Donika Ibrahimi: Doktor pse më shpëtove jetën

18/12/2011 - 00:00

E vetme dhe me tre jetimë për të rritur, jeton në mes të katër rrugëve pa ditur se çfarë do t’i rezervojë e nesërmja

Prej vitesh sorrollatet në dyert e bashkisë dhe shoqatave bamirëse për të siguruar një shtëpi dhe pak para për fëmijët e saj

Doktor, më more në qafë, pse më shpëtove jetën, doja të vdisja. Këto kanë qenë fjalët e një gruaje e cila sot endet sa në dyert e bashkisë, sa në shtëpitë e të afërmve të saj për të kaluar natën, pasi së bashku me fëmijët është e pastrehë dhe e papunë. Nëna e tre fëmijëve të mbetur jetim, Donika Ibrahimi, ka tentuar të vetvritet duke u hedhur para një mjeti për të pësuar të njëjtin fat si dhe bashkëshorti i saj. E mbetur në mes të rugës së bashku me tre fëmijët, 43-vjeçarje ka nisur të trokasë në çdo derë për të gjetur një zgjidhje. Ibrahimi tregon se kërkon vetëm një kasolle a barakë, qoftë edhe me çadër a plasmas pasi pas vdekjes së të atit nuk ka më mundësi të shkojë tek shtëpia e vellezërve të saj, të cilët janë të martuar dhe me fëmijë. Donika tregon se e ka pasur të pamundur të gjejë mundësinë për t’i qarë hallin kryetarit të bashkisë së Durrësit. Lotët dhe lutjet e kësaj nëne nuk pushojnë gjatë gjithë kohës. Ato janë dëshmi e fatit të saj të keq, janë lot dhimbjeje për vetvrasjen e burrit dhe vuajtjet e fëmijëve.

Jeni nënë e tre fëmijëve dhe sot ndodheni jashtë, në rrugë, pasi nuk keni strehë. Ku keni jetuar deri tani ?

Kam jetuar disa vite në një barakë mbi spitalin e Durrësit. Aty kam lindur fëmijët . Është edhe sot baraka në vendin e quajtur Ullishte mbi spital. I zoti i tokës na nxorri jashtë. Aty ai ka futur veglat dhe materialet që i shërbejnë për të ndërtuar një pallat. Pse jam unë në pikë të hallit ai nuk më ka faj. Ne jemi të pastrehë dhe e gëzojmë ketë status, që në kohën e ish-komitetit ekzekutiv. Babai më mori dhe bashkë me fëmijët jetova në shtëpinë e tij. Aty jetonin edhe vëllezërit e mi të martuar. Ishim shumë ngushtë, por kokën e kishim brenda. Në shtëpinë e babait tre vëllezër jetonin bashkë në një shtëpi. Ishim aq ngushtë, sa na zihej fryma. Sa e kisha babanë isha e qetë, por tani ai ka vdekur dhe nëna e ka të pamundur të më mbajë, pasi janë shumë ngushtë. Fëmijët e vëllezërve janë rritur, kanë lindur fëmijë të tjerë dhe janë shtuar në të njëjtën banesë. Mora një shtëpi me qera. Për disa muaj e lava, pasi pak punoja vetë dhe pak djali. U detyrova ta lë se djali e unë më shumë ishim të papunë. Nëse do të paguaja qeranë do të lija fëmijët pa bukë. Për qeranë dhe për bukën e gojës më ka ndihmuar edhe vëllai, Qamili. Ai më thoshte gjithnjë,- “hë mos u bë merak se do të të ndihmoj unë”, po ka disa muaj që edhe ai nuk gjen punë për të mbajtur fëmijët e vet. Me tre fëmijët një natë shkoj tek halla, një natë tek tezja e kushërinjtë e mi apo të burrit. Çfarë të them, nuk pyet njeri për ne. Sikur këta njerëz që janë në pushtet të mos kenë fëmijë e familje fare, nuk duhet e nuk mund të sillen në këtë mënyrë. Mirë për mua që kështu e pata fatin, po fëmijët e mi, jetimët e shkretë pse të trajtohen kështu?

Keni humbur kryefamiljarin, bashkëshortin tuaj, si ndodhi?

Burri im Fatos Ibrahimi është varur në ullishtet e kodrave të spitalit të Durrësit. Ka qenë gushti i vitit 2001. Ishte i papunë. Edhe mua, që kisha punuar disa vite në ish-kimike, në Porto Romano, pas mbylljes së ndërmarrjes merrja asistencë, por dhe ajo mu ndërpre, pasi përfundoi koha. Burrë e grua dhe fëmijët mbetem pa bukë, ndërsa pronari i tokës na nxorri nga baraka. Fatosi ishte 29 vjeç. Kërkoi gjithandej punë, por asgjë. Merr borxh dhe mos e laj dot. U zhytëm në mjerim. Ai e vuajti shumë gjendjen e vështirë derisa u var në një pemë. U mbyll në vetvete dhe nuk fliste fare. Kur e pyesja nëse kishte punar vetëm më tregonte me kokë. Shikonte fëmijët dhe disa herë e shikoja të përlotur. Më duket se vendimin për t’i dhënë fund jetës e kishte marrë dhe priste ta kryente nga dita në ditë deri sa ndodhi e keqja, gjëma. Aty në ullishte e gjeti policia. Më la me tre jetimë, dy djemtë dhe vajzën. Të tre fëmijët ishin të vegjël. Edhe pse na ra kjo tragjedi e madhe nuk mendoi njeri për ne. Të gjithë ne hamë një herë në ditë dhe në jo pak raste fëmijët i vë në gjumë në shtëpinë e nënës sime pa bukë. Gënjej duke i thënë nënës së moshuar se u kam dhënë këtu e atje se edhe ata janë të varfër.

Cili ka qenë qëndrimi i bashkisë së Durrësit pasi ju ia keni bërë të ditur problemet?

Çfarë të them, duket vetë. Grua pa burrë, me tre fëmijë pa strehë mbi kokë, pa punë, pa bukë. Jetoj me ndihmat që më jep fondacioni “Mirënjohja”. Ata më kanë thënë se nuk do t’i lënë fëmijët të vdesin nga uria. Bashkia e di mirë hallin tim. Kam kërkuar komision, që të shohë si jetoj, ku jetoj, me se i rris fëmijët. Nuk vjen njeri. Marr vetëm 2.500 lekë ndihmë. Kam statusin si familje e pastrehë. Është vendimi nr.49, datë 29.01.1993. E di bashkia se ia kam thënë sa herë shkoj atje. Të them se kam humbur çdo shpresë, nuk e di nëse e besoni. Gjashtë muaj në derën e bashkisë. U jam lutur të më ndihmojnë për hatër të fukarenjve dhe jetimëve të mi, por as që u ka lëvizur qerpiku. Një ditë para portës së bashkisë isha unë me fëmijët dhe një grua në karrocë me dy fëmijët. Ajo ishte invalide. E takova dhe kishte të njëjtin hall. Burri i kishte vdekur, ndërsa vetë ishte invalide. Doli kryetari dhe i thashë jepi shtëpi kësaj gruaje, ndërsa mua më gjej vetëm një barakë a kasolle. Ai na tha se ne nuk kemi lekë të paguajmë banesat sociale. Me thënë të vërtetën bashkia na ka trajtuar shumë keq. Jo vetëm që nuk na zgjidhin hallin, por edhe na përçmojnë. Nuk do t’ia dijë asnjë për fukaranë. Po të them të drejtën e Zotit: po të mos kisha gocën që më mbetet rrugëve, do të vrisja veten. Ku ta lë Stelian, ajo është 12 vjeç, është rritur dhe më duhet ta mbaj afër për të mos ma mashtruar njeri. Jemi të varfër dhe një dorë me lekë kam frikë se ma gënjen. Kjo më shtyn të jetoj se sa për djemtë, kur të rriten e gjejnë rrugën vetë.

Ju keni tentuar të vetëvriteni një herë. E kujtoni si ndodhi?

Ka qenë viti 2005. U ngushtova ku nuk shkon më. Vajta tek varri i burrit dhe aty qava e qava sa më humbi mendja. Kujtoja se me sa shumë sakrificë jetuam 9 vite dhe se si në moshën më të re u vetëvar për të mos parë më fëmijët pa bukë e pa shtëpi. Po kthehesha për në shtëpi dhe lotët nuk më pushonin. Duke ecur se si më shkrepi në kokë dhe sapo erdhi një makinë jam hedhur para saj. Jam përmendur dy javë pas ngjarjes. Nuk mbaja mend asgjë. Kur hapa sytë pashë një njeri me bluzë të bardhë. Më thotë se quhej Ilir Shani dhe ishte mjek. Më tha se e kisha kaluar të gjithë traumën e rëndë dhe më tregoi çfarë kishte ndodhur me mua, pasi momentet e fundit nuk i mbaja mend fare. Aksidenti kishte qenë i rëndë. Makina më kishte goditur edhe në kokë. Ja këtu në anë të djathtë. Shenja duket edhe tani. Më kishte shpëtuar jetën doktori. Ai mendoi se më kishte bërë nder. Iu ktheva dhe pasi e pashë mirë i thashë “Pse doktor më shpëtove jetën e nuk më le të vdisja?”. E di se nuk kam bërë mirë, por më qe mërzitur jeta aq sa nuk thuhet. Doktor Iliri e kaloi si me shaka dhe është kujdesur aq shumë sa unë nuk kam pasoja të rënda. Goditjet gjatë aksidentit i kisha marrë në trup e në kokë, por doktori dhe mjekët e tjerë më kthyen edhe një herë në jetë. Për të qenë e sinqertë unë shpesh herë harroj fjalët, humbas orientimin në kohë apo edhe ngatërroj datat, emrat e vendet. Mjekët më kanë thënë se kjo është e pritshme dhe normale për një person që ka marrë goditje si të miat. Tani them se i jam borxhlie doktor Ilir Shanit dhe ekipit të tij, pasi më duhet të jetoj për vajzën. Pa nënë ajo mbetet në rrugë dhe do e ketë më të zi fatin sesa unë.

A u jeni drejtuar shoqatave bamirëse në Durrës apo edhe përfaqësuesve të shtetit në Tiranë për të shpresuar në një ndihmë?

Veç fondacionit “Mirënjohja” nuk është kujdesur ndonjë shoqatë për ne. Kam shkuar ku kam dëgjuar se ka shoqata për bamirësi. Edhe punë kam kërkuar pa i bërë naze, por nuk kam gjetur. Të afërmit tanë që janë pak në gjendje apo të tjerë në emigrim na dërgojnë rroba për mua e për fëmijë si dhe ndonjë para sa për të mbijetuar. Me thënë të drejtën në shoqata shkoj me shumë frikë. Kam dëgjuar që ka të tilla që mashtrojnë dhe nuk dua që vajza imë të më përfundojë në ndonjë dorë mashtruesish. Vajzën e kam me probleme shëndetësore, edhe djalin e dytë. Jeta ime kështu më erdhi, por me fukarallëk po u vjen edhe fëmijëve. Qeverisë i kam shkruar, por më kanë thënë se strehimin e ka në dorë bashkia. E di se jemi shumë familje me të njëjtin hall, por burri im e mbylli jetën në mënyrën më të keqe, unë shpëtova nga vdekja për fije të flokëve, nuk kam as shtëpi e as ushqime për fëmijët. Pra kam arsye të kërkoj nga bashkia dhe shteti të vënë dorën në zemër. Më është bërë vërtetimi i statusit të të pastrehit si leckë, pasi e kam treguar në çdo derë ku kam trokitur. Tani bashkia thotë se nuk vlen më ky vendim i vitit 1993. Ku të shpresoj, ku të trokas. Nuk kam më as forcë e as shpresë. Vetëm mbahem në shpresën e Zotit. Edhe pak ditë dhe vjen Viti Ri. Ndoshta dikush do të vërë dorën në zemër për t’u kujtuar për mua e fëmijët. Një barakë, një magazinë a kasolle, vetëm të kem shtëpinë time të mos më nxjerrë njeri jashtë. Do të kërkoj ndihmë ku të mundem për ta rregulluar. Ti vë një derë e dritare që të di ku t’i mbledh fëmijët.

 

/portali DurresLajm/

Na bëni like në facebook!: 

Lajme nga e njëjta kategori

Shtetasi Fran Dashi kallëzon në SPAK 20 shtetas me funksion ish-gjyqtarë dhe ish-prokuror pranë gjykatave të shkallës së Parë, Apelit, Gj

Nëse nuk je i vëmendshëm kur bën prenotimin, rrezikon që pushimet e ëndërruara gjithë vitin, të kthehen në makth, madje në ndonjë rast të

Qeveria synon të paguajë faturën e dixhitalizimit të mediave në Shqipëri, duke vënë në dispozicion të operatorëve audiovizivë privatë një

Vendimi i Prokurorisë së Krimeve të Rënda në Tiranë për të lënë të lirë një pilot Italian të dyshuar për trafik ndërkombëtar lëndësh nark

Emisioni prestigjioz “Special Investigation” i televizionit francez “Canal +”, i ka kushtuar një hetim të gjatë rrugës nëpër të cilën kal

23 shtator 2015 – Portali “DurresLajm” mësoi se, më 18 shtator 2015, Komisioni i Prokurimit Publik vendosi të mos pranoj

7 gusht 2015 –  Editimin e lajmit për bllokimin, më 6 gusht 2015, të anijes shqiptare të mallrave “Milton” në portin ita

 *Dyshime të forta për sigurinë në lundrim të anijes.

·       “Hija” e mosmarrëveshjes midis APD-së dhe koncesionarit të Terminalit Lindor për licencimin e s

DURRËS, 12 qershor 2015 – Sikurse ka njoftuar “Dyrrah”-u (shih: