Këngëtari i famshëm italian Albano Carrisi e ka vizituar herët Shqipërinë, e kësaj rradhe i është rikthyer Tiranës për të dhënë një tjetër pikëpamje.

Në një intervistë për Report Tv, Carrisi tregon për herë të parë sesi u paralajmërua nga Sigurimi i Shtetit në vitin 89’, pak momente përpara se ai të mbante në stadiumin Qemal Stafa një koncert muzikor.

Ja ta nisnim intervistën më udhëtimin tuaj shumë vite më parë në shtatorin e vitit 1989 në Tiranë, Kemi shkëputur një moment nga koncerti juaj në “Qemal Stafa” në 20 shtator 1989. Çfarë ju kujton ky moment?

Më kujton pikërisht atë që po shoh në këtë moment. Duke dëgjuar këtë zë të tmerrshëm aspak human kujtoj atë mbrëmje, ku pemët e stadiumit ishin transformuar në bistak njerëzish, dhe mbi të gjitha fakti i të komunikuarit me publikun pa folur, kuptoja se çfarë duhet të bëja në ato çaste. Më kujtohet se në krah kisha disa persona të Sigurimit të shtetit që më thanë se nëse sot ndodh ndonjë incident, përgjegjës do të jeni vetëm ju. Dhe unë që iu thashë që po thoni se duhet të pushoj së kënduari. Jo, jo, ju e kuptuat shumë mirë se ç’duam të themi më thanë. Unë nuk kisha asnjë qëllim për të bërë asnjë incident por të krijoja një urë me realitetet që e rrethonin Shqipërinë.

Duke parë entuziazmin në këtë koncert duket se sinjali i parë i demokracisë erdhi në këtë koncert, a mund ta quajmë si lulen e parë të demokracisë shqiptare?

Vite më pas kam takuar presidentin Topi në Sanremo i cili më tha se në atë koncert kur dëgjuam këngën Felicita, pamë gjithë secilin në fytyrë dhe menduam se kishte ardhur moment që vendi të ndryshonte. Gjëja më e bukur ishte se ndryshimi ndodhi në mënyrë paqësore dhe demokratike. 

Meqë përmendët sigurimin në rrëfimin tuaj doja t’ju pyesja si erdhët në Shqipëri dhe rrugëtimin tuaj derisa u larguat?

Unë kisha babain që kishte kaluar disa vite në Shqipëri gjatë luftës së dytë botërore. Dhe im at më tha një fjali shumë të bukur që kishte qenë në luftë por nuk kishte vrarë askënd se pse qëllimi kishte afrimin mes komuniteteve dhe jo shkatërrimin. Dhe ky ka qenë një shembull që e kam mbajtur gjithnjë përbrenda që jeta e njeriut duhet respektuar gjithnjë. Babai kishte kaluar një infarkt dhe më tha se para se të vdiste donte të kthehej në Shqipëri. Dhe kujtoj se ishim në pritje të vajzës Kristën dhe kujtoj që në tetor i kërkuam leje ambasadorit shqiptar në Romë Bashkim Dino që të udhëtonim në Shqipëri . Ai më tha pas 6 muajsh. Unë i thashë se mbas 6 muajsh nuk pret koha dhe se udhëtimin duhet ta bëjmë tani. Më tha që nesër do ju marr në telefon. Dhe ambasadori më mori në telefon të nesërmen dhe më tha që mund ta bëni këtë udhëtim. Shkuam në Janinë pastaj në Kakavijë më pritën disa përfaqësues të qeverisë së kohës dhe kështu kemi hyrë për herë të parë në Shqipëri. Është një vend që më mallëngjeu menjëherë.

Çfarë ju bëri më shumë përshtypje?

Më bëri përshtypje atmosfera si ajo që kisha marrë frymë aty ku u rrita në Cellino San Marco. Ishte sheshi i Gjirokastrës më një dritë të vogël, kishte shumë varfëri si ajo që ishte në Itali pas Luftës së Dytë Botërore. Por gjëja më ë bukur ishte se im atë orë pas orë ditë pas ditë të qëndrimit tonë filloi të merrte forca. Nga Gjirokastra shkuam në Tepelenë dhe ai më shpjegonte se pas asaj kthesë është lumi, pastaj aty është qyteti ku bënin verë Përmeti. Dhe të shikojë sesi ringjallej një babë është mrekullia më e bukur që mund ti ndodhë një fëmije. Pra Shqipërinë e lidh me faktin që im atë u ringjall kur vizitoi këtë vend dhe si një mrekulli iu zhdukën simptomat e infarktit. Më kujtohet në atë kohë dy klarinistë që i bënin një muzikë të mrekullueshme dhe sa do doja t’i dëgjoja sërish. Pastaj këndova në Konservatorin e Gjirokastrës dhe ku improvizuan diçka. Ky ka qenë takimi im i parë më Shqipëri në 1985, pastaj u riktheva në 1987 dhe pastaj vinë dy koncertet në vitin 1989. I pari në Pallatin e Koncerteve ku ishte hera e parë që një këngëtar perëndimor këndonte aty dhe pastaj koncerti në stadiumin “Qemal Stafa”. 

Këngët e koncertit ishin të kontrolluara nga regjimi i kohës?

Jo asnjë kërkesë kontrolli, mbaj mend që kam bërë një koncert në afërsi të Romës në atë kohë, në një kështjellë, dhe erdhën shumë shqiptarë dhe madje edhe nga ambasada shqiptare. Nuk e di nëse duke parë atë spektakël në Romë ata dhanë ‘Ok’ edhe për koncertin në Tiranë por mendoj se po. 

Kthehemi edhe një herë impaktit të parë më Shqipërinë në vitin ’85…

Im atë kur isha i vogël më tregonte për vitet që kishte jetuar jashtë më tregoi më trishtimin që sjell lufta dhe sëmundjen e kapi në luftë. Kërkonte që strehohej në shtëpitë ë shqiptarëve, se jashtë ishte ftohtë. Dhe shqiptarët e kishin mirëpritur dhe për këtë arsye edhe kur u kthye në Itali ka pasur shumë respekt për Shqipërinë. 

Ti kthehemi edhe një herë këtyre dy koncerteve, duke qenë se Shqipëria ishte një vend i izoluar mendoni se keni ndihmuar që shqiptarët të mendonin për Perëndimin , pra a keni stimuluar një lëvizje që do të vinte më vonë?

Nuk e prisja në një mënyrë kaq të menjëhershme, por më pëlqeu shumë që muzika mund të shërbejë edhe për këtë. Dhe një eksperiencë të ngjashme e kam përjetuar edhe ne Greqi në periudhën e kolonelit në 1970, Në stadium ndodheshin 90 mijë vetë dhe aty ndodhi diçka e ngjashme diçka politike. Unë këndoja këngët e Teodorakis që në atë kohë ishin të ndaluara dhe të gjithë çmendeshin. Ishte një eksperiencë shumë e bukur. 

Keni takuar zyrtarë të regjimit të kohës?

Po kam takuar, kam shtrënguar duart por qëllimi im ishte që spektakli me njerëzit që koncerti të dilte sa më mirë. Të lija një shenjë të mirë në këtë vend, mbi të gjitha mbi përgjegjësinë që kisha se isha këngëtari i parë perëndimor që këndoja në Shqipërinë komuniste.

Mund të na hiqni një kuriozitet, pse ishte dora e fashuar në atë koncert?

Unë dua detin dhe pata një aksident me iriqë deti dhe me injektuan kortizon dhe më ishte fryrë dora dhe e operova, pra nuk kisha goditur askënd. 

Pra me dorën e dëmtuar ju kishit një pretekst për të hequr dorë?

Unë jam dikush që përballon gjithçka, unë jam një përfaqësues dhe kam fatin të jem një këngëtar, muzika është gjuha e vetme universale, gjuha e vetme që shkruhet në të njëjtën mënyrë dhe secili e interpreton si të dojë, pra lashë atë shenjë dhe duke dëgjuar zërin tim të atëhershëm jam emocionuar.