Dalina Buzi: Filmi im rrëfen si dashurohet, urrehet dhe tradhtohet në Tiranë

27/04/2019 - 20:10

Me ëndrrën e fëmijërisë në mendje për t’u bërë regjisore filmash, Dalina Buzi tentoi fillimisht nga Amerika prekjen e magjisë që tërheq si magnet. Kur ishte 20 vjeç tregon se ka aplikuar me një skenar në konkursin “Greenlight Project” në SHBA, të iniciuar nga Ben Affleck dhe Mat Damon.

Edhe pse s’fitoi, i bleu vetes një kamera, ndërkohë që filmin e mbante brenda vetes si gurin e çmuar të botës dhe fantazisë së saj artistike, të cilin erdhi momenti ta nxjerrë nga sirtari. “Love, Likes, Tirana” është komedia romantike me autorësinë e saj, që vjen si një serial web-i ku protagonistë të kinemasë dhe muzikës luajnë një sagë dashurie dhe jete ashtu siç ndodh realisht në metropolin e Tiranës.

dalina buzi

Për #LLT-në e komentuar të momentit, paskuintat e marrëdhënies së aktorëve me njëritjetrin, romancën dhe seksin e qytetit, e gjithçka që e keni jetuar e mund të jetoni në Tiranë, Dalina e zbulon në këtë intervistë pa filtra për “Panorama Plus”.

“Love, Likes, Tirana” ose ndryshe #LLT! Si do e zbërtheje idenë e projektit, këtë trifjalësh të web-series të parë në Shqipëri?

#Love është për dashurinë e 2019-ës, ku ajo çfarë jemi dhe ajo çfarë ndjejmë, ecën paralelisht me atë çfarë njerëzit shohin te ne, ose në rastin e kësaj epoke të teknologjisë: në atë çfarë ne zgjedhim që njerëzit të shohin te ne (#Likes). Ndaj titulli ka hashtags (#), sepse për shumë njerëz, sidomos për brezin e ri, çdo gjë e jona bëhet subjekt për share, çdo histori e jona tashmë kalon në filtrin e gjykimit të qindra, mijëra të tjerë, të cilët në një epokë tjetër kufizoheshin vetëm në një rreth të ngushtë shoqëror apo te komshinjtë e pallatit. Gjatë serialit, celulari është trajtuar si personazh, pasi ai ndërhyn aq shumë në jetët tona dhe aq papritur në jetët tona dhe rrjedhimisht edhe te #LLT, ai ndryshon rrjedhën e ngjarjeve. #Tirana, sepse ngjarjet ndodhin në Tiranë dhe sepse është qyteti që i mbledh të gjithë, nga i gjithë vendi.

hostel anabel

Si truri i këtij produksioni, ç’të shkrepi në kokë të marrësh përsipër një projekt, që përveç i bukur, duket dhe i vështirë në një realitet kinematografik si Shqipëria?

Unë nuk bëj asnjëherë plane, por di që në moshë fare të vogël kam shprehur dëshirën se doja të bëhesha regjisore filmash. 8-vjeç, asokohe në ish-11 Janari, mësuesja më zgjidhte mua, vetëm 13 vjeç, të bëja skenarin e koncertit të Vitit të Ri. Kur isha 20 vjeç, kam aplikuar me një skenar në një konkurs “Greenlight Project” në SHBA të iniciuar nga Ben Affleck dhe Mat Damon (natyrisht nuk fitova), dhe po atë vit i bleva vetes edhe një kamera 8 mm.

Pra, filmi në një farë mënyre ka qenë brenda meje, kam lexuar pa fund gjithë jetën time për kinemanë, regjinë, kam parë me qindra filma e dokumentarë dhe kam “zilepsur” çdo regjisor/skenarist që sillte një prodhim shumë të bukur dhe, mesa duket, erdhi momenti. Dhe nëse më vjen, të jem e sinqertë, më vërshon dëshira dhe nuk ka asnjë lloj dige kufizuese (në këtë rast realiteti shqiptar) që të më ndalojë. Thjesht, e bëra.

Një “Romantic Comedy” me shumë situata, aktorë të bukur dhe me grintë që përshtaten dhe shkrihen shumë spontanisht me njëri-tjetrin. Pse zgjodhe pikërisht këto figura dhe jo të tjerë, çfarë të bindi te secili?

Skenari i #Love Likes Tirana nisi të shkruhej në Tetor 2018, kur ne sapo kishim bërë mbledhjen e parë për sezonin e ri të “Hostel by Anabel”. Ndaj ky skenar u “qep” me vajzat e Hostelit në mendje. Në fillim, duke mos ditur se çfarë do bëja, mendova të bëja diçka shumë të thjeshtë. Doja vetëm të shmangia skeçet, që edhe pse patën shumë sukses, u riprodhuan (në një formë tjetër) nga shumë programe të tjera televizive.

Unë doja diçka të re dhe po mendoja madje për një serial, ku e gjithë historia ndodh në një shtëpi apo një zyrë. Pastaj, duke shkruar e rishkruar, arrita te ky miniserial dhe atëherë u pa nevoja edhe për aktorë profesionistë, në role që amatorët nuk mund t’i bënin. Gocat e mia ishin mësuar me kamerat dhe rolet ishin të qepura për to, sikurse edhe roli i Elios ishte i qepur për Alban Ramosaj, të cilit ia ofrova, e bindur se ai  mund ta bënte shumë mirë. Kurse të tjerët duhet të kalonin në audicione. Pak a shumë nga ndjesia, por duke përfituar edhe nga sugjerime të profesionistëve që i vlerësoj shumë, zgjodha ata që më duken shumë natyralë.

hostel anabel1

Përveç vajzave të Anabel Hostel, kasti përfshin emra të njohur të muzikës dhe kinemasë si; Egla Ceno, Alban Ramosaj, Ina Gjonçi, Eni Shehu, Alex Seitaj, etj.. Kjo do të thotë që tashmë për ta ka filluar një jetë e re në serial, ndaj s’është çudi që të kemi dhe flirte e lidhje në paskuinta?

Të jem e sinqertë, puna ka qenë aq shumë intensive, saqë nuk kemi pasur kohë as të pimë një gotë për qejf këto kohë. Natyrisht, të gjithë janë tërheqës dhe shumica “single” (qesh), por me aq sa di unë dhe aq sa më thonë (se natyrisht producentja e merr vesh e fundit), nuk di të ketë pasur ndonjë flirt. Nuk kemi pasur luksin e flirtimit, madje edhe bukë hanim në këmbë.

Serial web-i vjen në formë episodike, i prodhuar për t’u publikuar në internet. Mosshfaqja në ekran do të thotë që mund jeni më të lirë për të përdorur fjalë me pullë të kuqe pa problem apo skena më të forta?

Nëse do ta shfaqja në ekran, do ta shfaqja po njësoj dhe nëse ekrani nuk do të bindej, atëherë nuk do ta transmetoja. E them këtë, sepse unë jam përpjekur që ta mbaj serialin sa më afër realitetit dhe në realitet njerëzit shajnë. Në orën 21:00, në kanalet më të mira të huaja jepen seriale, ku nuk mungon fjala “F*ck” dhe variante të saj në gjuhë të tjera. Thjesht vendoset një “beep” dhe kaq. Por ta shmangësh të sharën e të thuash “Dreqi e marrtë” në gojën e një burri shumë të nevrikosur, për shembull, nuk ka shumë sens, kur në jetën reale, sa çuna të rinj njeh që thonë “Dreqi e marrtë!” ose “Na çave kokën”?

dalina buzi1

Ti si krijuesja dhe producentja ekzekutive dhe regjisori Endrit Delisula, cilën do të konsideroni pjesën më kulminante të këtij sezoni të parë?

Mendoj që pjesa më kulminante është fakti që ia dolëm. Ka qenë një prodhim shumë i vështirë. Kur ia dorëzova skenarin Endrit, kisha frikë, sepse e dija çfarë pune e llahtarshme që na priste. Për më tepër, unë dija dhe kostot dhe kur e shkruajta, kisha zero lekë buxhet për ta nisur këtë prodhim. Të shtojmë këtu dhe mbi 30 aktorë, lokacione xhirimi pa fund, kostumografi dhe një kohë tmerrësisht e kufizuar dhe vërtet ishte një punë, për të cilën sinqerisht prisja që Endri ta refuzonte direkt. Por ai u dashurua me skenarin dhe me rrëmujën, pasigurinë (si eksperiencë e parë) dhe mungesën e një buxheti të mjaftueshëm, e bëmë.

Tirana në serialin tuaj vjen si skena ku ndodh gjithçka. Do të bësh pjesë të projektit edhe kriminelët, eskortat apo prostitutat?

Në këtë sezon jo. Besoj se kemi parë mjaftueshëm prodhime dhe skeçe, ku reklamohet kjo pjesë e shoqërisë. Madje, unë në këtë serial jam munduar të bëj të kundërtën. Në vazhdim, do të shihni se koncepti për një karakter të caktuar që do t’u krijohet njerëzve, nisur nga një paragjykim i përgjithshëm do të hidhet poshtë.

Unë këtë serial e kam bërë për qindra mijëra njerëz të tjerë, si unë, ti e shumë që njohim, që përpiqen të jetojnë normalisht në këtë qytet, pa qenë nevoja të atashohemi me banda kriminale apo të shkojnë me lekë për të mbajtur veten. Do të ketë prekje të këtyre temave gjatë këtij sezoni, por kaq. Në sezonin e dytë të shohim. Por edhe nëse më vjen ideja e një “krimineli” apo “eskorte”, të jini të bindur, që mënyra e trajtimit do të ketë edhe një moral brenda.

hostel anabel2

Zoi dhe dehja e saj, pasi e kapi partnerin me një femër tjetër, tërhoqën vëmendje. Në këto raste aktorët dehen vërtet sa të zbulojnë veten, apo bëjnë si të dehur?

Zoi, në këtë rast aktorja Megi Pojani, i ka bërë të dyja. Ka luajtur të dehurën edhe kur nuk ka qenë e dehur, por edhe ka pirë pak. Në fakt, aktorët të këshillojnë të mos pish, por unë nuk mendoj që ka shkollë për këtë. Në gjendje të dehur, njeriu ka një trashje të gjuhës, siç e quajmë në gjuhë popullore, që ndoshta nëse nuk ke shumë eksperiencë në aktrim, mund ta kesh të vështirë ta përftosh.

Megi vetë vendosi që ta përjetonte tamam, ndaj në skenën e plazhit ajo piu pak paraprakisht, por aq sa të “çlirohej si personazh” se ndryshe, nëse do të pinte shumë, s’do xhironim dot. (qesh) Por Megi, edhe pse pa eksperiencë kinematografike të mëparshme, mendoj se është një aktore e shkëlqyer, shumë inteligjente për të kuptuar situatën dhe për të zbërthyer personazhin.

Në këtë serial vjen ideja që Tirana është metropoli modern kur ende besohet te dashuria?

Unë e them gjithmonë: Kam udhëtuar shumë dhe kam jetuar gjatë jashtë. Pavarësisht vendit, pavarësisht zhvillimit ekonomik të vendit ku jeton, janë disa ndjesi që janë të njëjtat kudo. Dashuria është një prej tyre dhe njerëzit duan të besojnë te dashuria dhe njerëzit kudo, kur tradhtohen, ndihen keq, sepse raca njerëzore udhëhiqet nga ego.

Po Tirana, ku shijohet liberalizimi seksual si në çdo vend poskomunist, si vjen këtë serial? 

Liberalizimi seksual quhet tashmë i tillë në Shqipëri, sepse 30 vjet më parë, nuk guxonim ta përkufizonim, por seks është bërë gjithmonë. Tradhti ka pasur gjithmonë, thjesht ne nuk flasim për këtë gjë dhe nuk jemi marrë shumë në televizion apo filma me eksplorimin e vetes.

E kemi shmangur gjithmonë veten, kemi kërkuar gjithmonë t’i ndajmë veprimet thjesht në të gabuara dhe të drejta dhe të luftojmë, të paktën publikisht, të atashohemi me “të drejtën.” Po si mund të përcaktojmë “të drejtën” në një marrëdhënie dashurie, kur dinamikat janë krejtësisht të ndryshme, njerëzit janë krejtësisht të ndryshëm nga njëri-tjetri, mbarsin bagazhet e tyre familjare, sociale dhe rrjedhimisht marrin vendime që kanë lidhje me kontekstin e asaj që ata janë dhe asaj çfarë po ndodh në moment.

Secili e krijon vetë rrugën e kërkimit të dashurisë dhe nëse pi, nëse shkon në motel me një të panjohur e nuk rri e qan në dhomë vetëm, nuk të bën detyrimisht më të keq (apo më të pandershëm). Fakti që vajzat e gjejnë shumë veten te veprimet e personazheve të #LLT, do të thotë që unë nuk kam sjellë asgjë “të huaj” me këtë miniserial, por thjesht kam sjellë jetët e tyre në ekran, Tiranën që është momentalisht.

Si do të vazhdojë historia e #LLT, do e zgjerosh kastin me personazhe të tjerë dhe ç’mund të zbulosh më shumë?

Pak përpara kësaj interviste, isha në postproduksion, duke punuar për serinë e 10-të dhe kisha harruar se sa gjëra të reja do të vijnë. Nuk dua të zbuloj shumë, por të paktën mund të them, që nëse Luna, personazhi i “dashnores”, deri tani është urryer ose mishëruar, tani do të pëlqehet. Në këtë serial, siç thashë, askush nuk është “i keq i keq”, por të gjithë janë shumëdimensionalë.

/PANORAMA PLUS

/portali DurresLajm/

Na bëni like në facebook!: 

Lajme nga e njëjta kategori

Ish-ministrja e Integrimit, Klajda Gjosha flet në një intervistë për gazetën “standard” mbi krizën politike e kushtetuese që ka prekur ve

Ermina Lekaj Prljaskaj prej dy mandatesh është deputete e vetme shqiptare në parlamentin e Kroacisë, por dhe njëra prej 32 femrave të kët

Sharmante, por me një autoritet të padiskutueshëm, deputetja e Partisë Demokratike, Grida Duma do të ndajë me të gjithë ndjekësit e My Li

“Late Night Show” është programi më i ri që Klevis Bega, i njohur si Kastro Zizo, ka nisur këtë vit të ri 2019 në ekran.

Së bashku me emisionin më të ri sportiv, “Pressing”, pjesë e televizionit ABC News është bërë edhe një ndër vajzat më të bukura në Shqipë

Nga Metila Dervishi

Kur 'patriotizmi' nuk tregohet vetëm me një flamur dhe për dy ditë festash! 

Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi është në një vizitë zyrtare në Shtete e Bashkuara të Amerikës ku ka bërë disa takime me zyrtarë të lar

Dashuri Bilaj është një artiste Shqiptare që karrierën dhe jetën e ka ndërtuar në Kosovë.

Tre muaj më parë, ata të dy u shfaqën në kopertinën e ‘revistawho.com’, me rrëfimin e parë të gjatë për historinë e tyre të dashurisë.

Fustani i kuq me pika të bardha, këmbët e zbathura, dorëzuar tokës së bereqetshme, vështrimi i tretur larg, por aspak i mendueshëm dhe nj