albanians”.

Intervistë me bashkë-themeluesin e organizatës “Active Albanians” Marsel Alickollin

Mund të na tregoni pak për veten tuaj dhe motivimi i krijimit të organizatës “Active Albanians”? 

Marsel Alickolli: Unë kam lindur në qytetin e bukur të Pogradecit dhe u zhvendosa në Sh.B.A. në vitin 2002. Një nga arritjet kryesore në aspektin profesional ka qenë diplomimi në Universitetin DePaul në Çikago në fushën e financës. Pavarësisht se komuniteti shqiptar në Shtetet e Bashkuara është rritur ndjeshëm që nga dy dekada më parë kur unë u largova nga Shqipëria, unë gjithmonë kam menduar se ne gjithmonë mund të bëjmë diçka më shumë për të forcuar komunitetin tonë.

Ideja, në fillim, ishte t'i jepja komunitetit tim Shqiptar një shans për të provuar përvoja të reja aktive pa u shqetësuar për kostot, (ne ndamë pajisje për ski, zhytje, peshkim, sërf) dhe ndërkohë t’i lejoja ata të gjejnë miqësi të reja që zgjasin për gjithë jetën. Grupi “Active Albanians” është një  mundësi e mirë për dikë që të gjejë pasione të reja dhe të sfidojë veten ndërkohë që është pjesë e një komuniteti mbështetës dhe miqësor. Nga ana tjetër, ne kemi një sërë aktivitetesh të ndryshme (madje edhe ato që përfshijnë të gjithë familjen) dhe roli im është të organizoj një larmi eventesh   ku të gjithë ndihen të mirëpritur.

“Active Albanians” aktualisht është një organizatë modeste por efektive. Qëllimi im është ta kthej këtë grup në një organizatë jofitimprurëse në mënyrë që të siguroj rritje dhe vazhdimësi në të ardhmen.                    

Kur u themelua klubi “Active Albanians” dhe misioni i grupit?

Marsel Alickolli: Ideja e krijimit të një klubi që shkonte përtej grupit shoqëror, ishte diskutuar shpesh në takimet tona. Sidoqoftë, në 9 Shtator 2018 u hap faqja jonë e parë zyrtare në Facebook "Active Albanians Los Angeles" për komunitetin shqiptar në Los Anxhelos dhe shtetet rrethuese. Më kujtohet që bashkë me Marion diskutonim se si mund ti përhapnim aktivitetet tona në faqet e tjera shqiptare në Kaliforni, Arizona, Nevada që zakonisht ndanin deri diku të njëjtat aktivitete si ne me audiencat e tyre.

Qëllimi fillestar i klubit ishte të prezantonte anëtarët e tjerë të komunitetit shqiptar me aktivitetet që nuk ishin njohur më parë, dhe të promovonte aktivitete që të gjithë do të sugjeronin. Kjo ishte një qasje e suksesshme që rriti radhët tona dhe na sfidoi të shtrijmë aktivitetet jashtë shtetit tonë të origjinës. Jam i lumtur të them se qëllimi që ne patëm fillimisht, është tani një mision. Është misioni ynë ta kthejmë organizatën “Active Albanians” në një organizatë të strukturuar jofitimprurëse, një organizatë që mund të marrë jetë dhe t'i japë shumë më tepër komunitetit tonë shqiptar krahasuar me fillimet e saj.

Cila është platforma aktuale e klubit?

Marsel Alickolli: “Active Albanians” tashmë ka tre platforma. Faqja origjinale e “Active Albanians Los Angelos” në facebook, një faqe e re e “Active Albanians DFW” (në zonën e Dallas - Forth Worth) në facebook që synon të organizojë komunitetin tonë fantastik në Dallas, dhe një faqe në Instagram “Active Albanians” që ka si funksion të shërbejë si një pikëlidhje për      të gjithë shqiptarët në Shtetet e Bashkuara dhe pse jo në të gjithë botën. Ne shpresojmë që kur të arrijmë statusin jofitimprurës, të gjitha platformat do të lidhen nën një ombrellë të madhe. Qëllimi është bashkimi dhe fuqizimi i shqiptarve kudo ku ata ndodhen.

Cilët janë disa nga organizatorët kur u themelua klubi?

Marsel Alickolli: Unë dhe Mario Ismaili filluam këtë familje modeste dhe si me magji anëtarët filluan të rriteshin. Disa nga anëtarët përfshijnë: Imir Metushi, Rena Kujxhiu, Nasho Aleksi, Sam Prapaniku, Irini Duro, Besiana Husted, Klejdis dhe Ervina Rodoni, Erjana Rodoni, Joana Marku, Endrit Agastra dhe shumë e shumë të tjerë.

A mund të na flisni për disa nga aktivitetet që grupi ka organizuar?

Marsel Alickolli: Nëse ka diçka për të cilën kjo organizatë krenohet është spektri i larmishëm i aktiviteteve që ka kryer me sukses deri më tani. Ne nuk mund të harrojmë kohën kur djemtë dhe vajzat e “Active Albanians” shkuan të zhyteshin në zonën e mbushur me leshterikë në La Jolla  Kaliforni. Të kapur dorë për dore ngritën nën ujë flamurin Shqiptar dhe atë Amerikan. Ngjarjet e shumta të skijimit në Big Bear dhe Mammoth, Kalifornia nuk kanë qenë vetëm temë e gjunjëve të mavijosur, qepallave dhe historive rreth zjarrit, por gjithashtu kanë pasur një ndikim jo të vogël tek të rinjve tanë që janë pjesë e “Aktive Albanians.” Janë po këta të rinj të cilët mbajnë në zemër moton tonë shqiptare "kurrë mos u dorëzo" dhe e zbatojnë atë në jetën e tyre personale dhe profesionale.

Nëse do të zgjidhja një ngjarje që unë personalisht e mbaj si më të rëndësishmen e të gjithave është mbledhja e fondeve që kemi organizuar gjatë tërmetit në Shqipëri në vitin 2019. Organizata jonë donte të bënte më të mirën për të ndihmuar vendin që na ka dhënë aq shumë ne të gjithëve, identitetin tonë. Ndërsa platforma dhe anëtarët e “Active Albanians” rritën ndërgjegjësimin në komunitet, ne gjithashtu u angazhuam nje mbledhje fondesh për të ndihmuar në lehtësimin e asaj tragjedie për njerëzit tanë në Shqipëri. Logjistika ngriti disa sfida që  shpresojmë të jenë më pak pengesë kur t’a kalojmë këtë organizatë në një organizatë jofitimprurëse.

Çfarë aktivitetesh të tjera ka promovuar grupi?

Marsel Alickolli: Disa muaj më parë ne morëm një sugjerim nga një prej anëtarëve, Jonida Lika për të organizuar një klasë pikture. Për shkak të këmbënguljes së Jonidës dhe gatishmërisë së saj për të organizuar vetë aktivitetin, u realizua, dhe është eventi i vetëm me vajza deri më tani.

Cili ka qenë reagimi nga anëtarët e grupit dhe të tjerët të përfshirë?

Marsel Alickolli: Gjatë kohës që “Active Albanians” ka qenë një grup aktiv, kam parë dy lloj pjesëmarrësish dhe reagimet e tyre janë paksa të ndryshme. Ka nga ata që qëndrojnë anash dhe brohorisin aktivitetet e suksesshme të organizatës sonë. Ky grup është i ndarë midis atyre që ne i quajmë "tifozat e përhershëm", "atyre që duan, por nuk marrin pjesë" dhe "të konvertuarit". Tek nën-grupi i parë hyjnë ata që nuk duan asgjë më shumë përveç se të shohin shqiptarët tanë të bashkohen dhe të përmirësojnë jetën e atyre, gjyshërit janë një shembull i këtij nëngrupi. "Ata që  duan, por nuk marrin pjesë" janë ata që kurrë nuk gjejnë guximin të vijnë në të vërtetë dhe të përjetojnë aktivitetet tona pavarësisht nga dëshira e tyre. "Të konvertuarit" nga ana tjetër janë ata  që janë gjithnjë e më afër të bërit pjesëmarrës në secilin aktivitet.

Përveç këtyre tre grupeve, ata që ja vlen të përmenden janë personat aktivë që bashkohen me ne, dhe në fund të fundit, do të kenë më shumë histori rreth zjarrit për nipërit e mbesat e tyre në një natë të gjatë e të ftohtë dimri në të ardhmen. Historia gjithnjë fillon me, "kur isha unë në moshën tënde."

Cili është mesazhi juaj për rininë shqiptare sot?

Marsel Alickolli: Kur isha i vogël mezi prisja që të rritesha. Si një i rritur, gjithçka që dua është të jetoj si adoleshent. Nga përvoja ime, 10 vjet nga tani, nëse shikoni pas në kohë gjasat janë shumë të ngjashme se do të zhgënjeheni më shumë nga përvojat që nuk keni pasur se sa nga ato që keni jetuar. Gjyshi im në Shqipëri thoshte: "Gjella me kripë dhe kripa me karar." Me fjalë të tjera, jeta është plot me përvoja dhe njeriu duhet të jetë në gjendje të dalë, eksperiencojë dhe të provojë sa më shumë, por gjithçka me masë. Ndoshta ky është çelësi i një jetë të lumtur, të përmbushur dhe të shëndetshme

/portali DurresLajm/

Na bëni like në facebook!: 

Lajme nga e njëjta kategori

Publicisti Veton Surroi është shprehur i befasuar mbi vendimin e Këshillit të Qarkut të Kukësit për t‘i hequr titullin qytetar nderi.

Punimet me dorë apo siç njihen ndryshe “handmade”, janë rikthyer sërish në modë vitet e fundit.

Kjo është kopertina e parë e Noah, djalit bukurosh të Fatmës dhe Alfios, çiftit që kanë mbledhur pas vetes të tjerë fansa me historinë e

Profesor Moikom Zeqo u largua me brengën që po e linte trashëgiminë kulturore në situatën më të rëndë të mundshme: "Shkenca e arkeologjis

Prej një muaji që koronavirusi ka mbërthyer vendin dhe po merr shtrirje të re çdo ditë e më shumë duke zgjeruar hartën e vendeve të preku

Rajoni i Lombardisë është zona me numrin më të lartë të të prekurve dhe të vdekjeve në të gjithë Italinë nga koronavirusi.